Pse dhe kush e lakmon Mihrije Brahën ?
Me mijëra koncerte, me shumë projekte muzikore, me shumë festivale, me shumë shpërblime e mirënjohje, me paraqitje të veçantë në skenën artistike, me një bagazh të tillë që do ta lakmonte çdokush ta ketë – është këngëtarja jonë e mirënjohur Mihrije Braha, e cila gjatë karrierës së vet më se tri dekada fitoi shumë epitete nga – ajo s’po di të plaket, koha sikur është ndalur për të, deri te ikonë e bukurisë shqiptare, por edhe këngëtare me vlera të veçanta.
Për ata që nuk i dinë këto të dhëna: Mihrija nuk është e rastësishme në skenën tonë artistike. Ajo ka kryer shkollën e muzikës, por edhe Akademinë e Arteve të Bukura. Ajo qysh në moshën gjashtë vjeçare paraqitet para publikut dhe duke marrë pjesë në shumë koncerte e festivale gjithandej.
Nuk harrohet albumi i saj i plasuar rreth vitit 85 me titull “Moj syzezë”, i përbërë me një potpuri këngësh, të cilat shpejt u bënë hite gjithandej dhe bëri bujë në trojet shqiptare. Këngëtarja jonë e madhe nuk mbetet vetëm me këtë album dhe vetëm me këto këngë. Deri sot këngët e saj janë të panumërta dhe të paharruara, si “ Sikur anija me valë”,”S mund të jetoj pa ty”,”Ani more nuse”, Mora tepsinë”,”Refuzova”, “Turbulencë “ e shumë të tjera, të cilat rrinë gjatë kohë nëpër top listat e më të dëgjuarve.
Vlen të përmendim,se Mihrija është edhe krah i djathtë i bashkëshortit të saj, këngëtarit e moderatorit tonë të dalluar në realizimin e emisionit mjaft të shikuar “Odeon”, tek dhe aty kemi rastin të shohim talentin e vlerën e saj si këngëtare.
Për vitalitetin e bukurinë e saj flitet e shkruhet shpeshherë, për çka ajo e shpjegon: Qetësia shpirtërore, harmonia në bashkëshortësi, rrezatimi pozitiv ndaj rregullave të jetës, përditshmërisë dhe respekti për të tjerët, janë këto formula e pamjes, por edhe lumturisë sime – thotë Mihrija për Kosovaren, tek edhe zbulon se së shpejti do të dalë me një surprizë për fansat e vet dhe publikun e gjerë.


