Profesorët politikan rikthehen në punë nga Inspektoriati i Punës
Inspektorati i Punës ka marrë vendim që obligon Rektoratin e Universitetit të Prishtinës t’i rikthejë në listën e pagave 69 mësimdhënës dhe asistentë, të cilët kanë marrëdhënie primare pune jashtë Universitetit.
Inspektorati rekomandon që statusi i tyre të zgjidhet në përputhje me Udhëzimin Administrativ 2004/3, varësisht nga deklarimi i tyre për pagën primare dhe sekondare dhe i jep Universitetit tetë ditë afat që ta zbatojë vendimin, duke theksuar se në të kundërtën “do të merren masa përkatëse ligjore”.
Udhëzimi Administrativ 2003/4 për pagat e nëpunësve të Shërbimit Civil, të cilit i referohet vendimi i Inspektoratit, në nenin 3 thotë: “Nëse një nëpunës civil është i angazhuar në më shumë se një vend të punës, pagën sekondare mund ta merr në lartësinë prej 50% të pagës së plotë që paguhet për atë vend pune (që do të llogaritet me 20 orë pune në javë më shumë se orari i plotë)”, shkruan Express.
Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu ka marrë vendim që bartësit e funksioneve publike të mos marrin pagë sekondare në UP, por vetëm të paguhen për orët e mbajtura të mësimit.
Në sqarime publike të Rektoratit është thënë se këta profesorë mund të rikthehen me pagë të plotë me të përfunduar të mandateve që mbajnë jashtë Universitetit.
Heqjen e këtyre profesorëve nga lista e pagave me faktin se ata nuk mund të kontribuojnë në procesin mësimor me gjysmë orari, pasi këtë nuk ua lejojnë angazhimet aktuale që kanë në postin e tyre publik.
Vendimi i Inspektoratit është marrë në afat rekord, pas inspektimit të kryer një ditë më parë.
Nëse do të zbatohet ky vendim i Inspektoratit të Punës, nga ai do të përfitojnë 69 mësimdhënës të UP-së të cilët mbajnë poste jashtë këtij institucioni, në mesin e tyre edhe kryeministri Isa Mustafa dhe 9 nga 21 ministrat e kabinetit të tij.
Po ashtu, do të përfitojë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe 5 deputetë të Kuvendit të Kosovës, në mesin e tyre edhe nënkryetari Sabri Hamiti.
Pastaj, do të përfitojë kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, rektorët dhe prorektorët e katër universiteteve të tjera publike, drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi./Express/


