FIDANISHTJA

Prokuroria amniston në heshtje aferën “Pronto”

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Sikur që e di gjithë opinioni, rasti ‘Pronto’ i përgjimeve pati tronditur të gjithë. Mirëpo, pyetja shtrohet tani çfarë po ndodh me hetimet për këtë skandal? Çfarë është duke bërë Prokuroria Speciale për këtë rast si dhe pse iu deshën Prokurorisë së Shtetit që të mbaj për 6 vjet këto përgjime, duke mos vepruar fare? Pse prokuroria kur bëhet fjalë për figura kryesore politike dhe nëntokën kosovare në vend nuk vepron, siç e obligon ligji?

Në këto pyetje Prokuroria nuk jep përgjigje, edhe pse gazeta i ka dërguar pyetje dhe i ka hapur mundësinë që të ballafaqohet me opinionet kritike të analistëve politikë dhe ekspertëve të sundimit të ligjit. Opinionistët e gazetës e shtrojnë pyetjen se si dhe sa mund të dyshohet tani se ka pasur prokuroria edhe përgjime të tjera shumë më të rënda e me kriminale që implikojnë klanin PRONTO dhe bizneset mafiooligarkike, prapa së cilave qëndrojnë ata vetë dhe tani i injoron edhe këto? Sipas tyre, prokuroria nuk ngrit aktakuza ndaj politikanëve të nivelit të lartë, të lidhur me nëntokën, për të cilët dihet fare mirë se realisht këta mafio-politikanë janë pronarët e vërtetë të disa kompanive super të fuqishme, me prona e vlera qindra milionëshe mafio-oligarkike dhe mbi ligjin , të cilët kanë përfituar qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve kosovarë, vetëm pse ka dikush lidhje dhe interesa të përbashkëta me të tillët. Sipas analistëve politikë, kjo është edhe një nga arsye pse nuk zbardhet fytyra dhe identiteti i plotë i pronarëve të vërtetë të këtyre mafio-oligarkëve dhe mafio-politikanëve, të cilët janë në kontakt të përditshëm me këta të ashtuquajtur “figura biznesmenësh” që kanë të gjitha monopolet dhe kanë monopolizuar tërë tregun kosovar. Prandaj, edhe nuk do të ketë guximin prokuroria të bëjë aktakuzën e parë kundër mafio-biznesmenëve të tillë të lidhur në ortakëri të fshehur me mafio-politikanët, figura të nivelit të lartë politik në Kosovë, të cilët realisht janë pronarët e këtyre bizneseve që kanë marrë tregun kosovar në të gjithë sektorët më fitimprurës në Kosovë, madje edhe ato raste pa as edhe një investim dhe mundim nga ana e tyre. Krejt ajo që pritet tani me këtë lloj heshtje, sipas analistëve politikë, është se më në fund prokuroria do ta mbyllë rastin e klanit PRONTO edhe kur dëgjohet qartë se si “laget fyti” në Kosovë. Arsye e ngjashme sipas analistëve politikë dhe ekspertëve të sundimit të ligjit është edhe rasti tjetër, pse Prokuroria e Shtetit nuk i propozon e kërkon gjykatës autorizimin për leximin dhe hetimin e të gjitha tabulateve të përmbajtjeve e bisedave telefonike të PRONTO që i kanë pasur si zyrtarë të lartë publikë me mafio-oligarkët financiarë për zhvatjet e qindra milionave të shtetit, që nga viti 2007/2008, kur kanë ardhur në pushtet dhe deri më sot dhe pse prokuroria po ashtu nuk zbardh edhe prapaskenat dhe inkriminimin e klanit COCA COLA ZERO, ku bëjnë pjesë të njëjtit mafio-oligarkë bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe sejmenët e tij të inkriminuar. Përgjigje nuk kanë kthyer as vëllezërit Devolli, e as Shpend Ahmeti.

Faktet keqpërdoren nga parapolitika

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, nuk pret që do të ketë një qasje serioze ndaj atyre përgjimeve të PRONTO-s, ngase ato kanë qenë vetëm një manipulim i Prokurorisë për qëllimet e tyre të caktuara, për tu “shitur” se janë duke punuar diçka.”Afera ‘Pronto’ është manipulim i organit hetues. Hetuesit i kanë publikuar ato incizime me qëllim te arsyetimit të disa veprimeve të lidhura ngushtë me politikën ditore. Incizimet nuk është dashtë të publikohen, por të veprohet deri në fund. Ndryshe incizimet janë përdorur për konsum ditor dhe nuk kanë pasur kurrë për qëllim që të hetohet deri në fund”, u shpreh ai.”Fatkeqësisht, organi i akuzës dhe policia hetuese informacionet për korrupsion dhe krim të organizuar janë duke i publikuar për qejf të politikes dhe para politikës, ata jo që po i publikojnë informacionet, por po i publikojnë edhe emrat e denoncuesve. Nuk veprojnë komfor informacionit, por po manipulojnë me informacionet. Nuk është ky rasti i vetëm, ka edhe raste tjera kur publikohen edhe të dhëna të tjera të ndjeshme, për arsye dhe për nevoja të politikës ditore. Kjo është situata e mjerueshme e ‘drejtësisë’ kosovare”, potencoi Preteni për “Kosova Sot”. Sipas analistit Florim Zeqa, bërja publike e përgjimeve të klanit “Pronto” vite më parë kishte tronditur opinionin kosovar, por njëkohësisht edhe kishte zgjuar shpresat për një angazhim serioz të sistemit të drejtësisë, gjegjësisht prokurorë dhe gjyqtarëve për nxjerrjen para drejtësisë të bosëve të këtij klani mafioz! “Mbajtja në “STAND BY” e këtyre përgjimeve, përveç shqetësimeve, ngrit edhe dyshime për përfshirjen edhe të disa prokurorëve të lartë në këto afera korruptive. Shkaku i mosveprimit dyshohet tani se ka pasur prokuroria edhe përgjime të tjera shumë më të rënda e me kriminale që implikojnë klanin PRONTO dhe bizneset mafio-oligarkike, prapa së cilave qëndrojnë ata vetë dhe tani i injoron edhe këto me qëllim! Prokuroria për 6 vjet rresht nuk qe në gjendje të ngritë asnjë aktakuzë ndaj politikanëve të nivelit të lartë, të lidhur me nëntokën për të cilët dihet fare mirë se këta mafiopolitikanë janë pronarët e vërtetë të disa kompanive super të fuqishme me prona e vlera qindra milionëshe mafio-oligarkike dhe mbi ligjin, të cilët kanë përfituar qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve kosovarë”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.

