Prokuroria të tregojë dështakët antikorrupsion
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se prokuroria sikur nuk dëshiron t’i tregojë publikisht prokurorët që dështojnë në rastet antikorrupsion e krim të organizuar, dhe që bëjnë vetëm aktakuza sa për numër, teksa nuk merren me rastet serioze, që dihen edhe publikisht, derisa e tërë kjo, sipas tyre, pikërisht për të mos u diskredituar në publik.
Ata po ashtu thonë se prokuroritë e prokurorët sikur fatkeqësisht janë shndërruar në filiale të mafio-oligarkëve dhe mafiopolitikanëve në pushtet, derisa në ndërlidhje me ta dhe nga ndikimi i tyre sikur e kanë t’i përshtaten e t’i heshtin këto raste sesa t’i gjykojë e ndëshkojë drejtësia.
Ndaj është shtruar edhe çështja se si mund të tolerohet një veprim kaq i degraduar, i kundërligjshëm e kundërkushtetues, por edhe në kundërshtim me Konventën evropiane për të drejtat e liritë e njeriut?
Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se prokuroria sikur nuk dëshiron t’i tregojë publikisht prokurorët që dështojnë në rastet antikorrupsion dhe krim të organizuar, pikërisht për të mos u diskredituar në publik, por mbase, siç tha, dihen rastet serioze të krimit e korrupsionit edhe nga publiku që janë potencialisht për t’u gjykuar, por që, sipas tij, prokuroria hesht në këto raste.
Momenti i fundit për reforma të thella
Sipas Kelmendit, prokuroritë e prokurorët sikur fatkeqësisht janë shndërruar në filiale të mafio-oligarkëve dhe mafio-politikanëve në pushtet, derisa në ndërlidhje me ta dhe nga ndikimi i tyre sikur e kanë t’i përshtatin e t’i heshtin këto raste sesa t’i gjykojë e ndëshkojë drejtësia. “Por, mbase kështu ndodh edhe trafikimi i drejtësisë nga këta prokurorë, sepse duket se këta mafio-oligarkët paguajnë për t’i bllokuar lëndët dhe kështu atyre u kalojnë afatet ligjore të gjykimit dhe më pas edhe harrohen fare, derisa ky është një degradim i sistemit të drejtësisë dhe për këtë sikur ka pasur edhe vërejtje nga Komisioni Evropian, por edhe në mungesë të llogaridhënies sistemi i drejtësisë ka rënë në gjendjen, në të cilën gjendet e që nuk është aspak e mirë, ngase sot kësaj drejtësie i ka humbur besimi i qytetarit”, ka theksuar ai. “Është koha e fundit që në sistemin e drejtësisë duhet të ndodhin reforma për të krijuar më pas një drejtësi kredibile e një sistem drejtësie të besueshëm dhe kredibil, por që njëherësh është në gjendje që të ndjekë krimin e organizuar sikur dhe në të vërtetë veprojnë edhe gjykatat ndërkombëtare, pra për të arritur këtë standard ndërkombëtar të drejtësisë edhe në gjykatat e prokuroritë e Kosovës. Por, për të arritur këto standarde mbase në sistemin e drejtësisë duhet bërë ndërrime rrënjësore dhe krejt kjo me vullnetin e klasës politike për të krijuar një shtet funksional të së drejtës dhe në funksion të ligjit, ku s’do të ketë askush mundësinë të ndërhyjë në vendimet e Gjyqësorit dhe prokurorisë, as edhe mafio-oligarkia politike dhe grupet e tjera të interesit”, u shpreh analisti Naim Kelmendi. /kosova sot/


