Prokuroria zmbrapset në Dubravë

I burgosuri në Burgun e Dubravës N.N. mbrëmjen e së enjtes me t’u kthyer nga vikendi që kishte shfrytëzuar (i lejuar meqë ka përfunduar gjysmën e dënimit) kishte përpi një dozë të drogës duke tentuar që ta fuste në burgun e Dubravës. Ai është zbuluar me t’u futur në skaner.
“Ai e ka shfrytëzuar vikendin dhe kur është kthyer nga oficerët e burgut dhe me ndihmën e skenerit është zbuluar se ai i dënuar kishte drogë në bark që e kishte përpirë”, ka bërë të ditur drejtori i Dubravës, Rasim Selmani. Ai ka treguar për “Zëri” se të burgosurit mundohen të shfrytëzojnë çdo mundësi, teksa konfirmon këtë ngjarje të ketë ndodhur të enjten e javës së kaluar.
Jo vetëm të burgosurit por edhe familjarët e tyre tentojnë në forma më të pazakonshme të fusin gjësende ilegale në burg.
“Kemi hasur në familjar që ka pasur në gojë kartelë telefoni”, thotë më tutje drejtori.
Ndaj personave të tillë, qendra korrektuese merr masa ndonëse nuk janë të shpeshta identifikimet e këtyre rasteve.
Edhe ndaj gardianëve që dyshohet se kanë kryer vepra penale gjatë ushtrimit të detyrës së tyre merren masa. Pavarësisht që numri i gardianëve që dyshohet se kryejnë kontrabandë brenda burgut është shumë më i madh drejtori Rasim Selmani thotë se për shtatë muaj që nga koha kur ka ardhur në drejtori, katër informacione për katër gardian të burgut i ka adresuar në polici. Por edhe në të kaluarën, janë identifikuar raste të tilla dhe si të tilla janë proceduar në prokurori.
J.M. gardian në burgun e Dubravës më 28 mars të vitit 2012 ishte zënë teksa po tentonte të fuste një sasi të vogël droge në pavilonin me numër 4 dhe atë drogën e kishte futur në një pako cigare. Ky rast dhe rastet e gjithsej nëntë personave të tjerë që dyshohen se kanë kryer vepra penale gjenden në prokurorinë e Pejës e cila është kompetente edhe për regjionin e Istogut, ku gjendet edhe Dubrava.
Kryeprokurori i kësaj prokurorie Agron Galani ka njoftuar për gazetën se në tri vitet e fundit janë gjithsej 10 persona të përfshirë në gjithsej 5 raste që dyshohen për parregullsi dhe kryerje të veprave penale në Dubravë.
Disa nga to, sipas tij janë përfunduar dhe të tjerat janë nën hetime. Veprat penale që i heton prokuroria e që dyshohen se janë kryer nga individë brenda për brenda burgut kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës zyrtare, me sulm ndaj personit zyrtar por edhe me mbajtje nën kontroll të paautorizuar të armëve.
Por në prokurorinë e Pejës nuk jepen detaje në lidhje me hetimet e deritashme që janë zhvilluar rreth gjetjes së dy armëve në pavilonin e rrezikshmërisë së partë në Burgun e Dubravës dhe atë, një në këtë muaj e një në muajin mars të këtij viti.
Dy armë janë gjetur ndërsa askush deri më tani nuk është përgjegjës për futjen e tyre në burg. Nga burime të gazetës, punonjës të burgut janë të dyshuar se për përfitime të ndryshme kanë ndihmuar të burgosur që të futin gjësende në burg. Se ka kontrabandë të tillë por edhe korrupsion e kanë konfirmuar për gazetën edhe drejtori i burgut Rasim Selmani por edhe shefi i njësisë korrektuese në EULEX Stephen Johnson.
Një gjë të tillë e thotë edhe vetë ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi i cili thotë se në vazhdimësi ka kërkuar punë më të madhe të organeve të ndjekjes në këtë drejtim. Pas shkrimeve në gazetën “Zëri”, në dy ditët e fundit në lidhje me kontrabandën në këtë burg, Kuqi është zotuar se ka kërkuar analizimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme./zeri/