Promovohet “Opinione III” i autorëve Flamur Hyseni e Burim Haliti
Gjilan – Libri publicistik “Opinione III” i autorëve Flamur Hyseni dhe Burim Haliti i ofrohet lexuesit si përmbledhje e punimeve të përbashkëta dhe individuale të cilat janë publikuar në revista mujore, gazeta ditore dhe portale brenda periudhës kohore gjatë vitit 2014 – 2015. Recensenti i librit Musa Sabedini tha se autorët me shumë kujdes kanë trajtuar tema delikate dhe në interes të publikut.
“Opinione III” i autorëve Flamur Hyseni e Burim Haliti është promovuar të shtunën në ambientet e Universitetit Publik të Gjilanit nën organizimin e Institutit për Studime ligjore e demokratike.
“Opinione III” ka marrë vlerësime të larta nga dy recensentët Nazmi Misini e Musa Sabedini, derisa autorët thanë se po e mbajnë premtimin që gjilanasve dhe studentëve të fushës juridike e ekonomike tu ofrojnë tema profesionale e trajtime të veçanta studimore që ndërlidhen me aktualitetin politik e ekonomik.
Recensenti Musa Sabedini tha se autorët Hyseni e Haliti me librin e tyre të tretë po dëshmojnë se janë të përkushtuar për të sjellur risi e përmbledhje të temave që lidhen me shtetin, qeverisjen, ngërçin politik, problemet e Luginës, keqëqeverisja, çështjet buxhetore dhe projektet zhvillimore ekomomike.
Sabedini tutje tha se autorët përherë janë aktual sepse ofrojnë edhe alternativa se si duhet të dilet nga këto të meta që Kosovën çdo ditë e përcjellin.”Gjeneratat e reja do të kenë mundësi që përmbledhjet e këtyre dy autorëve t`i sistemojnë në një dosje dhe të njihen me të gjitha ato polemika, argumente profesionale që ofrojnë autorët në teorinë e shtetëndërtimit të Kosovës, respektimin e ligjeve dhe sovranitetin shtetëror”.
Sabedini tha se me të drejtë mund të quhet si një libër publicistik që i referohet aktualitetit dhe sfidave shtetformuese.
Sabedini tha se libri është i ndarë në dy pjesë: pjesa e parë ku pasqyrohen analizat, intervistat, vështrimet, aktivitetet, ekspertizat dhe pjesëmarrja në punëtori të ndryshme nga këndvështrimi i autorit Flkamur Hyseni, i cili ka ofruar zgjidhje të problemeve në kuptimin profesional, akademik e shkencor, derisa në pjesën e dytë janë analizat e vështrimet e Burim Halitit i cili ka ofruar zgjidhje të çështjeve nga këndvështrimi juridiko – financiar.
Flamur Hyseni e Burim Haliti para pjesëmarrësve të shumtë thanë se ata janë përpjekur që të ofrojnë zgjidhje të problemeve të mëdha nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë në vitet 204-2015, si kriza politike, ngërçi institucional, mos funksionimi i mekanizmave shtetëror, çështje kushtetuese dhe politike, mos zhvillimi ekonomik i vendit etj.
Në këtë promovim ka folur edhe Demir Krasniqi e interesim kanë shprehur edhe studentët e pranishëm./rajonipress/


