Hidromorava

Pse hesht Akademia?

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) nuk po e kryen mision e saj, pasi që kurrë nuk ka reaguar ndaj çështjeve që është dashur të reagohet.

Rasti më i freskët është ai i mos reagimit ndaj deklaratave të presidentit serb Tomislav Nikolic në festimin e Betejës së Kumanovës, në të cilën betejë janë masakruar e shpërngulur mijëra shqiptarë.

Këto janë vlerësimet që vijnë nga njerëzit e botës akademike dhe të të drejtave të njeriut. Sipas tyre, kjo akademi ka njerëz që nuk e meritojnë të jetë aty, duke e shndërruar ASHAK-un në një azil për njerëzit që nuk e dinë as për çka janë aty.

Ditë më parë në Maqedoni është shënuar 100-vjetori i Betejës së Kumanovës nën organizimin e Qeverisë së Serbisë, në të cilën mori pjesë edhe presidenti serb Tomislav Nikolic. Ai gjatë fjalimit të mbajtur aty, si zakonisht dha deklarata antishqiptare, duke e mbrojtur këtë betejë sipas tyre kundër pushtimit turk, por e cila ka qenë në fakt një masakër çnjerëzore ndaj shqiptarëve.

Më e keqja nga kjo është se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) nuk doli me asnjë reagim ndaj festimit dhe deklaratave të Nikolicit, edhe pse është detyrë dhe obligim i këtij institucioni më të lartë të dijës në Republikën e Kosovës.

Për historianin Jusuf Buxhovi, deklaratat e presidentit serb Nikolic nuk janë asgjë e re për shqiptarët, por janë vetëm vazhdim i strategjisë së kamotshme antishqiptare.

Për Buxhovin, më absurd se deklaratat e Nikolicit është fakti se AShAK-u nuk ka reaguar fare ndaj festimit të Betejës së Kumanovës, e as ndaj deklaratave të Nikoliçit.

Mos reagimi i ASHAK-ut, sipas Buxhovit, tregon se kjo akademi nuk ka kapacitete, e aq më keq kur ajo nuk ka as historian, i cili do të duhej të merrej me çështjet historike, siç ishte rasti me festimin e Betejës së Kumanovës dhe deklaratat e Nikolicit.

“Kjo tregon se kjo akademi nuk ka as vullnet, por nuk ka as koncepte shkencore. Nuk ka koncepte shkencore, sepse nuk ka shkencëtar të dinjitetshëm të cilët merren me këto çështje. Këta nuk kanë as historianë, që është absurdi edhe më i madh. Kështu që, është një kryetar i Akademisë që është gjeograf, e kam parë, flet edhe për histori, bile ka folur edhe kundër librave të mia, kundër projekteve të mia, të cilat do të duhej t’i përshëndeste së paku, si çështje shkencore”, ka thënë ai për “Kosovapress”.

Buxhovi ka thënë se akademia është një institucion i cili i kushton shumë Kosovës, e ka një nga ndërtesat më të mira në Evropë dhe që nuk punojnë asgjë.

Duke marrë parasysh rolin që e ka kjo akademi, Buxhovi ka thënë se nëse AShAK-u vazhdon kësisoj, atëherë duhet të mbyllet.

“Nëse kështu vazhdohet, unë mendoj se kjo Akademi duhet të mbyllet. Kështu si e tillë, kjo nuk ka kurrfarë kuptimi të ekzistojë”, ka thënë ai.

Sa i përket politizimit të kësaj Akademie, Buxhovi ka thënë se aty ku s’ka shkencë, ka politikë.

RCCOLA

“Është biseduar rreth politizimit, ka pasur disa biseda, por nëse nuk ka shkencë, aty ka politikë”, ka thënë ai.

Nuk është i vetmi Buxhovi që ka drejtuar kritika të ashpra ndaj AShAK-ut. Kohëve të fundit, kritika ndaj akademisë ka drejtuar edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala.

Ai ka thënë se AShAK-u, që llogaritet si truri i shtetit të Kosovës, do të duhej të reagonte ndaj shumë çështjeve që kanë të bëjnë me historinë e Kosovës, po ashtu edhe ndaj rastit më të freskët, atij të festimit të Betejës së Kumanovës.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, që llogaritet truri i shtetit të Kosovës, së paku ashtu do të duhej të llogaritej në bazë të titujve që kanë, ka heshtur plotësisht. Akademia është dashur të reagojë. Akademia nuk ka nevojë t’i paraprijë proceseve në kuptimin e nxitjes së urrejtjes ndaj popujve të tjerë apo ndaj shteteve të tjera, por e ka për obligim që në këto raste të reagojë dhe të tregojë se Beteja e Kumanovës është një masakër ndaj popullit shqiptar”, ka thënë ai.

Por, mos reagimi i akademisë nuk e habit shumë Shalën.

“Aty ka njerëz që me asnjë kriter nuk e meritojnë të jetë akademik, sepse, as gjatë jetës së tyre, mirëpo as edhe me t’u bërë anëtar të akademisë, nuk e kanë dhënë asnjë kontribut, as në dobi të kombit, as në dobi të shtetit, as në dobi të njerëzimit, as në dobi të së vërtetës”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se mos puna në AShAK tregon se aty ende qëndron mentaliteti i klaneve, mentaliteti i meritokracisë politike dhe jo afirmimi i vlerave akademike.

Ai ka thënë se AShAK-u më shumë është shndërruar në një azil për njerëz, të cilët nuk e dinë as se çka duhet të bëjnë, sesa në një institucion, i cili e përfaqëson trurin e një kombi apo trurin e një shteti.

“Kosovapress” ka tentuar për dy javë rresht për të marrë përgjigje nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndryshe, edhe pse Shqipëria dhe Kosova sivjet festojnë me një varg aktivitetesh 100 vjetorin e shtetit shqiptar, nuk është bërë asnjë konferencë për vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike.

Serbët, ndërkaq, vazhdojnë të trumbetojnë për fitoret e tyre kundër Turqisë, derisa në fakt ishin luftëra për tkurrjen e trojeve shqiptare.

Ndaj ardhjes së presidentin Nikolic në Kumanovë kishin reaguar edhe partitë opozitare maqedonase, duke theksuar se kjo betejë e njohur në histori paraqet, sipas tyre “aneksimin e Maqedonisë nga ana e Serbisë”.