Projektet me UNDP drejt fillimit
Kamenicë – Në takimin e sotëm në mes të Komunës, UNDP-së dhe bashkësive fetare u diskutua për hapat e deritanishëm për fillimin e realizimit të projekteve të parapara.
Nënkryetari Fatmir Matoshi ka falënderuar Komisionin Evropian dhe UNDP për mbështetje Komunës së Kamenicës. “Në koordinim të plotë me UNDP ne jemi në prag të finalizimit të punëve të nevojshme përpara se të shpallet tenderi për rregullimin e parkut të qytetit dhe revitalizimin e objekteve fetare. Angazhimi ynë në këtë drejtim nuk do të mungojë as në ditët në vijim në mënyrë që këto projekte të realizohen ashtu siç është paraparë gjatë këtij viti” ka thënë nënkryetari Matoshi.
Lorika Hisari nga UNDP ka njoftuar të pranishmit se tashmë tri projekte kanë marrë dritën jeshile nga Komisioni Evropian, Parku i qytetit, Xhamia “Haxhi Gani Sermaxhaj” dhe Kisha në qytet tashmë janë aprovuar.
Ndërsa edhe dy objekte të tjera fetare do të aprovohen në ditët në vijim, ka njoftuar përfaqësuesja e UNDP.
Krerët fetarë Bejtullah Hashani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame dhe Dalibor Kojic, prift ortodoks në Kamenicë, e kanë falënderuar komunën dhe donatorët për implementimin e këtyre projekteve./rajonipress/


