Mobi Casa

Profiterët e politikës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Burim Ramadani – Kur shoqëritë janë në krizë, vlerat shmangen e humbin. Treten dikund. Merr frymë diçka tjetër. Diçka që ka nuk të bëjë fare me vlerat. Diçka që kundërshton e lufton vlerat!

Politika kosovare sot lëngon nga mungesa e dijes. Nuk ka shumë mendje në politikë sot. Tek pothuajse të gjitha strukturat apo kategoritë e politikanëve dhe aktivistëve aktiv.

Është pothuajse e pamundur që në Kosovë të ndërtohet apo të vendoset në agjendë publike debati zhvillimor, beteja e ideve dhe koncepteve politike, ballafaqimi i planeve apo programeve qeverisëse.

Ky është një tregues i fuqishëm i krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi dhe shoqëria. Kjo është një qartësi e madhe për atë që çka realisht i mungon Kosovës: dija!

Sot (njëjtë sikur dje), të qenit i angazhuar në politikë nënkupton një mundësi të fuqishme për t’u pasuruar, për të përfituar, “rehatuar” familjarë e miq nëpër institucione, për të zgjeruar rrethin e ndikimit joligjor.

Ky është kuptimi që shumë e shumë politikanë e aktivistë e kanë për politikën. Fatkeqësisht! Kjo më duket se është bartur nëpër kohë në Kosovë. Porse, tashmë pothuaj se gjithçka ka marrë fizionominë e profiterëve.

Është fatkeqësi që, në Kosovën e ditëve të sotme, shumë politikanë dhe aktivistë nuk mund të bëjnë fare dallimin midis të mirës publike dhe përfitimit personal, grupor apo klanor. Me këtë, dëshmohet se këta njerëz e kanë keqkuptuar thelbin e politikës, thelbin e aktivizimin në politikë.
Është mjeruese që për qytetarët e Kosovës në ditët e sotme mendohet jashtëzakonisht pak dhe sipërfaqësisht. Këta njerëz kanë kryesisht qëllimet e përfitimit personal dhe familjar dhe nuk duan madje as të kuptojnë se cilat janë halle dhe qëllimet e qytetarëve.

Mobi Casa

Është dëshpëruese që për të mirën publike nuk kujdeset pothuajse askush. Edhe sikur të ishin në një planet tjetër dhe me një lloj tjetër të gjallesave, njerëzit në politikë do të duhej të silleshin krejt më ndryshe, më përgjegjshëm, më llogaridhënës.

Por, ky është niveli i dijes në politikën e sotme kosovare. Fazë në të cilën për gjithçka flitet, përveç zhvillimit. Për gjithçka përfolet, përveç të vërtetës. Për gjithçka trumbetohet, përveç besimit të vërtetë. Derisa, pa besim nuk ka të ardhme!

Stadi ku gjendet politika kosovare sot nuk ka fare të bëjë me misionin e vërtetë dhe thelbësor të politikës. Nuk ka pothuajse asgjë të përbashkët me të vërtetën e ekzistencës së politikës. Me misionin fisnik të shërbimit për qytetarët dhe vendimmarrjes në emër të tyre për të menaxhuar të mirat publike.

Kjo duket e largët për Kosovën. Ose, të paktën, për nivelin e tashëm të politikë-bërjes në Kosovë. Ose, më konkretisht, për kapacitetet udhëheqëse të shtetit si menaxhues dhe shpërndarës me autoritet i vlerave të përbashkëta.

Shumëçka duhet ndryshuar. Gjithçka duhet të bie në vend të vet, në mënyrë që të rifillojmë Kosovën, të rifillojmë politikën.
Mungesa e angazhimit direkt të atyre që mund të cilësohen si vlerë e kësaj shoqërie po vazhdon të lë hapësirën e hapur për të tjerët. Sot Kosova përballet me jo vetëm me një vështirësi apo një problem. Janë grumbulluar shumë të tilla. Qindra të tilla që ndikojnë direkt në pamundësinë e daljes kolektive nga ky vorbull i mjerueshëm dhe i pashpresë.

Përfituesit nga politika duhet të dalin nga ajo. Përfituesit e vetëm duhet të jenë qytetarët, shoqëria dhe shteti. Ndryshe nuk bëhet!

(Autori është sekretar i përgjithshëm dhe deputet i AAK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)