Profesori amerikan paralajmëron: Kosova në rrezik, mund të hapet front i ri

“Kjo luftë do të mbarojë vetëm kur të jetë mposhtur Rusia”. David Philips, drejtori i programit për paqen dhe të drejtat e njeriut në institutin respektiv në Universitetin e Columbias, në një intervistë për A2 CNN shprehet i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas fushatës të Vladimir Putin në Ukrainë.

Sipas tij, “është një situatë shumë shqetësuese. Deklarata e Putinit para dy ditësh, për përdorim të armëve bërthamore, tregon që lufta mund të bëhet më e gjerë, nuk përjashtoj që Putini mund të përdorë armë kimike, biologjike e bërthamore, ndaj jam shumë i shqetësuar”.

Tutje Philips tha se ndoshta në dimensione me të vogla, një situatë e tillë mund të ndodhë edhe në Ballkanin perëndimor, ku Serbia duket i vetmi aleat i Kremlinit në rajon.

“Bota është e ndarë midis demokratëve dhe autokratëve. Vuçiç është në anën e autokratëve. Nëse Putini ndihet i dëshpëruar për shkak të humbjes së luftës, mund të përpiqet ta shpërqendrojë Perëndimin dhe NATO-n, duke hapur një front tjetër e duke përdorur Serbinë dhe Vucicin si një luftë në distancë. Duhet të përgatitemi për këtë”, shton profesori amerikan.

Philips analizon situatën e Kosovës, ku sipas tij ngërçi i njohjes nuk zgjidhet dot vetëm me ndërmjetësimin europian.

“BE-së i mungon legjitimiteti si ndërmjetës, Lajçaku dhe Borelli vijnë nga vende që s’e kanë njohur vetë Kosovën. SHBA-ja duhet të ketë rol më aktiv”, janë fjalët e tij, që shton se Uashingtoni “duhet të njohë që miqtë e tyre në rajon janë shqiptarët. SHBA s’ka miq më të afërt në botë se shqiptarët. Në vend që të mbajë qëndrim të barabartë, duhet ta bëjë të qartë që po ushtron peshën e saj në mbështetje të qëndrimit të Kosovës”.

Ai shprehet kundër konceptit të Asociacionit.

“Është e panevojshme të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe. Hashim Thaçi nuk duhej ta kishte pranuar dhe Parlamenti nuk duhej ta kishte miratuar. Por tani është e rëndësishme që të mos kthehet në pengesë për të përfunduar negociatat. Prandaj, krijimi i Asociacionit duhet të përfundojë dhe të bëhet e qartë që nuk do të ketë funksione ekzekutive. Të jetë thjesht një masë administrative që merret me zhvillimin e qyteteve, me banesat, çështje vendore. Pa fuqi ekzekutive”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS