Prokuroria e Gjilanit heton pesë zyrtar të lartë të Kamenicës
Gjilan – Agjencioni Antikorrupsion i ka dorëzuar Prokurorisë Themelore në Gjilan një kallëzim penal kundër të dyshuarve Begzad Sinani, Shaip Surdulli, Rabit Halili, Xhavit Krasniqi dhe Muhamet Thaqi që të gjithë të dyshuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare” dhe “arkëtimi dhe pagesa e paligjshme”.
Prokuroria Themelore në Gjilan pasi ka marrë një kallëzim penal nga Agjencioni Antikorrupsion ka nisur hetimet kundër të dyshuarve Shaip Surdulli kryetar aktual i Kamenicës, Begzad Sinani ish kryetar i Kamenicës, Rabit Halili zyrtar financiar, Xhavit Krasniqi zyrtar dhe Muhamet Thaqi zyrtar komunal.
Në kallëzimin penal që e ka siguruar rajonipress brenda Agjencionit Antikorrupsion të gjithë këta zyrtarë të lartë të Kamenicës dyshohen për veprat penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “arkëtimi dhe pagesa e paligjshme”.
Në Prokurorin Themelore të Gjilanit prokurori i rastit Arben Kadriu ka konfirmuar për rajonipress se lënda kundër zyrtarëve të Kamenicës tani ka filluar të hetohet dhe se fillimisht është kërkuar mendimi i ekspertit financiar.
Në kallëzimin penal thuhet se Begzad Sinani dhe Shaip Surdulli si persona zyrtarë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për organizata të biznesit kanë tejkaluar kompetencat ashtu që në cilësinë e kryetarit të komunës Begzad Sinani gjatë viteve 2008-2009 dhe Shaip Surdulli gjatë vitit 2010, për realizimin e të hyrave komunale, përkundër përgjegjësive të kufizuara përmes drejtoratit për buxhet dhe financa kanë përcaktuar tatimet dhe pagesat e personave për licenca me shumën prej 24 mijë eurove, edhe pse kjo ka qenë kompetencë e komisionit për miniera.
Edhe për zyrtarët tjerë Xhavit Krasniqi , Rabit Halili e Muhamet Thaqi thuhet se si persona zyrtar gjatë periudhës 2008, 2009, 2010 kanë përcaktuar llogarinë e shumave të borxhit të tatimeve për personat , organizatat biznesore dhe të njëjtat i kanë arkëtuar dhe paguar për të qenë të obliguar ligjërisht./rajonipress/


