ARKATANA

Prokuroria Themelore në Gjilan ngre 12 aktakuza brenda 24 orëve, dominojnë rastet e narkotikëve

/ 1 minutë lexim
Mobi Casa

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka intensifikuar veprimtarinë e saj penale, duke ngritur gjithsej 12 aktakuza ndaj 12 personave gjatë 24 orëve të fundit për vepra të ndryshme penale, që përfshijnë narkotikët, dhunën në familje, kanosjen, ndërtimin pa leje dhe dëmtimin e pasurisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, katër aktakuza janë ngritur për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, duke e bërë këtë kategorinë më të shpeshtë të rasteve të proceduara.

Uji Dea

Po ashtu, janë ngritur dy aktakuza për veprën penale “Kanosje”, ndërsa nga një aktakuzë është ngritur për veprat penale “Vjedhje e shërbimeve”, “Ndërtimi pa leje”, “Lëndim i lehtë trupor”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, si dhe “Dhuna në familje”.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin e rasteve penale në përputhje me kompetencat ligjore, duke theksuar përkushtimin për ndjekjen e veprave penale dhe forcimin e sundimit të ligjit./rajonipress/