Fundamenti

Pse e huqi hapin Haradinaj!

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Arbana Xharra – Duket se kryeministri Hashim Thaçi jo vetëm që ka gatishmëri, por edhe aftësi të pashoqe për të djegur ata që e teprojnë me vardisje, për t’u futur në kabinetin e tij qeveritar. E kur gjen kandidat të përshtatshëm, të tillë që pa rezervë i hidhen në përqafim, ai me mjeshtri i fut në lojë, i josh, dhe në fund tallet me ta. Kësaj here me komoditet e degradoi, bile duke i buzëqeshur në fytyrë, Ramush Haradinajn, i cili ishte ngutur që Thaçit t’ia dorëzojë edhe një dhuratë – një libër.

Me këtë dhuratë kryetari i AAK-së me gjasë dëshiroi të tregojë para opinionit edhe anët e tij intelektuale, pas dështimit të këtij synimi në një kohë kur bartte syze pa kornizë. Thaçi arriti njëkohësisht t’ua mbyllë gojën të gjithë atyre në AAK që e atakonin për krejt të zezat. Këtë e arriti, sepse e joshte shefin drejt kolltukut, andaj vartësit e Haradinajt heshtnin.

Brenda natës, si me magji Thaçi u shndërrua në evlia, u shua edhe SHIK-u, të gjithë ata që dikur e quanin plaçkitës Ramush Haradinajn dhe kërkonin të jepte llogari për pasurinë e tij, për çudi u bënë të mirë. E gjithë “banda e dikurshme e Thaçit” (kjo ishte gjuha e AAK-së) nisi të shihet si partner qeverisës në folenë e përbashkët me Hashim Thaçin.

Parimet që i kishin propaganduar para zgjedhjeve të vitit 2010, AAK nuk po i përmend më, duke na vërtetuar se nuk ka ndryshuar mentalitetin qeverisës. Me vota e radhitur partia e katërt në Kosovë, nisi t’i përkulet kreut të Qeverisë duke ia ofruar bashkëqeverisjen dhe mbështetjen e pakusht parlamentare në këmbim të pozitës së kryeministrit.

AAK nisi t’i përngjajë PDK-së ende pa ardhur në pushtet, me mendësi të njëjtë jodemokratike, pa kërkuar legjitimitet përmes votave, kreu i AAK-së synoi të marrë postin e kryeministrit. Bile denigroi aq shumë veten në këtë aventurë.

Haradinaj u rreshtua me ata që po të kishte qëllim të “punonte për Kosovën”, kishte rastin më të mirë t’i kritikonte për keqqeverisje, bile me argumente të gatshme. Por, Haradinaj në vend të kësaj zgjodhi të pozicionohej ndryshe, duke i mundësuar Thaçit ta kryejë lojën me sukses që kishte qëllim djegien e Ramush Haradinajt.

Ky i fundit pranoi me dy duar t’i japë nënkryetarin e parë të AAK-së, “kokën e partisë”, siç e konsideron partia e vet, të bëhej pjesë e procesit të bisedimeve me Serbinë. Në fillim krerët e partisë së Haradinajt ishin kategorikisht kundër këtyre bisedimeve apo negociatave.

Fundamenti

Duket se AAK e nënçmoi totalisht Thaçin. Etja e pafrenueshme për pushtet e ka bërë sot AAK-në parti joserioze, pa identitet të vetin politik dhe të reduktuar vetëm në teket e dy-tre personave. Aty ku mund të dëshmonte përkushtimin në bashkëqeverisje, AAK edhe dështoi. Kjo pasi AAK nisi të ulte kokën e të mbyllte sytë përballë pazarit me asetet e Kosovës.

Në prapavijë ndiqeshin interesat e përbashkëta politike dhe ekonomike me PDK-në. Duke mos e përkrahur mocionin e “Vetëvendosjes” për ndërprerjen e privatizimit të PTK-së, Ramush Haradinaj u hodh në krahët e Hashim Thaçit, ndërkohë partia e tij, deputetët e tij u bënë vëzhgues të politikës ditore të Thaçit, duke mos ia turbulluar ujin, sepse frikësoheshin se “shefit të të gjithë shefave” mund t’i mbetej hatri.

Që nga 29 nëntori, kur Haradinaj u lirua nga Haga, AAK për më shumë se dy muaj u shndërrua nga partia opozitare në bashkëqeverisje jozyrtare më PDK-në. Këta dy muaj na e dëshmuan se sa shumë i ngjan PDK-së kjo parti dhe sa lehtë bëhet pjesë e lojës së qeverisjes që çon në degradimin e mëtutjeshëm të shtetit.

Të dy partitë kanë një qasje totalitare dhe duan të kontrollojnë gjithçka. Por, kur Haradinaj e pa se e dogji keq Thaçi, e humbi rrugën në oborr dhe nxori në pah një defekt të madh, atë të respektimit të rregullave të demokracisë. Duke mos ditur se çfarë t’i bëjë Hashim Thaçit, ai nisi të kritikojë ashpër gazetarët dhe opinionistët.

Në një intervistë dhënë në “Zëri” ditë më parë, nuk nxori një fjalë të keqe ndaj qeverisë apo Thaçit, por iu vërsul gazetarëve dhe opinionistëve duke i quajtur “të shitur”. Arsyeja po shihet: Haradinaj është i zemëruar pse gazetarët nuk ia siguruan pozitën e kryeministrit, andaj tash qenkan “të blerë”, e po të kritikonin të tjerët “janë profesionistë”.

Me këtë qasje Haradinaj s’i ka ndihmuar askujt, e më së paku vetes. Vetëm u bë gazi i dheut. Do t’i duhet kohë për të marrë këmbët si politikan.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.