Hidromorava

Pse gjermanët e shohin fenë islame me mosbesim?

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Paragjykimet dhe frika nga të huajt e shumtë është duke u shtuar në Gjermani. Me rritjen e numrit të myslimanëve, është rritur edhe mosbesimi ndaj islamit. Pse gjermanët kanë frikë nga të huajt?

Politikani i partisë Kristian-Demokrate (CDU), Wolfgang Bosbach nuk shikon asnjë rrezik nga feja islame në shoqëri, përveç disa islamistëve që janë të gatshëm të kryejnë akte dhune. Rreth 40 mijë islamistë jetojnë në Gjermani. Numër i vogël, por disa prej tyre janë të gatshëm për dhunë, raporton DW.

“Ata që janë në gjendje për të ushtruar dhunë jo për motive fetare, janë një kërcënim real për sigurinë në Gjermani. Tetë sulme terroriste të mbetura në tentativë provojnë një gjë të tillë,” thotë Bosbach.

Agjentët e sigurisë thonë se këta njerëz përfaqësojnë vetëm një grup të vogël njerëzish, më pak se 1% e myslimanëve janë islamistë. Por këta të fundit paraqesin një imazh negativ për fenë islame dhe myslimanët, çka çon në përhapjen e paragjykimeve dhe të Islamofobisë.

Gjatë një periudhe 10 vjeçare, Universiteti i Bielefeldit ka kryer një studim në lidhje me aspektet e fanatizmit. Studimi tregoi se frika ndaj islamizimit është mjaft e përhapur në Gjermani.

Vetëm 19% e gjermanëve mendojnë se feja islame mund të bashkëjetojë me kulturën gjermane.

“Kjo është shifra më e ulët që gjejmë në Evropë.”, thotë psikologu social Andreas Zick, i cili drejtoi dhe analizoi studimin. Studimi tregonte gjithashtu se 46% e gjermanëve kanë frikë nga të huajt dhe 30% e tyre kanë një frikë specifike, për shembull nga sulmet terroriste.

Pas sulmeve të mbi Kullat Binjake në SHBA, disa stereotipe rreth myslimanëve hodhën rrënjë të thella në shoqëri, thotë Zick.

“Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga sulmi terrorist, ende shumë njerëz e lidhin fenë islame ose myslimanët me terrorizmin, me ligjin e Sharias, me një fe të huaj, që nuk ka vend në Gjermani. Ky është një problem,” – shton ai.

UBT

Një shembull për këtë janë partitë e ekstremit të djathtë “Pro NRW” dhe “Pro Deutschland”, të cilat kanë bërë një fushatë agresive kundër ndërtimit të xhamisë në Këln dhe kudo tjetër.

Mesazhi përmes rreshtave është i qartë: feja islame është e rrezikshme dhe nuk ka vend për myslimanët në Gjermani. Këto parti janë duke përdorur këto argumente për të fituar edhe kredo politike.

Është e rëndësishme të kuptohet se pse frika ndaj fesë islame është më e përhapur në një vend me ekonomi të konsoliduar si Gjermania dhe jo vende të tjera evropiane.

Detlef Pollack, sociolog i fesë nga Universiteti i Mynsterit beson se arsyeja është në shoqërinë gjermane.

“Për shumë probleme të bashkëjetesës me grupe të tjera etnike nuk janë diskutuar asnjëherë hapur dhe tani dikush është i habitur që sheh një shkallë të lartë paragjykimit dhe frikës,” – thekson Pollack.

Por nëse frika nuk është artikuluar qartë, atëherë është e vështirë të merresh me to.

Informacioni dhe edukimi janë dy aspekte po aq të rëndësishme sa edhe kontaktet me njerëz të feve të tjera.

/DW & Albinfo.ch/