Prokuroria e Gjilanit e vendosur ta luftoj krimin e të gjitha llojeve

Gjilan – Kryeprokurori Jetish Maloku thotë për rajonipress se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, prostitucionit dhe dukurive tjera negative mbetet prioritet i kësaj prokurorie. Maloku thotë se është i kënaqur me punën e të gjithë prokurorëve dhe fakti se Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dhënë notë pozitive për këtë prokurori i jep edhe më shumë motiv për të kryer detyrat edhe me më shumë efikasitet.
Jetish Maloku ndihet komod kur flet për sukseset e Prokurorisë që ai e drejton në Gjilan. Raportet e instituteve në Prishtinë flasin për notë pozitive dhe punë efikase që ka bërë kjo prokuroria e Gjilanit viteve të fundit.
Maloku tha për rajonipress se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, grupeve kriminale, prostitucionit dhe dukurive tjera negative mbetet prioritet mbi prioritetet.
Duke folur për arrestimet e fundit që ndodhën në Gjilan e që lidhen me luftën në Siri Maloku tha se nuk kanë hezituar për asnjë moment që të jenë efikas edhe në këtë drejtim.”Lufta kundër të keqes dhe në veçanti kundër atyre që po pretendojnë se po bëjnë diçka të mirë gjoja në emër të një lufte fetare siç është Siria do të mbetet prioritet yni. Ne jo vetëm këtë dukuri, por edhe ndjekjen e atyre që e dëmtojnë buxhetin dhe të atyre që keqpërdorin detyrën zyrtare do të jetë fokus i përhershëm”.
Maloku është i bindur se puna e Prokurorisë së Gjilanit po jep rezultate dhe efekte pozitive. “Ne jemi të kënaqur me performancën e mirë që kanë dhënë organizatat monitoruese në Prishtinë. Ndodhemi në mesin e prokurorive më të mira dhe që kemi kryer me kohë të gjitha lëndët. Ky fakt na motivon edhe më shumë dhe normalisht që prokurorët janë më meritorët për këtë vlerësim pozitiv” tha Maloku./rajonipress/