Prokurorët ‘flenë’ mbi mijëra dosje të krimit të organizuar
DREJTËSIA E KAPUR NGA POLITIKA I PËRDOR LËNDËT PËR SHANTAZHE
“Dosjet e fshehura përdoren si ‘gogol’, për të shantazhuar figurat e larta politike në të dyja nivelet e qeverisjes, bashkë me nëntokën politike, për të mos u zbardhur asnjëherë e vërteta e tyre. Figurat e larta politike, rastet e ‘fshehura’ të aferave korruptive qindra milionëshe dhe kriminale i përdorin si shantazh kundër njëritjetrit, me qëllim të mbajtjes, përkatësisht marrjes së pushtetit”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa Analistë, njohës të fushës së drejtësisë dhe të fushës së politikës, kanë drejtuar kritika në adresë të institucioneve të drejtësisë për mosgatishmëri dhe neglizhencë të luftohen krimi dhe korrupsioni. Sipas tyre, nëpër sirtarët e këtyre institucioneve vazhdojë të ‘flenë’ dosje të panumërta me mijëra faqe, të tipit “Tahiri-Habilaj”, bile qysh prej kohës së UNMIK-ut, EULEX-it. Florim Zeqa, analist dhe njohës i fushës së drejtësisë, ka thënë, në një prononcim për “Kosova Sot”, se në prokuroritë e Kosovës dosjet presin me vite në sirtarët e drejtësisë, përkatësisht prokurorët vazhdojnë të flenë mbi dosjet e krimit të organizuar, duke e bërë avokatinë dhe mbrojtjen e të inkriminuarve thellë në krim të organizuar.”Sa e sa dosje të tjera voluminoze janë të fshehura që nga koha e UNMIK-ut, EULEX-it, në raftet e prokurorive, përkatësisht në sirtarët e PSRK-së dhe PTHK-së. Dosjet e fshehura përdoren si “gogol” për të shantazhuar figurat e larta politike në të dyja nivelet e qeverisjes, bashkë me nëntokën politike, për të mos u zbardhur asnjëherë e vërteta e tyre”, ka thënë Zeqa për gazetën “Kosova Sot”, duke shtuar se figurat e larta politike, rastet e “fshehura” të aferave korruptive qindra milionëshe dhe kriminale i përdorin si shantazh kundër njëri-tjetrit, me qëllim të mbajtjes, përkatësisht marrjes së pushtetit. Kështu që, sipas tij, nga njëra qeveri tek tjetra bëhet bartja e sindromit korruptiv dhe kriminal, nën bekimin e prokurorëve dhe gjykatësve që mbajnë të bllokuara lëndët, e madje edhe procese të filluara, pa pasur guximin t’u shkojnë deri në fund rasteve të profilit të lartë.
MIFTARI: SHUMË NGA KËTO DOSJE KANË PËRFUNDUAR NË DUAR TË KRIMINELËVE DHE POLITIKANËVE TË KORRUPTUAR
Kurse analisti Naim Miftari ka thënë për “Kosova Sot” se problemi në gjykatat në Kosovë është se dosjet shkatërrohen, nuk ruhen, por dekonspirohen dhe deformohen. Siç ka potencuar më tej ai, dosjet i formon pushteti kur urdhërohet nga bosët politikë, sidomos ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe kundërshtarët e brendshëm.”Dosjet e UNMIK-ut janë vjedhur dhe djegur në dhomën e dëshmive në Prishtinë para shumë vjetësh. Vjedhja e drogës ka qenë vetëm pretekst, kinse për vjedhje, por qëllimi ka qenë dosjet dhe të dhënat e 5-7 viteve punë dhe sidomos dëshmitë”, ka pohuar ai, duke shtuar se sa u përket dosjeve të EULEX-it, ato nuk janë vjedhur, por janë blerë me para nga ata që është dashur t’ i ruajnë e servirojnë dhe të punojnë për sundimin e ligjit.”Shumë nga këto dosje kanë përfunduar në duar të kriminelëve dhe politikanëve të korruptuar, që të mbulojnë veten dhe një ditë do t’ i përdorin dosjet për qërim hesapesh, sidomos për t’i shantazhuar të tjerët. Mos mendoni se kalimi i deputetëve në parti të tjera ose kinse neutralë po bëhet për parime”, është shprehur ai në një prononcim për “Kosova Sot”.
