Fundamenti

Pse fitoi Hashim Thaçi, e pse humbi PDK

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Nga Berat Buzhala- “Njeriu, me emrin e të cilit lidhet çdo zhvillim politik dhe shoqëror prej vitit 1998 e deri në ditën e sotshme, gjeti aq kurajë brenda vetes sa t’i nënshtrohet rivalit kryesor politik, LDK’së. Ai fitoi, duke e pranuar humbjen në tavolinë. Por humbi PDK, që e kishte arritur një fitore në terren”, shkruan Berat Buzhala. Lexojeni të plotë shkrimin e tij.

Normalisht që janë tepër të rralla rastet kur do të doja t’i kujtoja shkrimet e mia të mëhershme. Sa për faktin se kanë qenë parashikime të gabueshme, e më shumë për faktin se nuk më pëlqen se si shkruaj. Sido që të jetë, dikush duhet ta kryej edhe ketë detyrë – atë të analistit dhe parashikuesit. Dhe e di që para zgjedhjeve pata shkruar, përafërsisht, se ‘fitorja më e madhe e Hashim Thaçit në këto zgjedhje do të ishte humbja e tij’.

Ma kishte prerë mendja se edhe nëse do të fitonte, ajo nuk do të ishte ndonjë fitore që do ta mundësonte që të bënte i vetëm Qeverinë. Dhe gjithashtu, isha i bindur, siç jam edhe tani, që nëse Thaçi do ta udhëhiqte edhe një qeveri të ardhshme, atëherë do të luante rrezikshëm, jo vetëm me fatin e tij politik, por edhe me atë fizik.

Isha i bindur që nuk më kishte mirëkuptuar atëherë, e jam i bindur që nuk do të mirëkuptojë as tash, kur do t’i them se dorëzimi i tij, përpara rivalit kryesor, çuditërisht është një fitore e tij personale, e pa dyshim një humbje e subjektit të tij politik, PDK’së.

Pse kjo është humbje politike e PDK’së?

Letra kryesore e PDK’së nëpër debate të ndryshme publike ka qenë se nëse ky subjekt politik del i pari në zgjedhje, atëherë ata më parë shkojnë në opozitë, sesa pozitën e Kryeministrin t’ia japin një politikani tjetër.

Zyrtarët e PDK’së, janë tallur me LDK’në, se si i ishte nënshtruar në vitin 2001 dhe 2004 partive të tjera politike, duke ua dhënë pozitën e Kryeministrit. Pra, tash, edhe PDK, nuk do të mundet me siguri të plotë që t’u thotë votuesve të tyre se nuk heqin dorë prej pozitës së Kryeministrit. Kjo epokë ka përfunduar. Gjithashtu, e kam thënë edhe ditëve të tjera, se duke lëshuar pe përpara LDK’së, në këtë rast, PDK e ka shpëtuar rivalin kryesor prej një katastrofe politike që po i trokiste në derë. Nëse PDK do të zgjedhte AAK’në, përpara LDK’së, atëherë do ta kishte pothuajse të sigurt se zgjedhjet e ardhshme do t’i fitonte prapë. Tash, asgjë më nuk është e sigurt. Isa Mustafa, pa marrë parasysh se çka flasin analistët në debate, do të ketë kohë të mjaftueshme për t’i rikonsoliduar pozitat e tij brenda partisë.

Mustafa do të ketë gjithë kohën e duhur që t’i zbusë ata pak kundërshtarë që i ka aktualisht brenda partisë. Dhe e fundit, e sipas meje më e rëndësishmja, do të jetë në dorën e Mustafës – për herë të parë – që t’i përcaktojë tempin dhe dinamikën skenës politike. Pra, është Kryeministri ai që vendos për, pothuajse, gjithçka në vend. Është Kryeministri ai që takohet me të huajt. Është ai që e dikton gjuhën politike. Dhe krejt në fund, është Kryeministri që do ta zgjedhë kohën se kur do të kemi zgjedhje të reja. Paramendojeni një situatë, kur për shembull PDK do të provonte të rrëzonte Kryeministrin Mustafa, por nuk do të mundte, sepse i njëjti do të përkrahej nga opozita. E në anën tjetër, Mustafa, nëse do të kërkonte prej opozitës, vazhdimisht do të mirëkuptohej prej opozitës, vetëm për ta dëmtuar sa më shumë PDK’në. Dhe më besoni, për elektoratin e LDK’së kurrë nuk do të jetë shumë vonë që të rreshtohet fuqishëm krah Isa Mustafës, nëse ky i fundit vendos që t’i shpallë luftë PDK’së.

