Hidromorava

Profili i Naim Gashit, drejtorit të ri të Agjencisë Kosovare të Akreditimit

/ 2 minuta lexim

Gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka emëruar, Naim Gashin drejtor të përgjithshëm të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu duke e arsyetuar këtë vendim tha se komisioni përkatës ka vendosur për këtë në bazë të performancës së tij në konkurs.

Ai ka thënë se në komision përzgjedhës kanë qenë tre sekretarë, një përfaqësues i Universitetit të Prishtinës dhe një nga organizatat joqeveritare.

Janë shqyrtuar 13 kandidatë, dhe 11 prej tyre kanë hyrë në listë të shkurtër”, tha Veliu.

Si kandidat Ministria e ka propozuar Naim Gashin, që është miratuar me shumicë të votave në Qeveri të Kosovës, pa asnjë votë kundër dhe abstenim.

Eco Higjiena

Por kush është drejtori i ri i Agjencisë Kosovare të Akreditimit?

Naim Gashi ka lindur në vitin 1976 në Dobërdol të Podujevës.

Ai ka mbaruar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, studimet master në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoni, ndërsa aktualisht vazhdon studimet e doktoratës. Ai ka përvojë akademike dhe profesionale në Austri, Itali dhe Britani të Madhe.

Gashi për 10 vite është marrë me media dhe botime, është themelues i një kompanie që merret me këshillim biznesi, ndërsa ka ideuar dhe menaxhuar projekte të rëndësishme në sektorin privat në Kosovë. Ai ka qenë anëtar i Bordit të RTK-së (Radio Televizionit të Kosovës) dhe kryetar i Komisionit për Auditim në transmetuesin publik.

Gashi është analist dhe kolumnist i çështjeve ekonomike në shumë media vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/