Projektet ndërkufitare mund të përmirësojnë jetën e njerëzve

Gjilan – Sinqerisht besoj, që ky organizim do të jetë i dobishëm për pjesëmarrësit dhe do të kontribuojë në krijimin e projekt propozimeve cilësore që do të kenë mundësinë të ndikojnë pozitivisht në jetën e njerëzve që jetojnë në Rajonin Ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë tha Besim Kamberaj.
Është mbajtur në restuarant “Bujana” një seancë informuese nga Forumi për Kërkim të Partnerëve për Thirrjen e Parë për Propozime për programin BNK Kosovë- Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë
Sot aplikuesit potencial në kuadër të Thirrjes së Parë për Propozime të Programit IPA BNK ndërmjet Kosovës dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë patën mundësinë të informohen më shumë lidhur me programin dhe kishin mundësi të komunikimit të drejtpërdrejtë me partnerët e tyre potencial nga ana tjetër e kufirit.
Kjo mundësi për aplikuesit potencial është ofruar gjatë ditës informuese dhe forumit për kërkim të partnerëve të organizuar nga Bashkësia Evropiane të përfaqësuar nga Delegacioni i BE-s në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Zyra e BE-s në Kosovë me Ministrinë për Qeverisje Lokale në Maqedoni dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë.
Besim Kamberaj, Udhëheqësi i Departamentit për Koordinim dhe Zhvillim Rajonal në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal, në fjalimin hyrës theksoi rëndësinë e këtij organizimi: “Kjo është thirrja e parë për propozime për këtë program, dhe është shumë me rëndësi që aplikuesit potencial të informohen mirë lidhur me përmbajtjen dhe kriteret e tij. Sinqerisht besoj, që ky organizim do të jetë i dobishëm për pjesëmarrësit dhe do të kontribuojë në krijimin e projekt propozimeve cilësore që do të kenë mundësinë të ndikojnë pozitivisht në jetën e njerëzve që jetojnë në Rajonin Ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë” tha Kamberaj
Gjatë organizimit të këtij aktiviteti, institucionet janë mbështetur nga Sekretariati i Përbashkët Teknik në Kumanovë dhe Antena në Gjilan.
Ftesa e Parë për Projekt Propozime në kuadër të programit për Bashkëpunim Ndërkufitarë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, i financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian sipas IPA-s është lansuar më 15 nëntor 2013.
Alokimi financiar sipas thirrjes aktuale për Propozime arrin shumën prej € 3,190,000. Qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje për propozime është ndikimi në situatën ekonomike dhe sociale të popullatës; përmirësimi i menaxhimit të përbashkët dhe vlerësimi i burimeve natyrore dhe kulturore dhe forcimi i imazhit dhe kohezioni i rajonit ndërkufitar dhe nën-rajoneve. /rajonipress/