RCCOLA

Projekti i Stadiumit të Qytetit domosdo duhet të revidohet

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Krivaqa – Me iniciativën e një grupi qytetarësh nga qyteti, dashamirë të sportit, mbështetjen time si një nga iniciatorët, iniciativë e përkrahur poashtu nga këngëtari i mirënjohur z. Naser Berisha, legjenda e futbollit dhe e qytetit z. Muharrem Sahiti dhe me mbështetjen më të rëndësishme të dy klubeve të futbollit në qytetit, gazetarëve, bizneseve, disa arkitektëve të Gjilanit dhe shumë qytetarëve të tjerë nga Gjilani, rajoni dhe nga Kosova, kërkojmë nga Kryetari i Komunës të filloj me urgjencë revidimin e projektit të Stadiumit të Qytetit, për ta zëvendësuar atë me një projekt modern të bazuar në katër detyra esenciale projektuse që duhet të trajtohen:

Uji Dea
  1. Ndërtimi i tribunave shtesë përreth fushës, në mënyrë që ato të jenë afër fushës së gjelbër, në përputhje me kriteret e UEFA-së, për Stadiumet e Kategorisë 4.
  2. Mbyllja e hyrjes nga ana perëndimore për kamionë dhe vetura dhe zhvendosja e çarkullimit të tyre nga pjesa tjetër që është në ndërtim.
  3. Mbulimi komplet i tribunave.
  4. Ndryshimi i fasadës me materiale të kohës, fasadë moderne, krijimi i hapësirave komerciale në stadium që stadiumi të jetë profitabil dhe i pavarur finaciarisht, për të ardhmen dhe afatgjate. Pas revidimit të projektit që kemi parë, të mbahet një debat i hapur publik ku do të thirren përfaqësuesit e dy klubeve më të mëdha të komunës, Shoqata e Arkitektëve të Kosovës , dhe palë tjera të interesit. Pas këtij debati, projekti do të llogaritet se është i pranuar edhe nga komuniteti. Për revidimit të projektit, një grup arkitektesh i ofrojnë komunës projektin e ri ideor falas e te cilin projekt do ta paraqesim javën tjetër.

Revidimi i Projektit nëse menaxhohet mirë nuk e shtynë afatin e Inaugurimit te planifikuar nga Komuna. Nëse buxheti i planifikuar prej 15mil nuk mjafton për revidim ka opsione tjera të financimit, por në asnjë opsion si i tillë nuk duhet ndërtuar. Për të arsyetuar kërkesën tonë, shkurtazi po ju numërojmë disa nga mangësitë e projektit të Stadiumit të prezantuar, dhe arsyet se pse ai duhet të ndryshoj dhe cilat janë përparësitë e ndryshimit të tij?