KAPITI: DREJTËSIA ËSHTË BËRË PALË ME PUSHTETARËT DHE MAFIO-OLIGARKINË Analisti Skënder Kapiti tha për ‘Kosova Sot’ se përgjimet, akuzat, faktet, pra lëndët apo dosjet, të cilat janë për pushtetarët dhe të fuqishmit e pushtetit dhe të politikës, prokuroria nga njëra anë nuk guxon që të hetojë për to dhe as për t’i dërguar ata para bankës së të akuzuarve, këta persona me rekorde kriminale dhe korruptive. “Kjo për faktin se organi i akuzës ka frikë të përballet me ta. E dyta është fakti se drejtësia,edhe ajo është bërë palë me ta dhe e mafio-oligarkisë politiko-shtetërore dhe për pasojë bashkëveprojnë dhe ndajnë bashkë përfitimet e parave dhe të pasurive, të cilat burojnë në rrugë kriminale, korrupsioni, biznesi, prej grabitjes në tenderë dhe investime të parasë publike dhe prej parasë së pistë, pa marrë parasysh se nga vjen ajo”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, amoraliteti i të kriminalizuarve, i abuzuesve dhe i hajdutëve nuk pyet për imazhin, atyre u intereson vetëm përfitimi dhe pasurimi.

ARKATANA

MIFTARI: NUK KA DREJTËSI, GJERSA EKZISTON KJO METODË E PRANIMIT NË PUNË TË PROKURORËVE QË KORRUPTOHEN E SHITEN AKOMA PA IA NISUR TË PUNOJNË!

Njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari, tha për ‘Kosova Sot’ se afera ‘Pronto’ na tregon më së miri se si zgjidhen prokurorët dhe kryeprokurorët te ne. “Me këta lloj servilësh, pa marrë para sysh a janë prokurorë specialë apo jo, nuk ka drejtësi, gjersa ekziston kjo metodë e pranimit në punë të prokurorëve që korruptohen e shiten akoma pa ia nis të punojnë me rastin e parë”, theksoi ai. “Detyra e prokurorëve dhe gjyqtarëve është vetëm mbrojta dhe veprimi sipas ligjit, asgjë tjetër ,por drejtësia,edhe ajo është bërë palë me ta dhe e mafio-oligarkisë politiko-shtetërore dhë pushtetarëve dhe milionerëve të korruptuar, domethënë punëdhënësve të tyre. Heshtja ndaj aferave ‘Pronto’, ‘Z- Mobilit’, miellit serb me krunde për kafshë, KEDS-IT, ‘Coca- Cola Zero’ etj., tregon se këtë shtetin tonë e ka marrë lumi edhe pse lirinë e paguam me shumë gjak dhe vuajtje të popullit tonë”, tha Miftari për “Kosova Sot”.

Veprimet mafioze, me pasoja për shtetin

Analisti Gani Qarri thotë se si pasojë e veprimeve mafioze dhe të paligjshme të këtij klani ndodhi ndalimi i njohjeve të reja, mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO, shuarja e bizneseve dhe ikja e investitorëve të huaj nga vendi ynë. “Madje, pyetje më vete mbetet fakti se pse asnjë komision parlamentar deri më tani, nuk e ngriti zërin e të kërkojë llogari publike, se deri ku kanë arritur hetimet për klanin ‘Pronto’, si dhe për gjithë këto që tash e sa kohë po ndodhin në Kosovë. Për aq më keq, rreth tre vite që vetë kryeprokurori Lumezi shpërndan mjegull e premtime të papërmbushura asnjëherë, kinse ai vetë dhe prokurorët vendorë janë të gatshëm të ballafaqohen me sfida dhe të vendosur që t’u shkojnë hetimeve deri në fund, sidomos kur është fjala për korrupsion e krim të organizuar dhe kundër të keqes që po i kanoset Kosovës! Për aq më tepër ai para rreth dy vitesh pati premtuar publikisht se Prokuroria e Shtetit është duke i zhvilluar hetimet për rastin “Pronto”, duke folur në superlativ edhe për gatishmërinë e prokurorëve vendorë për t’i hetuar rastet e profilit të lartë pas marrjes së kompetencave nga prokurorët e EULEX-it, por deri më tani nuk doli asgjë nga e gjithë ajo zhurmë”, potencoi ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, Prokuroria është e kapur e nuk mund të veprojë edhe po deshi.

(Kosova Sot)