Prokuroria Speciale i ka ngritur vetëm 8 aktakuza kundër 28 personave

Duke iu referuar raporteve të fundvitit të punës së institucioneve të sundimit të ligjit, Prokurorisë dhe Gjykatave, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se po dështon shteti i Kosovës. Kjo gjendje, sipas analistëve dhe ekspertëve, tregon se përfundimisht po shihet dorëzimi i prokurorisë, e sidomos PSRK-së kompetente me ligj për luftën kundër korrupsionit.
“A ka provë më të keqe dhe dëshpëruese kur ata alamet prokurorësh raportojnë se në vitin 2017 i kanë ngritur 76 aktakuza kundër 106 personave të nivelit të lartë, se Prokuroria Speciale i ka ngritur, besoni apo jo, vetëm 8 aktakuza kundër 28 personave?!… Me këta zyrtarë është iluzore të priten rezultate, pasi këta kanë lidhur pakte të heshtura me politikën. Politika saktësisht e di se çka bëjnë këta dhe u ndihmon këtyre, kurse këtë politikës ia kthejnë me heshtje dhe mospunë. Nuk është trajtuar asnjë rast me peshë, asnjë ‘peshk i madh’. Për të zënë një ‘peshk të madh’ duhet hyrë më thellë në ujë, e këta nuk hyjnë thellë, sepse humbin kohë dhe nuk mund t’i zënë punët e tjera. Ky është pakti joparimor”, thotë për gazetën “Kosova Sot” i mirëinformuari ish-drejtor i Antikorrupsionit Hasan Preteni.
Duke iu referuar raporteve të fundvitit të punës së institucioneve të sundimit të ligjit, Prokurorisë dhe Gjykatave, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se po dështon shteti i Kosovës. Kjo gjendje, sipas analistëve dhe ekspertëve, tregon se përfundimisht po shihet dorëzimi i prokurorisë, e sidomos PSRK-së kompetente me ligj për luftën kundër korrupsionit. Këtë e dëshmoi edhe e pranoi edhe vetë Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i Shtetit, i cili konstatoi gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës se nuk janë punët mirë në luftën kundër korrupsionit dhe jo vetëm kaq. Organi i akuzës mund të servojë statistika të bollshme mashtruese për të justifikuar veten, por e vërteta është se të korruptuarit me mbështetjen e prokurorëve dhe kryeprokurorëve të dështuar po ia hedhin drejtësisë, e sidomos ata që njihen si “peshqit e mëdhenj” të niveleve të larta të politikës dhe mafio-politikës në hije. Më këtë gjendje mund të konstatohet me të drejtë se janë vetë prokurorët ata që po e bojkotojnë e sabotojnë punën e prokurorisë, prokurorët e dëgjueshëm të politikës brenda sistemit, të cilët nuk duan të futen në konflikt me qeveritarët e zyrtarët e tjerë të pushtetit të inkriminuar. Kjo nuk është hera e parë që kryeprokurori i Shtetit e pranon publikisht se korrupsioni dhe krimi nuk janë duke u luftuar sa e si duhet, prandaj ,sipas analistëve, edhe ka ardhur koha që nga deklaratat ai të kalojë në propozimin e masave konkrete, madje edhe të flasë me emra dhe mbiemra se kush nga kryeprokurorët dhe prokurorët po e saboton betejën antikorrupsion në radhët e sistemit të drejtësisë.