  1. Projekti i prezantuar nuk është profitabil dhe krijon humbje të vazhdueshme për Komunën, klubet e do të jetë barrë për të gjithë tatimpagusit. Me projektin e ri, Stadiumi duhet të jetë profitabil për Komunën e më së shumti për klubet, të ulë kostot e klubeve dhe të rrisë të hyrat e klubeve.
  2. Projekti ekzistues nuk e rrit shikueshmërinë, nuk krijon atmosferë dhe nuk krijon entuziazëm. Projekti i ri duhet të synoj maksimalisht që të rrisë interesin për shikues, të jetë modern, atraktiv – përveç për lojtarët, edhe për shikuesit, jo vetëm nga qyteti por nga gjithë rajoni dhe më gjerë e të jetë edhe pikë referuese turistike e një trashëgimi e çmuar për kohën.
  3. Projekti i prezantuar nuk krijon stabilitet për klubet e qytetit, nuk është atraktiv për investitorë, përkundrazi rrit shpenzimet e operimit të klubeve. Një projekt i ri i stadiumit klubet i bën joshëse për investitorë dhe krijon edhe qëndrueshmëri financiare për klubet, rrit vlerën e tyre, vlerën e lojtarëve, si dhe rritë interesin edhe për lojtarë kualitativ për të luajtur në klubet e qytetit.
  4. Projekti i prezantuar i stadiumit, nuk është pikë reference për qytetin, nuk krijon të hyra shtesë për biznese në qytet, nuk rrit numrin e vizitorëve në ditët kur klubet kanë lojë apo edhe në rastet kur kombëtarja mund të ketë ndeshje, nuk rrit të hyrat nga tatimet, nuk është komercial kur nuk ka lojë apo edhe në ditët kur zhvillohen takime.
    Projekti i ri duhet të jetë pikë referuese për vizitorët në qytet, të ngris numrin e vizitorëve meqë qyteti ynë njihet për futboll dhe tifozeri shembullore, të jetë çdo ditë i gjallërishëm duke shfrytëzuar ambientet e tij komerciale e shndërruar në një ambient për vizitorë edhe kur nuk ka ndeshje, duke krijuar kështu të hyra në secilën kohë e secilën ditë.
  5. Projekti i prezantuar nuk krijon vende të reja të punës dhe rrezikon të mos gjenerojë profit as për komunitetin e angazhuar përreth tij.
    Projekti i ri duhet të integrohet me zonën që ajo pjesë të krijoj vende të reja të punës, të rrisë vlerën e pronës në zonë dhe të rrisë të hyrat e një komuniteti më të gjërë në atë zonë.
  6. Projekti i prezantuar nuk krijon ambient relaksues e nuk është pikë rekreacioni për qytetarët. Projekti i ri duhet të krijoj ambient relaksues për familjarë, fëmijë e duhet të shtoj interesin e fëmijëve për vizitë të stadiumit dhe të ngris interesin e fëmijëve për të ushtruar futboll e jetësuar talentin e tyre në qytetin e tyre. Ne jemi të gjithë dëshmitarë dhe qyteti jonë me të drejtë mburret me derbin më mbresëlënës të futbollit në Republikën e Kosovës. Atij duhet ofruar mundësi joshëse, të përshtatshme e duhet kultivuar si vlerë garuese kulturore e sportive, që të na reprezentoj dinjitetshëm.
  7. Projekti i prezantuar nuk ofron kushte të njëjta të shikimit të lojës në rast të shiut për shkak se vetëm njëra pjesë është e mbuluar. Projekti i ri domosdo duhet të parasheh mbulimin në tërësi të tribunave, duhet të ofroj kushte të barabarta për përcjellje të lojës nga tifozët. Ajo, mbulesa pra, u mundsëon klubeve shikueshmëri më të madhe e rrjedhimisht edhe të kenë të hyra stabile edhe në rastet kur moti mund të jetë me të reshura atmosferike.
  8. Projekti i prezantuar nuk ofron kushte të mira për reklamim dhe nuk gjeneron të ardhura shtesë nga hapësirat e shumta që ka stadiumi. Projekti i ri duhet të ofrojë kushte të përmirësuara për reklamim, duke përfshirë reklama përreth fushës në tribunat dhe jashtë stadiumit. Si pasojë e mosmbulesës së tërësishme, stadium rrezikon seriozisht një amortizim shumë të shpejtë, rreth 4-5 vite, pasi ulëset pa mbulim dëmtohen nga shiu, dielli dhe kërkojnë investime shtesë në afat shumë të shkurtër. Projekti i ri, duke përfshirë mbulimin e tribunave, minimizon investimet kapitale shtesë në 20 vitet në vijim.
  9. Projekti i prezantuar ka një arkitekturë të ngjashme me stadiumin e Prishtinës dhe stadiumet e tjera të ndërtuara ose në ndërtim në Kosovë. Projekti i ri duhet të jetë një projekt i konkurrueshëm me stadiumet moderne në evropë dhe të jetë i atraktiv për të paktën 20 vitet e ardhshme.
  10. Projekti i prezantuar nuk ka një arkitekturë moderne siç po projektohen objektet tjera sportive, p.sh, Qendra e Xhudos në Pejë. Stadiumi i ri duhet të jetë modern dhe të përfshijë të gjitha standardet e projektet moderne që po ndërtohen dhe do të ndërtohen për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Ndryshe, në rast se nuk do të rishikohet dhe revidohet projektit i stadiumit, sipas kësaj kërkese, ne ju do te shqyrtojmë edhe opsione tjera për ta detyruar Komunën për revdimin e këtij projekti, kjo kërkesë në ditët në vijim do të dorëzohet ne Komunë.