Prokurore, lajmërohu te vëllai në AKP!
Nga Lavdim Hamidi – Kryetari i ri i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, bëri gabime në hapa kur për publikimin e listës së uzurpatorëve të ndërmarrjeve shoqërore iu drejtua kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.
Para se të shkonte në zyrën e ish-kreut të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Gashi do të duhej të trokiste në zyrën e motrës së tij, Sevdije Morinës, e cila njëherësh është zëvendëskryeprokurore e Kosovës.
Nuk do të kishte uzurpatorë, pavarësisht lidhjeve të tyre të fuqishme me politikën, që do të kishte mundur ta mbante një ndërmarrje të uzurpuar për rreth 17 vjet, po qe se do të reagonin me kohë prokurorët dhe gjykatësit kosovarë.
Se pse prokurorët deri më tani nuk e panë të arsyeshme të merren me rastet e uzurpimeve nga të “fortit” e Kosovës, besoj se një përgjigje do të duhej ta jepnin edhe zyrtarët e Kryeprokurorisë, Sevdije Gashi dhe shefi i saj, Aleksandër Lumezi, dhe paraardhësit e tyre në këtë institucion.
Ndërsa Kadri Veseli përpos që do të mundë ta jepte “izën” për publikimin e listës së uzurpatorëve, në mesin e së cilës gjenden shumë bashkëluftëtarë të tij, bashkëpartiakë apo partnerë të koalicionit qeverisës, nuk besoj se e ka komoditetin të merret me rastet e tilla, derisa punët në Kuvend qe disa muaj i ka “llugë”.
Publikimi i kësaj liste të uzurpatorëve nuk është fakt i mjaftueshëm se problemet e investitorëve në Kosovë do të zgjidhen shpejt, pasi që një listë e tillë do të duhej të ishte publike shumë më herët.
Edhe pas publikimit të listës, nëse nuk do të ketë reagim të Prokurorisë dhe Policisë, siç do të duhej të kishte edhe më herët, nuk besoj se uzurpatorët do t’i brejë ndërgjegjja dhe do t’i lirojnë më në fund pronat e huaja, vetëm se emri i tyre u bë publik. Po të kishin ndërgjegje ata, nuk do të uzurponin prona.
Në fund të vitit të kaluar personalisht kam publikuar në gazetën “Zëri” dhe në mediet ndërkombëtare një storje hulumtuese për disa raste konkrete të uzurpimeve të ndërmarrjeve shoqërore nga të “fortit” e Kosovës. Normalisht, se të gjithë investitorët shpreheshin të zhgënjyer me sistemin e drejtësisë në vend.
Blerësi i një lokali prej rreth 200 mijë eurosh në kryeqytet tregonte se disa herë pa sukses kishte trokitur në zyrën e kryeprokurorit të Prishtinës, duke kërkuar ndihmën e këtij të fundit për t’ia larguar uzurpatorin, i cili kishte qëlluar të jetë zyrtar i lartë shtetëror i Kosovës, derisa kulmi i zhgënjimit të tij me sistemin e drejtësisë ishte kur gjykatësi i lëndës kishte vendosur në favor të uzurpatorit.
Një investitore, me shtetësi të dyfishtë kosovaro-britanike, tregonte qartë se investimet e saj në Kosovë kanë vijë të kuqe, për faktin se uzurpatori i lokalit që e ka blerë për 402 mijë euro në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, qe disa vjet me radhë punon lirshëm dhe i fiton rreth 2000 euro në muaj qira nga ky lokal.
Një tjetër investitor kosovar, me shtetësi zvicerane, për rreth 5 vjet është mbërthyer në betejë ligjore me bashkëpunëtorin e ngushtë të Sami Lushtakut, Rrustem Rukollin, i cili nuk ia lejon ta shfrytëzojë pronën e tij. Për të treguar fuqinë që ka në shtetin e Kosovës, Rukolli madje i kishte thënë blerësit legjitim: “Zoti është lart, unë poshtë”.
Çuditërisht, Gashi në vend se t’i drejtohej Prokurorisë dhe Policisë për rastet e tilla të uzurpimeve, iu drejtua kreut të Kuvendit, duke dëshmuar kështu se si paraardhësi i tij në AKP është një marionetë në duart e politikanëve.
Ndërsa këta të fundit po të kishte hetime të mirëfillta nga Prokuroria, vetë do të ishin pjesë e këtyre listave si uzurpatorë të shumë ndërmarrjeve.


