Fidanishtja

Pse duhet të shkohet në Uashington edhe pse marrëveshja duket e largët?

/ 5 minuta lexim

Nga Ibrahim Gashi – Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, më ndërmjetësimin e BE-së, për pothuaj një dekadë ka shpërfaqur në mënyrë graduale komplesicitetin dhe ndërlikueshmërinë e tij të skajshme. Progresi dhe marrëveshjet e arritura në fillim janë dukur si një dritë në fund të tunelit dhe kanë rritur pritjet, sidomos në Prishtinë, se gjerat po lëvizin shpejt, se veriu po integrohet dhe se marrëdhëniet më Serbinë po normalizohen.

Barrierat që ka nxjerr në vijimësi Beogradi në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, gjuha e ashpër e zyrtarëve më të lartë, e stilit se “kurrë nuk do ta njohim Kosovën”, përfshirja në preambulën e kushtetutës së shtetit serb të Kosovës si pjesë e saj dhe sidomos fushata lobuese kundër njohjeve të shtetit Kosovës janë treguesit më kokëfortë se palët kanë pozicione aq të largëta dhe aq të ngurta sa që as edhe një shekull nuk do mund të merren vesh pa një gjuhë të fortë ndërmjetësimi, që nënkupton ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga një fuqi botërore absolute, e cila do t’i dëgjonte palët dhe vet do ta thoshte fjalën e fundit.

Nëse më këtë optikë reale i shohim gjerat ne këtu në Prishtinë dhe vetëm pak i kthehemi kujtesës jo të largët historike, atëherë zërat kundërshtues, hezitues dhe ekuivoket politike, të shkohet a mos shkohet në Uashington, janë jo vetëm të gabuar por edhe të dëmshëm

Zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës, në formatin siç janë ftuar, duhet të shkojnë në Uashington, të tregojnë seriozitet dhe konstruktivitet në dialog, që nënkupton, të mbrojnë qëndrimet tashmë të deklaruara nga ana e tyre, se s’ka ndryshim kufijsh, se s’ka ndarje, se s’ka kompetenca të reja jo kushtetuese për asociacionin dhe se njohja reciproke duhet të jetë verdikti final i këtij dialogu.

Uji Dea

Tani përse Uashingtoni dhe Shtëpia e Bardhë duhet të jetë vendi i bisedimeve?
Së pari konsistenca dhe koherenca e mbështetjes së politikës dhe diplomacisë amerikane për shtetësinë e Kosovës, që nga faza e para shpalljes së saj, gjatë aktit të shpalljes dhe veçmas në periudhën e pas shpalljes, përmes procesit të lobimit dhe sjelljeve të njohjeve të numërta dhe për më shumë lobimi i fuqishëm dhe asistenca profesionale më ekspertizë juridike për të argumentuar të drejtën e Kosovës në aktin e saj të shpalljes së pavarësisë, pranë GJND-së, janë vetëm disa pikarritje kulmore që provojnë qëndrimin konstruktiv dhe mbështetës të Uashingtonit zyrtar ndaj shtetit të Kosovës, në gjithë trajektoren kohore të tij.

Së dyti, në teoritë e negocimit, përcaktimi i palës ndërmjetëse dhe vendi i bisedimeve janë faktor, që në masë të konsiderueshme, e determinojnë suksesin në arritjen e marrëveshjeve në një proces të vështirë dialogu. Teoricienët konsiderojnë se ndërmjetësit kryesor janë shtetet e fuqishme të cilat mund të veprojnë vetëm ose në mënyrë kolektive apo edhe nëpërmjet organizatave ndërkombëtare, ku kanë ndikim të fuqishëm. E para dhe më kryesorja shtetet e veshin mantelin e ndërmjetësimit për të shuar krizat të cilat kërcënojnë stabilitetin politik dhe ekonomik për të cilin ato kanë interes të veçantë. ShBA-të, pa dyshim, vazhdojnë të jenë të interesuara për stabilitetin politik dhe ekonomik si dhe për sigurinë e Ballkanit edhe kuadri i gjeopolitikës së tyre evropiane. Kosova në këtë mes ka një rendësi parësore, për aq kohë sa raporti midis i saj më Serbinë është i tendosur dhe jo normal. Së këndejmi Kosova duhet parë bisedimet në Uashington si mundësi reale, mbase të vetmen, për arritjen e një marrëveshje të favorshme.

Së fundi Brukseli sikurse edhe Prishtina duhet ta shohin më dashamirësi dhe optimizëm aktivizimin e Uashingtonit në pjesën më të vështirë dhe më të rëndësishme të procesit, atë të arritjes së një marrëveshje përfundimtare. Madje Brukseli pa asnjë hezitim duhet t’i bashkohet Uashingtonit dhe bashkërisht të kurorëzojnë procesin më një marrëveshje finale. Sa i takon marrëveshjes eventuale konsideroj se pozicionet janë shumë të largëta dhe për rrjedhojë edhe arritja e një marrëveshje eventuale duket e largët. Edhe sikur palët dhe ndërmjetësit të arrijnë në parim pajtueshmëri për ndonjë draft fillestar, sërish është iluzore për të pritur marrëveshje finale në një kohë të shkurtër. Megjithatë, duke njohur stilin e ndërmjetësve amerikanë, të cilët kanë kurajon për t’u shkuar gjerave deri në fund, pa prognozuar afate kohore, fundi i ditës do të sjell një marrëveshje të pranueshme për palët, ngase çdo epilog tjetër do të ishte mossukses i palëve ndërmjetëse, para së gjithash ShBA-ve, më të cilin vështirë se do të pajtoheshin.