UBT

Profesori amerikan: Nëse SHBA e BE nuk angazhohen për zgjidhje përfundimtare veriu do të ketë gjithmonë probleme

/ 3 minuta lexim

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas profesorit amerikan, Alon Ben-Meir, do të vazhdojë të jetë pikë e ndezjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë edhe për muaj të tërë, mbase dhe për vite.

Profesori në Universitetin e New Yorkut, Alon Ben-Meir, teksa ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, ka thënë se nuk do të ketë zgjidhje të tensioneve midis dy vendeve nëse Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk angazhohen në zgjidhje përfundimtare.

Në të kundërtën, sipas tij, veriu i Kosovës gjithmonë do të jetë një problem midis dy vendeve fqinje.

“Nuk do të ketë zgjidhje për konfliktin midis vendeve për qeverisjen e kësaj zone, nëse nuk fokusohen, me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, thotë profesori amerikan.

Sipas profesorit amerikan, një nga arsyet e problemit është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Konflikti kryesor në mes të Kosovës dhe Serbisë është statusi i komunave me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbeten pika e ndezjes për muaj, nëse jo edhe për vite në vijim”, shtoi ai.

Hidromorava

Ai ka theksuar se “çështja aktuale kontradiktore” në lidhje me barrikadat që u vendosën nga serbët e Kosovës në kalimin në kufirin me Serbinë “është vetëm një pikë tjetër konfrontimi mes dy palëve”.

16 ditë janë bërë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës nga serbët si shenjë kundërshtimi i arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, i cili po dyshohet për sulm ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

10 dhjetori ishte dita kur barrikadat u vendosën nëpër rrugët kyçe që të dërgojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, e të cilat u mbyllen përkohësisht.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do të veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media të shtunën, Kurti ka thënë se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur”.

Ndërkaq, gjatë ditës së shtunë, Kurti në një konferencë për media kërkoi 72 orë kohë për ta bërë të ditur emrin e ministrit të ri të Shëndetësisë.