Prokuroria e Gjilanit pushon hetimet ndaj Nexhmedin Arifit

Gjilan – Ish kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi i dyshuar për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar është liruar nga hetimet e mëtutjeshme pasiqë prokurori Afrim Shefkiu ka pushuar hetimet ndaj tij dhe gjashtë të dyshuarve të tjerë.
Prokuroria Themelore e Gjilanit, departamenti për krime të rënda ka pushuar hetimet në një rast të dyshuar ndaj Nexhmedin Arifit, Abdullah Eminit, Beshir Pira, Ridvan Ademi, Tahir Lubishtani, Zyrafete Bislimi dhe Naser Haziri të gjithë të dyshuar për veprën e penale “keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, raporton rajonipress.
Në aktvendimin e prokurorit Afrim Shefkiu thuhet se pushojnë hetimet ndaj të dyshuarve Nexhmedin Arifit, Abdullah Eminit, Beshir Pira, Ridvan Ademi, Tahir Lubishtani, Zyrafete Bislimi dhe Naser Haziri.
Sipas aktvendimit të gjithë të dyshuarit gjatë hetimeve kanë mohuar veprimet inkriminuese të veprave penale që i vihen në barrë me arsyetimin se kanë vepruar konform dispozitave të Ligjit të prokurimit publik dhe se nuk i është shkaktuar dëm komunës së Vitisë.
Prokuroria thuhet në vendim ka marrë për bazë edhe konstatimin e ekspertit të financave Riza Blakaj nga i cili rezulton se në veprimet e të dyshuarit Nexhmedin Arifi, lidhur me marrëveshjen për punën e nënshkruar në vitin 2009 me projektuesin Feriz Sinani, nuk është dëmtuar buxheti i Komunës.
Eksperti financiar ka sqaruar edhe veprimet e të dyshuarve , Abdullah Eminit, Beshir Pira, Ridvan Ademi, Tahir Lubishtani, Zyrafete Bislimi dhe Naser Haziri, rreth vlerësimit të ofertave të tenderit për rregullimin e kanalizimit të fshatrave Mogillë, e Verbovc etj.
Ndryshe ndaj Nexhmedin Arifit në Gjykatën Themelore të Gjilanit është duke u zhvilluar një proces gjyqësor i cili së bashku me Kabil Hajdarin akuzohen për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”. /rajonipress/