Eco Higjiena

Pra, të kota janë analizat, sipas të cilave Mustafa e ka humbur përkrahjen e votueseve kur ka shkuar në koalicion me PDK’në. Do të dëshmohet e kundërta në momentin kur Mustafa do të zgjidhet Kryeministër, e posaçërisht do të dëshmohet e kundërta në momentin kur Mustafa do të vendosë që të mos jetë më Kryeministër, me PDK’në. Ndërsa, më duket naive që tash dikush të më thotë se PDK dhe LDK e kanë arritur njëfarë ‘mirëkuptimi’ a ‘mirësjellje’ a ‘bese’ me njëra-tjetrën. Një gjë e tillë, në mes të këtyre dy subjekteve as nuk ka ekzistuar, e as nuk do të ekzistojë.

Është pak a shumë sikur të kërkosh nënshkrimin e një traktati të besueshmërisë në mes të maces dhe të miut, pas gjithë atyre fatkeqësive me njëri-tjetrin. Siç do të thoshte Petrit Selimi, në momente të shpërthimit: “Nada”. Pra, mund të ketë ‘status quo’ në mes të PDK’së dhe LDK’së, por jo edhe paqe. E kjo nuk do të ndodhë, për sa kohë nuk do të zbardhen shumë vrasje enigmatike.

Pse kjo është një fitore personale e Hashim Thaçit?

Askush prej politikanëve të vendit nuk ka pasur më shumë nevojë fizike, dhe politike, se sa Hashim Thaçi, që për një kohë të caktuar ta largojë nga vetja gjithë vëmendjen e opinionit publik, duke u vetëpensionuar. Ka qenë Thaçi, dhe vetëm Thaçi, ai që e ka dominuar plotësisht skenën politike në Kosovë këto 7 vitet e fundit, ndërsa pjesërisht këto 15 vitet e fundit. Nuk ka zhvillim politik në vend që të mos lidhet, disi, me emrin e tij. Për të mirë apo për të keq. Nuk ka as edhe një person tjetër publik në Kosovë, që nxit më shumë kontradikta, në mesin e publikut.

Lexojeni me kujdes: Për 230-250 mijë shqiptarë të Kosovës, emri i Hashim Thaçit, për nga vlera, nuk është hiç më i parëndësishëm se sa emri i Hasan Prishtinës, Ismail Qemajlit etj. Pra, është heroi i gjallë. Janë po kaq mijë veta, për të cilët, emri i Hashim Thaçit paraqet saktësisht të kundërtën e atyre që e mendojnë të parët. Por të dytët, që prej vdekjes së Rugovës, janë ndier të hendikepuar që kurrë nuk arritën ta kishin një hero të tyre që do t’ia vënin përballë Hashim Thaçit. Asnjë, pra, as Ramushi, as Isa, e as Albini kurrë nuk arritën që të ngriheshin aq lart politikisht sa të fitonin rolin kryesor për ta kundërshtuar atë.

Pra, Thaçi, de facto, prej kur kishte vdekur Rugova ka funksionuar i pa konkurrencë. Kjo që ishte, ishte shumë e shpërndarë, nën një, dhe nën emrat e lartpërmendur nuk mund ta sfidonin assesi Thaçin për nga ‘pesha historike’. Pra, janë lojtarë shumë më lokalë dhe shumë më periferikë se sa djaloshi i Brojës. Ndërsa, në këto zgjedhje, ose pas tyre, u dha shkëndija e parë e një bashkimi të tyre të mundshëm. Prej qershorit, e deri tash në nëntor, ishte periudha më e rrezikshme politike për Hashim Thaçin.

U ndie i pafuqishëm, deri në momentin kur Blloku filluan të mendonin si shqiptarë, e jo si politikanë të pjekur. Por në fund, arriti të shpëtonte atë që mund të shpëtohej. Ta shpëtonte veten. Është herët të konkludojmë se tash çdo gjë ka marrë fund, por çfarë mund të themi tash është se Thaçi, me ketë tërheqje politike, do ta amortizojë në një shkallë të madhe sentimentin kundër tij. Një sentiment, deri në iracionalitet. Siç ishte iracional edhe sentimenti pro tij. Thaçi, gjënë më të rëndësishme që e ka arritur me ketë marrëveshje, është se pushtetin e tij po e dorëzon, e nuk po ia marrin, ose nuk po e dëbojnë. Se nëse ai do të rikthehet ose jo në të ardhmen, kjo gjë është shumë herët për t’u konstatuar.