Pronarët e zonës “Qendra” kundër bashkimit të pronave private

Gjilan – Pronarët e lokaleve në zonën urbane “Qendra” janë shprehur kundër investimit të një ndërtese shumëkatëshe banesore. Ata kanë kërkuar nga kryetari i komunës dhe drejtoria e urbanizmit që mos të cenohet prona e tyre pasiqë ajo është e shenjtë.
Ndonëse i është hapur rruga një investitori privat nga Vushtrria që të ndërtojë një objekt shumë katesh në rrugën “Adem Jashari”, në qendër të Gjilanit, kjo iniciativë qysh në start ka nisur të kundërshtohet nga disa pronarë të lokaleve private ekzistuese në këtë pjesë.
Rreth 15 lokale private dhe pronarë të tyre të hënën kanë sjellur tek mediet një reagim ku bëhet me dije se ata do të kundërshtojnë bashkimin e pronave të tyre dhe as që janë të interesuar për një lloj partneriteti privat.
Të nënshkruarit e këtij reagimi Nehat Nuhiu, Dalip Berisha, Faik Salihu, Milaim Syla, Sabit Morina, Selajdin Kastrati, Adelina Maksuti, Bujar Deliu, Saqip Osmani thonë se një partneritet privat dhe një investim i tillë as që është në interesin e qytetarëve, as në interesin e zhvillimit të biznesit, por sipas tyre është vetëm interes i disa personave për përfitime të tyre.
Në reagim thuhet se pronat janë blerë me djersën e baballarëve në vitet e gjashtëdhjeta. “Në këto lokale ne zhvillojmë biznesin, mbajmë familjet tona ku kemi të angazhuar rreth 30 punëtor. Me gjithë ftesat që na janë bërë , ne kemi vlerësuar se nuk është në interesin tonë e as në interesin publik, që t`i bashkojmë parcelat tona, sepse në atë mënyrë do të humbnim të gjithë” thuhet në reagim.
“I bëjmë thirrje kryetarit të komunës, por edhe drejtorisë së urbanizmit që ta respektojë vullnetin e shumicës së pronarëve legjitim, të cilët nuk kanë asgjë kundër nismave të tilla, aty ku pronarët japin pëlqimin, por në rastin tonë, ne jemi të vendosur që të mbrojmë pronën tonë dhe nuk do të lejojmë që ajo të na cenohet, ngase prona private është e shenjtë” përfundon reagimi.
Ndryshe në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë dhe Financa Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se në drejtori e kanë trajtuar kërkesën e një investitori nga Vushtrria për ndërtimin e një objekti shumëkatësh banesor-afarist në rrugën “Adem Jashari” në Gjilan.
Me investitorin dhe me pronarët e lokaleve ekzistuese janë organizuar disa takime informuese, ku është diskutuar për nevojën e bashkimit të parcelave që përfshin ky bllok me një sipërfaqe prej 21 ari ka thënë Mahmuti.
Mahmuti ka sqaruar se për sipërfaqen prej më shumë se 17 arësh, është arritur marrëveshja me pronarët, ndërsa dy prej tyre, nuk janë pajtuar. Bëhet fjalë për 3 ari, ka thënë ajo.
Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka thënë se janë zhvilluar disa herë negociata me pronarët e shitoreve që gjenden në këtë bllok e që kanë leje të përkohshme. Ata kanë ndërtuar hapësira mbi lokale, pa leje.
Mustafa ka thënë se këtyre pronarëve iu është ofruar maksimumi i mundshëm nga investitori, që nënkupton lokal, një hapësirë tjetër në kat si dhe garazh. Më e rëndësishmja për ta është se vendosen në objekt të ri pa asnjë cent investim, ka thënë ai./rajonipress/