RCCOLA

Promovohet libri me tregime “Fundi i heshtjes “ i autorit Muhamet Halili

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Të shtunën në Gjilan, nën udhëheqjen e Tahir Arifit, e në praninë e dashamirësve të artit letrar, është bërë promovimi i librit të parë, përmbledhje tregimesh “Fundi i heshtjes “ i autorit Muhamet Halili. Me këtë rast, Sabit Rrustemi – redaktor i librit ka thënë se Halili befason këndshëm lexuesin dhe letërsinë tonë, jo pse e “tradhton” kohë pas kohe profesionin e gazetarit dhe, shkruan tregime, po pse, me tregimet e para, sinjalizon se po vjen me një frymë të re, me një llojllojshmëri temash të paprekura të përditshmërisë tonë dhe, dosido edhe me një vlerë të re.

Rrustemi tha se në njëzet tregimet, të cilat janë koncipuar në katër cikle, Halili portretizon përmes një rrëfimi të rrjedhshëm përditshmërinë tonë, atë përditshmëri të cilën, nga çasti në çast e jetojmë por, harrojmë për ta nxënë, duke e pritur çastin që ende s’e kemi jetuar.

“Përmes një ironizimi të hollë, një humori që është dhe vetë brenda kësaj përditshmërie, Halili, jo vetëm që shfaqi përkushtimin dhe talentin e duhur të një prozatori, por edhe paralajmëron se kjo është vetëm nisma e tij drejt një fushe që e jetojmë dhe nuk e shprushim sa duhet” , ka thënë Rrustemi.

Imer Topanica – recensent ka thënë se autori i këtyre tregimeve, jep një pasqyrim besnik, botës sonë shpirtërore. Ai depërton mjeshtërisht në psikologjinë dhe mendësinë tonë, duke skalitur portretin tonë, me të gjitha ngjyrat e nevojshme.

“Ky libër të jep ndjesinë sikur je para një ekspozite fotografish, dhe aty për aty po përballesh me një kolazh të përzgjedhur temash, portretesh, karakteresh, peizazhesh nga bota e pasur e vendlindjes së tij. Me një stil të butë, të rrjedhshëm, rrëfimi i tij ngarend që nga bota infantile deri tek ashpërsia e botës së të rriturve” ka thënë Topanica.

Avni Rudaku – recensent tjetër i këtij libri nuk ishte fizikisht prezentë, por në fjalinë e tij, të cilën e lexoi Kimete Ibrahimi, është thënë se tregimet e Muhamet Halilit janë atraktive për nga vetë kreativiteti në tregime, vijnë nga përvoja e gazetarit shumëvjeçar në terren, vijnë me një mënyrë të re rrëfimi, me ironi e satirë të pasur, duke goditur disa struktura tradicionale të shoqërisë shqiptare, por edhe sidomos thumbon elitat drejtuese në vendimmarrje.

“Vlerësoj se tregimet e këtij stili të rrëfimit të Halilit do të shtojnë durimin e lexuesit, sepse prekin realitete të cilat sapo kanë ndodhur dhe janë shfaqur, e për të cilat lexuesit kërkojnë tregimtarë që përthekojnë këto realitete, sa më besueshëm dhe sa më letrarisht!”, thuhet në fjalimin e Rudakut.

Uji Dea

Sipas tij, përmbajtja e tregimeve të Halilit sillet rreth temave mbi mentalitetin dhe besimet popullore, të cilat në formë bestytnie religjioze apo supersticioziteti në përgjithësi, arrijnë vetëm të riforcohen në kushte të vështirësive sociale dhe ekonomike sikur në vendin tonë. Kod tjetër tematik substancial mbetet kritika përmes ironisë e satirës, duke kritikuar mënyrën se si u bënë disa shtresa shoqërore të pasura, se si disa biznesmenë u bënë të tillë nëpërmjet lidhjes me politikanët e korruptuar, duke satirizuar deri në skajshmëri këtë aleancë që shfrytëzon tranzicionin e vonuar shoqëror, mungesën e sundimit të ligjit, etj.

Arsim Halili, poet dhe eseist ka thënë se autori me këtë libër ka sjellë inovacione krijuese ku tregimet e tij janë të përshkuara nga një narracion origjinal. Në këtë libër vijnë në pah dy realitete, realiteti jetësor dhe letrar, ku në qendër ka njeriun.

Rexhep Kadriu, nënkryetar i komunës ka vlerësuar lartë librin “Fundi i heshtjes” të autorit Muhamet Halili, duke thënë se ai me këtë libër e ka thyer heshtjen, ka sjellë një libër të mirë, dhe se libra të tillë, sipas tij, do të gjejnë përherë mbështetje tek institucionet komunale.

Muhamet Halili, autor i librit ka falënderuar të pranishmit, por edhe të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar që ky libër të sheh dritën e botimit, Ai vlerësoi se libri “Fundi i heshtjes”, është një libër më ndryshe, është një vlerë, e një frymë e re. “Janë tregime që vënë në thumb atë pjesë të stërkequr, që tani më, fatkeqësisht, është bërë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë, ku antivlera merret për vlerë, e mira dhe e keqja, e drejta dhe e padrejta… ngatërrohen e ndërrojnë vende.

Ai tha se përmes fjalës artistike, ka bërë përpjekje , për të përçuar një mesazh tek të gjitha shtresat e shoqërisë, që të rezonojnë më ndryshe, dhe të mos qëndrojnë indiferent ndaj të ardhmes së tyre, ndaj të ardhmes së vendit.

Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë edhe me krijime tjera, duke bërë të ditur se në dorëshkrim ka tashmë edhe librin e tij të dytë.

Ndryshe, libri “Fundi i heshtjes”, është botuar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” e mbështetur financiarisht nga Zyra e Kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe Farmacia “Iris Illirica”. /rajonipress/