KAPITI: DREJTËSIA NË KOSOVË FUNKSIONON NË SHËRBIM TË KRIMIT E KORRUPSIONIT INSTITUCIONAL
Analisti Skënder Kapiti, njohës i fushës së sundimet të ligjit, ka potencuar për “Kosova Sot” se drejtësia në Kosovë funksionon keq, apo me saktë funksionon mirë në shërbim të krimit e korrupsionit institucional. Drejtësia, shton ai, është bërë manipulatore e krimit dhe e hajdutëve. Sipas tij, dosjet apo lënda hetimore fshihen, zhduken dhe manipulohen e me to edhe shantazhohen ndër vete ‘peshqit e mëdhenj’ dhe politika e politikanët. “Pra, drejtësia është e kapur jo vetëm nga politika, por edhe nga krimi gjithfarësh, si ai zgjedhor, ekonomik, juridik, administrativ, qeverisës dhe ai ordiner. Nëse nuk ka zbatim të ligjit të barabartë për të gjithë, atëherë aty bie jo vetëm shteti ligjor dhe dështon demokracia, por edhe si nocion drejtësia kupton të kundërtën e saj, pra kupton padrejtësinë dhe antiligjin”, ka pohuar Kapiti. Kështu, sipas tij, kjo ka bërë të mundur edhe më të keqen, që është humbja e shpresës dhe e besimit te shteti dhe te drejtësia, te mirëqenia dhe progresi e integrimi, gjë e cila ka bërë të mundur vetëm largimin e shqiptarëve nga atdheu. Krimi, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria e tyre, ka vazhduar më tej analisti Kapiti, janë bërë edhe si normalitet dhe kulturë negative e pranueshme, pasi shoqëria nuk ka mundësi që të reagojë për ndryshimin, pasi është kapur edhe vetë ajo.”Në këtë gjendje vetëm një reformë VETTING-u gjithëpërfshirëse do të mundësonte ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë”, ka pohuar Kapiti.
Politikanët, përfitues të kaosit në drejtësi
Ndërsa analisti Naim Kelmendi ka thënë për “Kosova Sot” se derisa mbizotëron ky kaos në sistemin e drejtësisë, nga kjo gjendje katandisëse e drejtësisë kosovare përfitojnë politikanët e inkriminuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, bashkë me mafioligarkët, ngase derisa është kapur një sistem i tërë prej mafio-oligarkëve të kriminalizuar politikë, siç ka potencuar më pas ai, nëntokës mafioze dhe mafio-oligarkëve të bizneseve kriminale, kështu asnjëherë nuk do të ketë drejtësi.”De-fakto janë pikërisht nëntoka e krimit dhe të ‘fortët’ e politikës që nuk atakohen nga një drejtësi e brishtë dhe kështu fatkeqësisht qëndrojnë mbi ligjin, e që për ta faktikisht mund të thuhet se drejtësia nuk ekziston fare”, ka thënë ai, duke shtuar se kështu për kaq vite në Kosovën e pasluftës deri më sot nëntoka kriminale dhe politikanët e nivelit të lartë po e sundojnë, e të cilët qëndrojnë mbi ligjin. Kelmendi shtoi se ligji dhe e drejta duhet të sundojnë në tërë Kosovën. “Prandaj, derisa të jetë kjo gjendje e mungesës së llogaridhënies dhe pandëshkueshmërisë brenda vetë sistemit të drejtësisë sikur janë p.sh. gjyqtarët e prokurorët të paprekur dhe që askush nuk u kërkon përgjegjësi, atëherë nuk do të ketë kurrë drejtësi”, ka thënë Kelmendi.
Burjani: Ky sistem gjyqësor aktual është i kapur dhe i pamundshëm të funksionojë i pavarur
Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, ka thënë për “Kosova Sot” se dosje të shumta nuk do të zgjidhen, pasi, siç ka thënë ai, shumica prej tyre tash janë parashkruar. Ai ka thënë se dosje të shumta të krimit të organizuar do të mbeten të patrajtuara fare dhe se shumë dosje do të humbin dhe nuk do të gjenden as si lëndë që kanë ekzistuar pas parashkrimit të madh të tyre.”Të gjithë e dinë se ky sistem gjyqësor aktual është i kapur dhe i pamundshëm të funksionojë i pavarur. Gjyqtarët e lidhur me politikën janë të shumtë dhe ata si të pensionohen e vazhdojnë biznesin ku e kanë lënë, me disa njerëz që thuhet se janë politikë. Andaj ndalja e krimit ekonomik, plaçkitja, dosjet e mbetura, datojnë që nga viti 2000. EULEX-i ato do t’i arkivojë në fund si punë e misionit të tij dhe do të ruhen në sirtarë”, ka thënë ai, duke shtuar se ideja e një rrjeti kriminal është e qartë. Shkatërrimi dhe humbja përfundimtare e dosjeve, sipas Burjanit, është një vepër kriminale e planifikuar. Bile, ka thënë ai, së bashku me mundësinë e humbjes dhe parashkrimin tyre ato mund të mos ruhen as në arkiva.”Kosova ka nevojë esenciale për ndryshim të qeverisjes në shtet me një subjekt të ri, që do të shkapë gjyqësorin dhe KGJK-në e KPK-në, me qëllim që të gjithë të trajtohen dhe t’u konfiskohet pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Burjani për “Kosova Sot” .
(Kosova Sot)


