Prokuroria Themelore ngrit aktakuzë kundër Xhevat Bislimit

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti për krime të rënda ka ngritur aktakuzë kundër Xhevat Bislimit e Abdullah Eminit të dyshuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ish nënkryetari i Komunës së Vitisë Xhevat Bislimi akuzohet zyrtarisht nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Departamenti për krime të rënda në Prokurorinë Themelore të Gjilanit pos Xhevat Bislimit , aktakuzë ka ngritur edhe ndaj Abdullah Eminit zyrtar i prokurimit publik, raporton rajonipress.
Sipas aktakuzës të ngritur nga prokurori Afrim Shefkiu, Xhevat Bislimi në cilësi të nënkryetarit të komunës së Vitisë dhe Abdullah Emini në cilësi të zyrtarit të prokurimit publik më 26 janar 2009 kanë shpërdorë pozitën zyrtare dhe autorizimin në atë mënyrë që pa i respektuar procedurat e rregullta të tenderimit , me qëllim që zyrës projektuese “Geodezy- Projects”, me pronar Feriz Sinani, nga Vitia , t`i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, i pandehuri Xhevat Bislimi ka lidhur marrëveshje pune për hartimin e projektit për kanalizimin për ujërat fekal për rrugët “Flaka e Janarit”, “Elena Gjika”, “Iliria”, Hoxhë Jonuzi dhe një pjesë të shtratit të lumit “Morava e Binqës” dhe kanë lejuar pagesën e punëve të pa kryera ashtu që të njëjtit i kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm prej 3.028.20 euro, edhe pse Abdullah Emini si zyrtar i prokurimit ka qenë i obliguar që të ndalojë një veprim të tillë sepse me këso veprime Komunës së Vitisë i ka shkaktuar dëm material thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzë përshkruhet edhe deklarata e Xhevat Bislimit i cili e ka mohuar veprimin inkriminues.
Bislimi ka thënë se e ka nënshkruar atë marrëveshje në emër të kryetarit të komunës Nexhmedin Arifi me të vetmin qëllim që të mos ngecen punët përkatësisht që të mos humben donacionet.
Bislimi ka thënë se barra e përgjegjësisë nuk duhet të bije mbi të, por ajo duhet të kërkohet tek zyra e prokurimit dhe zyra ligjore, ku edhe i ka konsultuar të njëjtat para se të nënshkruaj dokumentin , ku i është thënë se gjithçka është në rregull.
Por kështu nuk ka menduar as Nexhmedin Arifi dëshmitar e as Riza Blakaj ekspert financiar.
Dëshmitari Nexhmedin Arifi ka thënë se nuk ka pasur njohuri rreth kësaj marrëveshje dhe se për të njëjtën ka kuptuar tek pasi kanë filluar hetimet.
Kurse eksperti financiar Riza Blakaj ka thënë se në rastin konkret nuk janë përfillur dispozitat e prokurimit për çka edhe kemi dëmtim të buxhetit komunal./rajonipress/