Promovim mbi fatkeqësi
Nga Naser Sertolli – Sigurisht edhe juve, lexues të nderuar, u është kujtuar vetë presidenti i Amerikës, Barack Obama, kur para tre ditësh patë presidenten tonë të nderuar, Atifete Jahjagën, dhe kryeministrin tonë, edhe më të nderuar, Hashim Thaçin, tek shfaqeshin triumfalisht para kamerave kur u kthye në atdhe vogëlushi fatkeq Erion Zena, i cili falë çmendurisë së babait të tij u gjend në vorbullën e luftës në Siri.
Sikur ditën e 2 majit 2011, kur nga Shtëpia e Bardhë presidenti Obama botës i jepte lajmin për përfundimin e suksesshëm të operacionit për likuidimin e kryeterroristit aq të kërkuar, Osama Bin Ladenit, paria jonë, pa aspak modesti e konsideratë, as për fëmijën fatkeq e as për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, shpërfaqi nevojën e pafrenueshme të vogëlsisë për vetëpromovim.
Edhe nëse vërtet AKI-ja ishte ajo që realizoi operacionin e kthimit të fëmijës pranë së ëmës, po të ishte veç pak më profesionale, jo vetëm që nuk do ta bënte publike këtë, por do të mohonte çdo implikim edhe nëse dikush e përflet.
Për t’u dukur si Obama, dy të parët e shtetit, presidentja e kryeministri, si të ishin vetë pronarët e AKI-së, pa asnjë konsideratë dekonspirojnë agjencinë me krekosje primitive, duke rrezikuar edhe jetët e personave të përfshirë, nëse vërtet kthimi i fëmijës ishte vepër e tyre.
Si të ishte një operacion i nxjerrjes së ndonjë fatkeqi që kishte rënë në valët e lumit, kryeministri falënderon shpëtimtarët që mundësuan kthimin e tetëvjeçarit.
“Thirrjet e nënës për t’ia kthyer të birin nga vija e luftës kishin prekur zemrat e çdo qytetari të Kosovës”, thotë kryeministri kryelartë dhe, si prijës i vërtetë popullor, që ndan hallin me popullin, na e përkujton se “shqetësimin e qytetarëve e ndanë edhe institucionet e Kosovës që u angazhuan për largimin e fëmijës nga rreziku i luftës në sigurinë e prehrit të nënës”. Shumë prekëse, a po jo. Si në kohëra të Xhaxhit.
“Sot jemi të lumtur të mësojmë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës, pasi është autorizuar të ndërmarrë operacion për kthimin e sigurt të Erionit, ka përmbushur me sukses këtë mision duke lokalizuar, gjetur dhe duke organizuar kthimin e tij”, na thotë i pari i Qeverisë në detyrë dhe, normalisht, si ia do rendi, falënderon AKI-në për profesionalizmin dhe efikasitetin e dëshmuar në operacion.
Presidentja Jahjaga, si modeste që është, nuk i merr krejt meritat për vete, por me zemërgjerësi thotë se në bashkërendim me kryeministrin e kanë autorizuar operacionin e AKI-së për të gjetur dhe sjellë në shtëpi fëmijën. Me popullizmin që nuk është se e ka karakterizuar, ajo në emër të qytetarëve dhe institucioneve të vendit, falënderon “burrat dhe gratë e renditur pranë Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për devotshmërinë dhe profesionalizimin që kanë treguar për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës përkundër vështirësive dhe rreziqeve që ka bartur një operacion i tillë”.
Prekëse, vërtet. Bravooooo! Rroftë Presidentja! Rroftë Kryeministri!, do të brohoriste turma kooperativiste, pak dekada më parë.
Megjithatë lëvdatat e duartrokitjet nga laikët që nuk marrin vesh nga punë të tilla të ndjeshme të agjencive inteligjente, nuk munguan.
Se ata që sadopak marrin vesh nga këto punë do të tmerroheshin nga një operacion i tillë i “suksesshëm” dhe vetëpromovimi provincial i parisë së shtetit. Sidomos kur për zhvillimin e tij, dorën në zemër, gazeta ka pasur informacion hiç më pak se një javë para se Erioni të kthehej në Prishtinë.
“Fali o Zot, se nuk dinë çka bëjnë!”, do të thoshte dikush për Presidenten e Kryeministrin. Por për drejtorin e AKI-së që lejoi një skandal të tillë, nuk ka arsyetim.
“Mos e fal o Zot!”, se drejtori s’ka mundësi të mos e dijë çka po bën duke lejuar promovime të tilla nga dy zyrtarët më të lartë, që sillen kështu me AKI-në, si të ishte pronë personale e tyre.


