Prokuroria e Qarkut i pushon hetimet ndaj Nenad Cvetkoviqit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Prokuroria e Qarkut ka konstatuar se ndaj të pandehurve Nenad Cvetkoviq,Dejan Jociq,dhe Millivoje Jovanoviq nuk manifestohen veprimet inkriminuese për veprat penale , andaj edhe zyrtarisht i ka pushuar hetimet.

Prokuroria e Qarkut në Gjilan pasi ka shtjelluar provat, dhe ka dëgjuar dëshmitarët, ka pushuar zyrtarisht hetimet ndaj Nenad Cvetkoviqit kryetar i Komunës së Parteshit,Dejan Jociqit zëvendëskryetar i Parteshit dhe Millivoje Jovanoviqit drejtor i arsimit. Të gjithë këta të pandehur ishin dyshuar për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare ose i autorizimit” dhe “cenimi i të drejtave të punësimit apo papunësisë”.

Në aktvendimin e nënshkruar nga prokurori Shaban Spahiu thuhet se të pandehurit në deklaratat e tyre kanë mohuar veprat penale, duke mohuar se nuk ka pasur pranim të punëtorëve arsimor për vitin 2010-2011 dhe njëkohësisht duke mohuar se pranimi i punëtorëve është bërë në mënyrë të kundërligjshme,pa konkurs dhe pa procedura të punësimit,siç kanë pretenduar të dëmtuarit në kallëzimin penal.

Përgjegjësit e Komunës së Parteshit kanë sqaruar se konkursi për shkollat fillore dhe të mesme të Parteshit është bërë sipas kritereve të parapara nga Ministria e Arsimit dhe organet komunale të Parteshit. Madje drejtori i arsimit Millivoje Jovanoviq u ka sqaruar të gjithë aplikantëve se duhet t`i nënshtrohen konkursit sipas kritereve dhe kushteve që kanë paraparë organet e Republikës ë Kosovës, në të kundërtën atyre do tu ndërpriten kontratat.

Sipas Jovanoviqit drejtorët paralel që kanë qenë të emëruar nga institucionet e Republikës së Serbisë nuk i janë përgjigjur ftesës ,madje të njëjtit drejtor kanë ndikuar edhe tek një numër i madh i punëtorëve ekzistues të arsimit, që mos t`i nënshtrohen konkursit të shpallur nga organet e Kosovës.

Eco Higjiena

Sipas aktvendimit të Prokurorisë të pandehurit e kanë njoftuar edhe Ministrinë e Arsimit ,çka të njëjtit i kanë sugjeruar që të mos hiqen nga lista e pagave punëtorët që janë pranuar sipas konkursit të shpallur nga institucionet e Kosovës,e që janë penguar nga strukturat paralele të Serbisë,ndërsa ndërprerja e pagave është kërkuar të bëhet vetëm ndaj atyre të cilët i janë nënshtruar konkursit të shpallur nga institucionet e Kosovës e që gjerë me formimin e Komunës së re të Parteshit,janë financuar edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga buxheti i Serbisë.

Prokuroria vendimin për pushim të hetimeve e ka bazuar edhe nga dëshmitë e ofruara si nga palët e dëmtuara ashtu edhe nga dëshmitarët. Pretendimet e palëve të dëmtuara se nuk ka pasur konkurs të rregullt dhe se pranimi i punëtorëve është bërë në mënyrë të kundërligjshme janë kundërshtuar dhe hedhur poshtë edhe nga shumë palë të intervistuara.

Prokuroria e Qarkut duke pasur për bazë të gjitha veprimet e të pandehurve, ka vlerësuar se tek të njëjtit nuk manifestohen veprimet inkriminuese për veprat e ngarkuara,andaj zyrtarisht pushon hetimet thuhet në aktvendimin e prokurorit Shaban Spahiu.

Ndryshe ,Cvetkoviq,Jociq dhe Jovanoviq ishin akuzuar nga pesë shkolla fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën serbe. Cvetkoviq dyshohej se ka pranuar në punë mbi 123 punëtorë të cilët edhe pse janë pranuar në marrëdhënie të rregullt pune,të njëjtit nuk i kanë kryer detyrat ,por vetëm, janë futur në listën e pagave. /rajonipress/