Hidromorava

Prokuroria i do “brenda” Bukoshin e Tolajn

/ 4 minuta lexim

Në dyzet faqe të shkruara, prokurorja speciale Maria Bamieh ka renditur bëmat e Bujar Bukoshit, Ilir Tolajt e të pesë të akuzuarve të tjerë që po ashtu kanë qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa ka kërkuar që të akuzuarit të dënohen sipas dispozitave ligjore.

Në fjalën e saj përfundimtare të dhënë të enjten para trupit gjykues të Gjykatës Themelore, prokurorja Bamieh ka kërkuar dënim për Bujar Bukoshin, Ilir Tolaj, Arbenita Pajazitin, Ismet Hysenin, Zenel Kuqin, Hajrullah Fejzën e Bekim Fushën, duke e cilësuar rastin që e ka hetuar për disa si një nga rastet më të rënda në Kosovë.

“Ky është një nga rastet më të rënda të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës në Kosovë dhe një rast ku shpërdorimi ka prekur njerëzit më të varfër të cilët kanë mbetur pa barnat esenciale. Ky rast po ashtu, nxjerr në pah nepotizmin dhe aleancat politike që nuk kanë vend në asnjë shërbim civil të pavarur. Tregon se si ata që kanë pushtet, keqpërdorin atë pushtet për përfitim personal dhe për të ndikuar në anashkalimin nga ndjekja penale”, ka nisur prokurorja fjalën e saj përfundimtare pas dhjetëra seancave të mbajtura.

Duke u bazuar në keqpërdorimet që kanë bërë Bujar Bukoshi në cilësinë e ministrit të dikurshëm të Shëndetësisë, Ilir Tolaj në pozitën e sekretarit permanent në MSH, Arbenita Pajaziti në cilësinë e zyrtares farmaceutike e zyrtarët e tjerë, Maria Bamieh ka kërkuar dënim për të pandehurit duke pretenduar se kryerja e këtyre veprave penale është dëshmuar përmes provave dhe dëshmive që iu janë prezantuar gjykatës.

KKGJILAN

Kësisoj, prokurorja Maria Bamieh ka kërkuar nga trupi gjykues që të dënojë ish-ministrin e së fundi ish-kryeministrin Bujar Bukoshi për disa raste të shpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa Ilir Tolaj pos për shpërdorim të disahershëm të pozitës zyrtare, prokurorja ka kërkuar që i njëjti të dënohet edhe për tentim të shpërdorimit të pozitës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, shmangie nga tatimi si dhe për veprën penale pengim i të provuarit.

Prokurorja Bamieh ka kërkuar që ish-zyrtarja farmaceutike Arbenita Pajaziti të dënohet po ashtu për disa raste të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare. Për veprat e njëjta sikurse Pajaziti, prokurorja ka kërkuar që të dënohet edhe Ismet Hyseni. Për shpërdorim të pozitës zyrtare, prokurorja ka kërkuar që të dënohen edhe Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza e Bekim Fusha. Për këtë të fundit, prokurorja ka kërkuar dënim edhe për veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrave ngase i njëjti në këtë vepër ka bashkëpunuar me Tolajn. Për tërë këto vepra, prokurorja ka kërkuar që të dënohen të pandehurit ndërsa ka kërkuar nga trupi gjykues i përbërë nga vendorë e ndërkombëtarë, që t’i lexojë me vëmendje të gjitha përgjimet e bëra në këtë proces, përgjime përmes të cilave ishte munduar t’i jepej ryshfet për të mbyllur këtë rast, por edhe shumë tentime për ndikime në prova e dëshmitarë.

“Hirësia juaj, provat që Prokuroria ka propozuar në këtë gjykim, që janë administruar para panelit janë prova të padyshimta, të plota, të fuqishme dhe të besueshme. Dëshmitarët kanë dëshmuar para panelit. Ata janë të besueshëm, seriozë, tregimet e tyre kanë qenë tregim i njëjtë gjatë gjithë kësaj procedure shumë të gjatë nga hetimi deri në gjykim”, ka thënë prokurorja Bamieh. Dëshmitë e dokumentuara, sipas prokurores, flasin vetë dhe atë faturat e mallrave pa mall të pranuar, kontratat e panënshkruara, letrat e transferimit, raportet e përgjimet e telefonit.

“Në dritën e të gjitha provave të administruara, ne kërkojmë vendim fajësie dhe një dënim adekuat brenda kufijve të paraparë me ligj”, ka përfunduar prokurorja Bamieh fjalën e saj përfundimtare. Mbrojtësit e të akuzuarve kanë një javë afat që të përgatiten për fjalët e tyre përfundimtare ndërsa më 17 të këtij muaji, pritet që të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë.(zeri)