PRETENI: KRYETARI I GJYKATËS SUPREME FLET NË NJË BISEDË ME NJË OJQ SE POLICIA I SHKATËRRON PROVAT
Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tani drejtor ekzekutiv për Etikë, Transparencë dhe Integritet, thotë se ka shumë dështime kapitale, por dështimi më i fuqishëm është dështimi për të dhënë drejtësi, dhe këtu nuk ka asnjë element pozitiv. “Në një anë kemi prokurorë dhe policë hetues me paga të mira, me kontrata të përhershme, me privilegje jetësore, me punësime familjare, me shumë vende pune, me diploma pa mbulesë, me pasuri të patundshme marramendëse dhe me shumë gjëra negative, të cilat u rrinë mbi kokë dhe bëhen pengesë e realizimit të misionit të tyre. Me këta zyrtarë është iluzore të priten rezultate, pasi këta kanë lidhur pakte të heshtura me politikën. Politika saktësisht e di se çka bëjnë këta dhe u ndihmon këtyre, kurse këta politikës ia kthejnë me heshtje dhe mospunë. Nuk është trajtuar asnjë rast me peshë, asnjë ‘peshk i madh’, për të zënë një ‘peshk të madh’ duhet hyrë më thellë në ujë e këta nuk hyjnë thellë, sepse humbin kohë dhe nuk mund t’i zënë punët tjera. Ky është pakti joparimor”, theksoi Preteni për “Kosova Sot”. “A ka provë më të keqe dhe dëshpëruese kur ata alamet prokurorësh raportojnë se në vitin 2017 i kanë ngritur 76 aktakuza kundër 106 personave të nivelit të lartë, se Prokuroria Speciale i ka ngritur besoni apo jo vetëm 8 aktakuza kundër 28 personave, Prokuroria e Prishtinës, ku janë të vendosura të gjitha institucionet shtetërore, ka ngritur vetëm 30 aktakuza kundër 38 personave, Prokuroria e Prizrenit 7 aktakuza, Peja 8 aktakuza kundër 13 personave, Mitrovica 2 aktakuza kundër 2 personave, Gjakova si Mitrovica, Gjilani 15 aktakuza kundër 15 personave, Ferizaj 4 aktakuza kundër 11 personave. Po ku është problemi: Raportojnë se i kanë ngritur 76 aktakuza, por nuk tregojnë sa prokurorë janë që nuk e kanë ngritur asnjë aktakuzë, pohojnë se janë zyrtarë të lartë, po kush janë ata kush i njeh ata… Kosova është e vogël, e thotë një zyrtar i lartë i njohur për publikun e që është akuzuar për korrupsion”, shprehet Hasan Preteni.
Krejt ky dështim në të gjitha nivelet, sipas Pretenit, vjen për faktin se askund nuk ka vullnet, nuk ka dëshirë për punë serioze dhe nuk ka transparencë në raport me opinionin publik, derisa të gjitha veprimet e politikës në adresë të sundimit të ligjit janë kozmetike dhe me qëllim të krijimit të mjegullës.”Shtrohet pyetja këtu pse nuk kërkohet përgjegjësi për titullarët, të cilët flasin vetëm pas përfundimit të mandatit. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese e akuzon kryeprokurorin vetëm kur atakohet vetë, kryetari i Gjykatës Supreme flet në një bisedë me një OJQ se Policia i shkatërron provat. Nuk ka progres derisa nuk sigurohen kushtet që në vendet kyçe, në Kuvend, Qeveri, KGJK dhe KPK të vijnë persona me integritet dhe pa hipotekë të së kaluarës”, tha Preteni për “Kosova Sot”.
Problemi qëndron tek infiltrimi i thellë i politikës në sistemin e drejtësisë
Muhamet Kelmendi, prof. i së drejtës, thotë se vetëm duke i ndryshuar këshillat e tilla kompetente krijohet mundësia e fillimit të një rruge të ripërtëritjes së prokuroreve dhe të gjyqtarëve.”Veç kësaj, ka mundësi të ushtrohet një kontrollim më i mirë ndaj punës së këtyre institucioneve. Pra, ka mundësi që të zhvillohet një lloj Veting-u i përhershëm dhe i detajuar, i cili do të ndikonte në përmirësimin e sistemit të tillë juridik në vendin tonë”, u shpreh ai.
Kelmendi konsideron se një proces i tillë është bukur i vështirë që të bëhet.”Aktualisht po punohet në legjislacion. Njerëzit po mbesin të njëjtë. E dihet se me njerëz të njëjtë dhe të dyshimtë nuk rregullohet sistemi. Këtë duhet ta dijë edhe Qeveria. Por edhe ajo ka zgjedhur rrugën e bashkëpunimit me sistemin. Do të derdhen edhe shumë para dhe do të nxirren ligje, por nuk do të kemi përmirësim të gjendjes”, potencoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.
Eksperti tjetër i së drejtës, Blerim Burjani, shërimin e vetëm të sistemit të së drejtës e sheh tek depolitizimi, sepse edhe sipas tij fajin e ka infiltrimi i thellë i politikës në sistem.”Gjykatat dhe prokuroritë duhet të lirohen nga ndikimi dhe shtrëngimi politik, sepse deri më tash janë të shumta dyshimet që janë krijuar për këto institucione se janë krejtësisht politike”, u shpreh ai.”Ka indice të atilla që flasin për shumë gjyqtarë edhe prokurorë që kanë pasur edhe oferta për kandidim nëpër zgjedhje, edhe për poste politike. Ky është vetëm një tregues se mund të ketë edhe gjëra tjera, të tëra politike, të ndërlidhura në sistemin e drejtësisë, ndonëse kuptohet që në këtë periudhë kohore është vështirë të lirohet me aq shpejtësi ky sistem nga ndikimet politike dhe njerëzit e fuqishëm që janë të lidhur me politikën dhe në qeverisje. Pra, pa ndryshim në qeverisje nuk ka sistem të drejtësisë të pavarur”, tha Burjani për “Kosova Sot”.
