Profiterët e festave

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Festës së Flamurit më së shumti iu gëzuan shitësit. Ata i rritën çmimet e produkteve në maksimum. Qytetarët ankohen se në vend se të ketë ulje, në raste festash, në Kosovë gjithnjë po ka shtrenjtim. Shitësit thonë se 100-Vjetori nuk është festë dosido dhe këtë e shohin si rastin e tyre për të fituar diçka.

Po ia shohin hajrin festës. Kërkesës së madhe për simbole kombëtare shitësit iu përgjigjën me rritje çmimesh. Njëjtë vepruan edhe shumë pronarë të kafeneve që i shtrenjtuan pijet e menytë e ushqimit.

Në përgjithësi nga qytetarët, 28 Nëntori vlerësohet si ditë e shtrenjtë. Madje ka edhe të atillë që e quajnë edhe festë e profiterëve që po ia zbehin vlerën Ditës së Flamurit.

“Ka dy javë që për çdo ditë çmimet e të gjitha produkteve për çdo ditë janë rritur”, ankohet Minirja, qytetare nga Prishtina.

Ajo thotë se i kupton ata që shesin se duan të fitojnë, por jo edhe trefishin ose pesëfishin nga çmimi që e kanë blerë.

Një flamur i vogël kombëtar që ditët e zakonshme në treg shitet me 0.50 euro, tash është 1.50 euro. Ky është vetëm një nga shembujt pasi ngritje të çmimeve vërehen në shumë produkte të tjera.

Kjo praktikë nuk është diçka e re në Kosovë. Për dallim nga vendet e tjera që në prag festash dyqanet ofrojnë ulje çmimesh në masë të madhe, këtu ndodh e kundërta.

Rasim Hebibi, shitës ambulant, tregon se për ditën më të madhe të shqiptarëve ka nxjerrë fitime të majme, por rritjen e çmimeve e arsyeton me kërkesën e madhe të qytetarëve, 100-Vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

“Këto ditët e fundit ka pasur rritje të çmimeve për flamujt dhe simbolet e tjera kombëtare. Rritjen e çmimit të flamujve e kam bërë pasi është 100-Vjetori dhe bëhet fjalë për një ditë të madhe”, thotë Hebibi.

Uji Dea

Prej se ai merret me këtë biznes, interesimi i qytetarëve për simbole kombëtare, pohon se nuk ka qenë asnjëherë më i madh.

Një praktikë e përfitimit sa më të madh të mundshëm në ditë kremteje e zbatojnë dhe kafiteritë e ndryshme.

Në lokalet kur zakonisht një pije kushton 0.50 euro, për festa shkon mbi 1 euro.

Hiq më lirë nuk shiten as produktet ushqimore që lidhen me ditën festive, qoftë në dyqane apo treg.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare për mbrojtje të konsumatorit dhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës, vazhdimisht ankohen se në Kosovë nuk ka ndonjë mekanizëm që e rregullon punën e çmimeve.

Ata ankohen se mungesa e këtij mekanizmi po iu krijon hapësirë bizneseve që të bëjnë ngritje të çmimeve të vazhdueshme, duke dëmtuar kështu rëndë konsumatorin kosovar.

Kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë për media se ngritja e çmimeve të pakontrolluara ul fuqinë blerëse dhe rrjedhimisht standardin jetësor.

“Dëmtimet janë të mëdha. Institucionet e shtetit nuk bëjnë kontroll dhe nuk na mundësojnë as neve ta bëjmë një gjë të tillë. Qytetarëve të cilët jetojnë në varfëri, çdo ngritje e çmimeve iu shkakton ulje të standardit jetësor. Një ngritje më e madhe tash është te ngrohja, e sidomos te druri”, thotë ai.

Megjithatë, zyrtarët e institucioneve shtetërore thonë se Kosova ka tregun e lirë dhe çmimet caktohen në bazë të ofertës dhe kërkesës dhe nuk kanë ndonjë mekanizëm i cili do të bënte kontrollimin e çmimeve në treg.(express)