Prokuroria e Gjilanit heton 154 anëtarë të komisioneve zgjedhore
Gjilan – Ferid Shabani zyrtar i lartë ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor për Komunën e Gjilanit tha për rajonipress se Prokuroria Themelore e Gjilanit ka hetuar 22 – vendvotime ku prej tyre ka hetuar 154 anëtarë të qendrave të votimit, derisa ka ngritur aktakuza për 49 veta.
Prokuroria Themelore e Gjilanit i ka dërguar një listë Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ), me emrat e 154 anëtarëve të komisioneve zgjedhore të cilët në mënyra të ndryshme janë duke u hetuar nga kjo prokurori raporton rajonipress.
Ferid Shabani zyrtar i lartë ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor për Komunën e Gjilanit tha për rajonipress se në këtë listë të Prokurorisë figurojnë emrat e 154 anëtarëve të komisioneve zgjedhore që i përkasin partive politike si: PDK. LDK, AAK, LDD, AKR, KDTP, VV dhe FER.
Shabani tha se prej këtyre qendrave të votimeve në 7 prej tyre janë ngritur aktakuza (49), në 7 vendvotime është bërë grumbullimi i informatave dhe në 8 qendra të votimit janë mbledhur shënime zyrtare.
Shabani tha se KKZ i ka rekomanduar të gjitha partive politike që personat që janë nën hetime mundësisht të mos i nominojnë për anëtar të këshillave të votimit dhe për pozita të tjera të cilat i cakton KQZ-KKZ.
Ndryshe Shabani tha se me sistemin e ri nga 28 qendra të votimit sa ka pasur regjioni i Gjilanit tani janë shtuar edhe 5 qendra të reja duke ngritur numrin tyre në 33 qendra.
Risi tjetër nga ky institucion është edhe fakti së në vend të 41 këshilltarëve komunal sa ka pasur Asambleja e Gjilanit tani do t`i ketë 35./rajonipress/

