Pse duhet të fillojë mësimi që nga e hëna?!
Nga Arianit Shaqiri – Të nderuar kolegë, sot po e mbyllim edhe javën e tretë që jemi në grevë. Të gjithë, pa dallim, jemi të zhgënjyer me shkallën e ulët të gradimit dhe të vlerësimi që i bënë institucionet kryesore të shtetit tonë. Edhe më të zhgënjyer janë mësimdhënësit e fillorit, të cilët përkundër peshës dhe përgjegjësisë më të madhe që kanë në ushtrimin e profesionit të tyre, sërish janë lënë të fundit.
Të nderuar kolegë
Sot jemi graduar në nivel kaq të ulët sepse institucionet tona, duke filluar nga Kuvendi i Republikës, Qeveria e Presidenca “nuk kanë mundur të na shohin” në pozitë më të lartë.
Kështu dhe mos më keq po na sheh i tërë populli, si për çudi, ku së fundi na akuzuan se po duam ta shkatërrojmë shtetin, e disa na akuzuan se po duam t’i lëmë pa pensione e pa marrjen e të ardhurave nga skema sociale.
Çudi e çudive është se për të gjitha të zezat që po ndodhkan në këtë vend qenkemi ne fajtorë.
Të nderuar kolegë
Mbrëmë na pyetën për apo kundër të pranimit të ofertës nga institucionet tona dhe shumica nga ne dhamë një përgjigje, por ne nuk mund ta dimë se cili ishte rezultati i shumicës së përgjigjeve tona. Për një saktësi, e që jo shpeshherë e kemi vënë në dyshim, do të kishim pasur një votim të organizuar nga KQZ.
Neve na u ofrua një marrëveshje të cilën drejtuesit e SBASHK-ut e kishin pranuar, pasi që shumica e kolegëve grevistë paskan qenë për, me gjithë pakënaqësitë e shprehura.
Të nderuar kolegë
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të rrugëtimit të arsimit shqip në Kosovë. Ku kemi qenë e ku kemi arritur sot. Të gjithë e dimë që, shumë pak apo asgjë nuk na është dhënë me dëshirën e institucioneve apo nga vullneti i tyre i çiltër. E kemi arritur këtë shkallë me shumë kërkesa, protesta e greva.
Çdo herë, pas secilit veprimi sindikal, ndoshta kemi menduar se më nuk kemi nevojë për veprime tjera të ngjashme. Por ja që kemi vazhduar sërish pas një kohe apo pas një momenti që e ka kërkuar koha. Edhe tani, askush nga ne nuk mund të thotë që greva e tanishme do të jetë veprimi i fundit sindikal, sepse nuk mundemi apo nuk kemi energji apo nuk na dëgjon kush më. Jo, jo. ne do të vazhdojmë sërish pas një kohe…
Tani vendi ynë nuk është në pozitë të lakmueshme, as në sferën e brendshme politike e as në atë të jashtme. As në aspektin ekonomik e as në baraspeshimin e shtresave të ndryshme shoqërore nga aspekti ekonomik. Kosova po vlon nga jashtë e nga brenda dhe kështu po lëndohet e po dëmtohet përditë e më shumë. Mos të jemi edhe ne pjesë e këtij problemi.
Të nderuar kolegë
Projektligji për pagat hynë në fuqi, tek pas gjashtë muajve në publikimin në gazetën zyrtare. E që i bie dikund të shtator apo tetor të këtij viti, në rrethana më të favorshme, por mund të ndodhë që publikimi të shtyhet edhe për një periudhë paksa më të gjatë. (shih publikimin e ligjit për gjuhët në Re. E Maqedonisë).
Projektligji për pagat, mësimdhënësit i ka vendosur në një gradë të ulët, por si i tillë nuk është as Bibël e as Kuran. Me kalimin e kohës do të ndryshohet e amandamentohet për qëllime e nevoja të ndryshme.
Ne, mësimdhënësit e këtij vendi, nuk jemi pa potencial e pa ndikim. Sikur që në shumë raste përmes veprimeve sindikale që kemi bërë ndryshime në favor tonin, që nga paslufta ashtu edhe pas miratimit të këtij projektligji do të veprojmë. Veçse në kohë pak më të mira për popullin tonë, dhe pa u shfrytëzuar veprimi ynë nga organizime tjera sindikale e më gjerë.
A kemi akoma për të bërë, që është në të drejtën tonë?!
Po kemi.
• E kemi ngritjen e gradës së mësimdhënësit mbi mesataren e gradimeve të sistemin e pagesave publike;
• E kemi arritjen për pagesën në kujdestarinë e klasave, pagesën në orët që i mbajmë mbi kontratën e punës;
• E kemi nevojën që të paguhemi për orët plotësuese e shtues, sepse interesi i shtetit dhe shoqërisë është aty;
• E kemi sigurimin shëndetësor;
• E kemi pagesën e transportit;
• E kemi plotësimin e nevojës për mësues mbështetës;
• E kemi plotësimin e nevojës për modernizimin e infrastrukturës shkollore
• E kemi nevojën, më se të domosdoshme, për ngritjen e vlerës dhe dinjitetit të mësuesit. etj.
Po a do të mund të arrihen të gjitha këto dhe të tjera në këtë veprim tonin sindikal.
Jo aspak!.
Ka kohë, dhe veprojmë më pas.
Unë jam për të filluar mësimin sepse nuk dua që të humbasim më shumë të procesin mësimor.
Shumica nga ne jemi edhe prindër, që fëmijët i kemi në shkolla publike. E unë nuk dua që fëmijët e mi të humbin më shumë. E dua diturinë për ta, më pak se të ardhurat që u vijnë atyre.
Në anën tjetër nuk më pëlqen fare të marr pagë pa e kryer punën time. Nuk e shoh si të ndershme para familjes sime.
T‘i kthehemi mësimit, por assesi të mos ndalemi së kërkuari të drejtat tona, që assesi nuk mund të na mohojë askush, e cilido qoftë ai./rajonipress
Arianit Shaqiri


