Prokurorisë Speciale i duhet edhe Gjykata Speciale
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se ndalja e skenës së mafiozëve është një punë sa e madhe aq edhe e vështirë, ngase sipas tyre është theksuar se pushteti shtetëror në të gjitha fushat është kapur nga krimi dhe korrupsioni dhe se mekanizmat kryesorë për këtë punë të lartë dhe detyrë shtetërore janë të dobët ose të korruptuar dhe të shantazhuar.
Por, si të ndërpritet ky funksionim i drejtësisë kosovare, kryesisht përmes sekserëve, të cilët dyshohet se marrin paratë e korrupsionit e që shpërndahen më pastaj në raste të caktuara tek gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, avokatet etj. Se si të ndalet kjo skemë mafioze që e rrënoi drejtësinë kosovare dhe faktin se çka po pret Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) që financohet nga shteti, Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës është prokurori pa mision të qartë, duke shtuar se ajo prokurori është e panevojshme. “Në cilat gjykata trajtohen rastet e ngritura nga kjo prokurori? Në gjykatat e rregullta!!! Nëse kemi Prokurori Speciale duhet të ketë edhe Gjykatë Speciale, që do t’i trajtonte rastet- aktakuzat e Prokurorisë Speciale. Rrethi duhet mbyllur. Politika e ka formuar këtë prokurori për të krijuar përshtypjen se po hetohen rastet e veçanta, po cilat raste janë ato, fillim hetimesh me pompozitet, ngritje e ndonjë aktakuze dhe fund. Asnjë aktgjykim nga aktakuzat e ngritura nga kjo prokurori”, është shprehur ai.
“Prokuroria Speciale i kushton shumë buxhetit të vendit”
Preteni ka theksuar se Prokuroria Speciale i kushton shumë buxhetit të vendit, ndërsa pagat e prokurorëve specialë janë shumë më të larta se të prokurorëve në prokuroritë e rregullta.”Është edhe një problem shumë i madh, Prokuroritë Themelore kanë pak prokurorë, kurse Prokuroria e Apelit dhe sidomos Prokuroria e Shtetit ka shumë prokurorë dhe shumë pak punë, Prokuroritë Themelore duhet të fuqizohen me prokurorë që do të kalonin nga Prokuroria e Apelit, Prokuroria e Shtetit dhe Prokuroria Speciale, kjo e fundit nuk duhet të ekzistojë. Mjafton që në Prokuroritë Themelore të ketë departamente të veçanta që do t’i trajtonin rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit kurse në Gjykatat Themelore gjithashtu duhet të ketë departamente që do t’i trajtonin rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Definitivisht politika në Kosovë ka krijuar shumë mekanizma hetues, qëllimi është që të krijohet huti dhe mjegull, e ujku do mjegull”, u shpreh për “Kosova Sot” Hasan Preteni nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet.
Kelmendi: Politika duhet të spastrohet nga njerëzit me të kaluar kriminale, mafioze e korruptive
Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë se ndalja e skenës së mafiozëve është një punë sa e madhe aq edhe e vështirë, ngase siç tha është theksuar se pushteti shtetëror në të gjitha fushat është kapur nga krimi dhe korrupsioni dhe se mekanizmat kryesorë për këtë punë të lartë dhe detyrë shtetërore janë të dobët ose vetë të korruptuar, ndoshta edhe vetëm të shantazhuar. “Në këtë gjendje dalin disa punë të mëdha që duhet të ndërmerren, që të kemi çlirim të pushtetit nga dukuritë mafioze: Së pari, largimin nga detyrat, qoftë në politike, qoftë në sistemin mafioz ekonomik, qoftë të firmave publike, deri tek policia, prokuroria e gjykatat e të gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetër kanë qenë në shërbim të dhunës kriminale serbe. Kjo për faktin se këta nga frika e kaluar shumë lehtë shantazhohen dhe vihen në shërbim të mafisë ekonomike dhe politike. Së dyti, spastrimin e politikës nga njerëzit me të kaluar kriminale, mafioze e korruptive, duke bërë zëvendësimin e tyre me subjekte të shëndosha. Së treti, spastrimi i agjencive publike dhe shtetërore nga figurat frikësuese dhe të nënshtruara. Së katërti, ndërrimin e tërësishëm të KPK-së dhe të KGJK-së dhe vërja e këtyre dy këshillave nën kontrollin e Parlamentit. Së pesti spastrimin e Policisë nga kolonelët, majorët etj., që në një mënyrë apo tjetrën, ishin dhe vijnë nga pozitat e dyshimta. Së gjashti, kontrollim total të privatizimit dhe të firmave ekonomike të cilat për çdo ditë kryejnë vepra të ndryshme penale dhe së shtati, dënimin me burg të të gjithë kriminelëve dhe mafiozëve”, është shprehur profesori Muhamet Kelmendi. Sipas tij, duke vepruar kështu hapet edhe perspektiva për shërim të shoqërisë dhe ndërtohet një shtet ligjor./kosova sot/


