Pse Kurtit nuk iu lejua deri më tani një vizitë zyrtare në Uashington, sipas Serwer?

Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka reaguar ndaj përshkrimit që senatori Chris Murphy, ka bërë për vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor dhe takimet në Beograd e Prishtinë që kanë pasur me liderët. Serwer e ka kritikuar Murphy’n për afërsinë e tij me Vuçiqin, siç e ka përshkruar vet senatori dhe raportin e tij me kryeministrin Albin Kurti, shkruan Gazeta Express.

Sipas profesorit amerikan, arsyeja pse kryeministrit Kurti nuk i është lejuar një vizitë zyrtare në Washington ka të bëjë me mungesën e progresit në dialog, për të cilin Shtëpia e Bardhë e fajëson Kurtin.

“Rrënja e kësaj shoqërie është e qartë në rrëfimin e senatorit: Vuçiç shpesh darkon me Murphyn kur Presidenti është në Uashington. Do të ishte e vështirë për Murphyn të kishte të njëjtat marrëdhënie me kryeministrin e Kosovës Kurti, i cili është ekuivalenti funksional i Vuçiqit në Kosovë. Kurtit nuk i është lejuar një vizitë zyrtare në Uashington që nga marrja e detyrës. Kjo sepse Uashingtoni e fajëson atë për mungesën e progresit në dialogun me Beogradin. Senatori duket se pajtohet me këtë karakterizim.Unë nuk pajtohem. E vetmja pengesë për arritjen e asaj që Senatori e identifikon si objektivin kryesor të dialogut – njohjen reciproke nga dy shtetet sovrane dhe të pavarura – është refuzimi i Serbisë për të shqyrtuar propozimin. Dialogu do të ishte thjesht një bisedë normale mes fqinjëve, përveç kësaj”, thotë Serwer.

Tutje, Serwer thotë se ambiciet irredentiste në Ballkan janë njësoj të rrezikshme sikur në provincat lindore të Ukrainës.

“Serbia ka ofruar vetëm një alternativë ndaj njohjes reciproke: kontrollin de jure nga Beogradi (ose përmes një shkëmbimi tokash ose përmes një Asociacioni të Komunave Serbe me fuqi ekzekutive) mbi popullsinë me shumicë serbe në veri të lumit Ibër në Kosovë. Kjo ambicie irredentiste është po aq e rrezikshme në Ballkan sa edhe ambicia e krahasueshme e Rusisë për të kontrolluar provincat Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës. Dhe irredentizmi i Serbisë është më pak i bazuar. Popullsia e komunës më të madhe dhe më të rëndësishme në veri të Ibrit para luftës nuk ishte shumicë serbe. Shumica e serbëve në Kosovë ende jetojnë në jug të Ibrit”, thotë ai.

Profesori amerikan poashtu kritikon senatorin Murphy se gjatë vizitës në Beograd s’e ka ngritur si çështje ambicet territoriale të Vuçiqit ndaj Kosovës apo përkrahjes që ia jep Dodikut.

“Nuk ka asnjë shenjë në rrëfimin e senatorit për vizitën e tij në Beograd se ai e këshilloi Vuçiqin për ambiciet e tij territoriale në Kosovë ose mbështetjen e tij për ndarjen e Bosnjes nga Milorad Dodik Shpresoj që kur të mbledhë grupin e tij të punës në Kongres, Senatori do të sigurojë që këto çështje të jenë prioriteti kryesor në diskutim. Ata gjithashtu duhet të jenë në meny kur ai të darkojë me presidentin Vuçiq. Senatori duhet të hyjë më thellë”, ka shkruar Serwer.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS