Protestojnë zhegranët dhe tërë Karadaku

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Shukrije Ramadani në emër të Këshillit për themelimin e Komunës së Zhegrës tha se qytetari i karadaket e meriton një administratë më afër e jo të udhëtojë me kilometra për një dokument të thjeshtë. Kemi shumë fakte e argumente që tregojnë se Zhegra meriton të jetë komunë në vete, andaj kërkojmë nga institucionet qendrore që deri në zgjedhjet e sivjetme lokale të dalin me vendimin për themelimin e komunës së Zhegrës.

Qindra protestues janë tubuar të premten në Zhegër për të protestuar në shenjë pakënaqësie e revolte që ky fshat i madh i Anamoravës po anashkalohet nga niveli qendror për tu bërë komunë në vete.

Protestuesit mbanin pankarta të ndryshme dhe kërkuan njëzëri që Zhegra të bëhet komunë ose siç thanë ata të revoltuar asnjë votë apo asnjë palë zgjedhje nuk do të lejohen të mbahen në këtë fshat.

Në emër të këshillit për themelimin e komunës së Zhegrës para protestuesve foli Shukrije Ramadani e cila tha se protesta gjithëpopullore është ndërmarrë për faktin se nuk janë plotësuar kërkesat tona.”Kërkesa për themelimin e Zhegrës komunë është legjitime dhe se kjo kërkesë daton qysh nga viti 2005” tha Ramadani.

Ramadani tha për rajonipress se pos përkrahjes morale nuk kanë pasur tjetër përkrahje që Zhegra të bëhet komunë.”Ne ndihemi të anashkaluar, prandaj jemi detyruar që në këtë formë të shprehim revoltën tonë. Do t`i shterim të gjitha mundësit tona demokratike e qytetëruese derisa të realizohet kërkesa jonë. Do të jemi të durueshëm, por edhe durimi do të ketë një kufi” tha e revoltuar Ramadani para protestuesve.

Ramadani para postuesve tha se Zhegra ka qenë komunë deri në vitin 1955. “Se Zhegra meriton të jetë komunë dëshmojnë edhe faktet tjera, meqë ka mbi 12 mijë banorë, ka potencial njerëzor, mëse 200 intelektual që mund të qeverisin dhe administrojnë me sukses. Ka territor komplet dhe me resurse nëntokësore, përkatësisht miniera. Është zonë ndërkufitare, me dy vendkalime dhe ka kushte për zhvillimin e degëve të ekonomisë, bujqësisë, blegtorisë e të degëve tjera. Ka punëtor në diasporë që janë krah i fuqishëm për investime” u arsyetuar Ramadani.

Sipas Ramadanit, Zhegra dhe Karadaku e Agim Ramadanit,Idriz Seferit e dëshmorëve Shaban e Sami Ukshini dhe dëshmorëve e martirëve tjerë do të frymojë më mirë vetëm në Zhegrën komunë.

UBT

“Qytetari i Karadakut meriton një administrim më afër e jo të udhëtojë me kilometra për një dokument të thjeshtë e të ndihet më komod me një shkollë më afër, me një institucion më afër” tha ajo.

Edhe Jehona Hyseni këshilltare komunale nga radhët e LDK-së nga Zhegra tha se Gryka e Karadakut po diskriminohet që nga Qeveria e Kosovës e deri tek ndarja e buxhetit komunal në Gjilan.

Hyseni tha se Zhegra në çdo pikëpamje i plotëson kushtet për të qeverisur vetë derisa ka premisa të mira për të zhvilluar ekonominë , bujqësinë dhe turizmin.
Hyseni tha se si këshilltare komunale nga Zhegra do t`i mbështes kërkesat e tyre deri në realizimin përfundimtar.

Isa Agushi protestues tha se Zhegra qëllimisht dhe për përfitime politike nga qendra po anashkalohet. “Janë të kota përpjekjet e qeveritarëve për të nëpërkëmbur kërkesën tonë sepse ne jemi ata që do të shkojmë deri në fund” tha Agushi.

Në protestë merrte pjesë edhe kryetari i AAK-së dega në Gjilan Rexhep Kadriu. Ai tha se do të jetë në mbështetje të të gjitha protestave dhe në veçanti aty ku ato kërkesa janë të shëndosha dhe të arsyeshme e reale.

Protesta është vëzhguar nga policia dhe ka kaluar e qetë./rajonipress/