Protesta e Karaqevës alarmon xhandarmërinë serbe

Gjilan – Protesta e banorëve të Karaqevës e paralajmëruar për sot (e premte) ora 14.00 ka alarmuar xhandarmerinë serbe tha për rajonipress Selver Lenjani. Lenjani tha se xhandarmëria serbe ka shtuar forcat dhe po lëvizë gjatë gjithë kohës, ndërkohë sipas tij protestuesit janë të vendosur që të realizojnë protestën e paralajmëruar.
Banorët e Karaqevës të premten duke filluar nga ora 14.00 pritet të protestojnë në mbrojtje të vijës kufitare për shkak të provokimeve të shpeshta që po bënë xhandarmëria serbe raporton rajonipress.
Protesta pos që ka mobilizuar shqiptarët e Karaqevës, partitë politike dhe OJQ-të, ka alarmuar në të njëjtën kohë edhe xhandarmërinë serbe.
Server Lenjani përfaqësues si Karaqevës tha për rajonipress se sot në mëngjes janë vërejtur edhe më shumë forca të xhandarmërisë serbe. “Ka shtim të xhandarmërisë dhe lëvizje të shumta të tyre. Ne e kuptojmë shqetësimin e tyre, por jemi të vendosur që protesta të mbahet dhe të shprehim pakënaqësitë tona” tha Lenjani.
Lenjani tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që në ora 14.00 të nisë protesta derisa banorëve pritet t`i drejtohet dhe Begzad Sinani dhe strukturat tjera institucionale. “Unë shpresoj që protesta do të shkojë e qetë sepse ky edhe është qëllimi i saj. Ne vetëm duam që të jetojmë pa dhunë e shqetësime në tokat tona, dhe nuk duam që xhandarmëria serbe të na provokojë dhe të hyjë në tokat tona sa herë të ketë dëshirë ajo” tha Lenjani.
Ndryshe, Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë tha se protesta është përkrahur edhe nga partitë politike, OJQ-të dhe njerëzit me ndikim në jetën politike. “Ne nuk do të dorëzohemi sepse kjo protestë tregon vendosmërinë tonë që me asnjë çmim mos ta lejojmë xhandarmërinë serbe të futet në Kosovë sa herë të ketë dëshirë. Në protestë është e ftuar edhe presidentja Atifete Jahjaga dhe liderët tanë që po bëhen copa për një karrige, por nuk po bëjnë asnjë përpjekje që ta mbrojnë kufirin e Kosovës” thotë me ironi Lenjani.
Lenjani tha se për protestën është njoftuar edhe KFOR-i, policia dhe organet komunale. “Protesta është paqësore dhe synim kryesor ka vetëdijesimin e të gjitha institucioneve kosovare për rrezikun që po i kanoset kësaj pjese të Kosovës. Banorët e Karaqevës e kanë humbur durimin pas provokimeve të vazhdueshme të xhandarmërisë serbe, e cila provokon banorët e brezit kufitarë tha Lenjani”.
Lenjani tha se Karaqeva nuk po e mbron vetëm hisen e vet, por po vihet në mbrojtje të vijës kufitare administrative të Kosovës e njohur edhe ndërkombëtarisht. “Kjo vijë kufitare disa herë është atakuar nga xhandarmëria serbe e cila me provokimet e saja të përditshme ka arritur që të largoj nga ky fshat shumë familje shkaku i frikës dhe i pasigurisë” tha Lenjani./rajonipress/