VETTING-u i njëmendtë, shpresa e vetme për vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit
Analisti politik Dardan Grapci vlerëson se janë shumë shqetësuese raportet e institucioneve të sundimit të ligjit që flasin për dështimin e shtetit të së drejtës në Kosovë dhe kjo sipas tij nisi që nga ditët e para të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.”Sundimi i ligjit ka dështuar në disa fusha 100%, siç janë: Mbrojtja e dëshmitarëve, sigurimi i provave, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjaqet familjare ku sot e asaj dite askush s’po përpiqet me ndalu njëherë e përgjithmonë gjakmarrjet në familje etj”, theksoi Grapci.”Duhet shumë punë për t’u bërë që kjo gjeneratë e brishtë, e cila e ka shkatërruar Kosovën materialisht dhe ekonomikisht, të largohet nga skena politike dhe nga skena e krimit të organizuar, por për të ndodhur kjo duhet që gjykatat dhe Policia e Kosovës të bëjnë përpjekje për ndjekjen e personave publikë dhe t’i fusin në burg”, tha Grapci për “Kosova Sot”.
Analisti Gani Qarri gishtin e fajësisë për këtë dështim ia drejton edhe vetë kryeprokurorit Lumezi, por duke mos përjashtuar gjendjen e rëndë të kapjes së sistemit nga politika. “Edhe nëse ne nuk duam të shohim as numërojmë asnjë nga dështimet e tjera të veçanta të prokurorisë dhe gjyqësisë në vend, të nisemi vetëm nga raportet e vet institucioneve të sundimit të ligjit, të cilat flasin hapur se shteti i së drejtës ka dështuar plotësisht në Kosovë dhe kjo duhet të jetë më tepër se e mjaftueshme dhe alarmojë të gjitha organet relevante të vendit, si dhe vetë qytetarët kudo, se ka ardhur koha që një VETTING i njëmendet, tashmë është i pamënjanueshëm, si shpresa e vetme për vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit, para se të dorëzohen edhe pjesët e shëndosha të prokurorisë dhe sidomos PSRK- si kompetente, për çuarjen përpara të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh ai.”Mjerisht gjendja ka shkuar deri aty saqë megjithëse organi i akuzës mund të prodhojë statistika të nduarnduarta mashtruese për të justifikuar vetveten, por e vërteta është se të korruptuarit me mbështetjen e vet prokurorëve dhe kryeprokurorëve të dështuar po ia hedhin fajet “drejtësisë”, e cila pothuajse në vendin tonë ekziston vetëm si emër, veprimet e së cilës nuk shihen askund, sidomos kur janë pyetje ata që njihen si “peshqit e mëdhenj” dhe zyrtarët e niveleve të larta të politikës dhe mafio-politikës në vend, të cilët nuk guxon t’i hetojë as t’i shqetësojë askush”, potencoi Qarri për “Kosova Sot”.
Ndërsa analisti Mustafë Kadriaj thotë se ankesat e Prokurorisë në fundvit janë vetëm një përpjekje e paarsyeshme për shfajësim, prandaj është koha e fundit për ndryshime në sistem në mënyrë që në pozitat kyçe të vijnë prokurorë të guximshëm që nuk i mungojnë Kosovës.”Duke u bazuar në performancën e dobët të Prokurorisë së Shtetit Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për prokurorë të dinjitetshëm, që vendosin pa u ndikuar nga politika ditore, siç jemi mësuar të shohim deri më tani. Mendoj që raporti i kryeprokurorit ishte raport i dorëzimit dhe i shfajësimit, sepse Prokuroria e Kosovës i ka duart e lidhura dhe njëherësh vetë kryeprokurori dyshohet për edukimin e tij profesional, si dhe i vendosur në atë post nga afera ‘Pronto’, gjë që kjo bën që mos të ketë sukses në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.
Sipas tij, duke performuar si institucion shumë i dobët, që ka humbur edhe besimin tek qytetarët dhe opinioni i gjerë, partnerët ndërkombëtarë po japin vërejtje duke e cilësuar si institucion që nuk po i kryen detyrat e veta ligjore dhe kushtetuese. Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigjje lidhur me çështjet që është pyetur.
(Kosova Sot)