Uji Dea

Profesor i Universitetit të Bolonjës: As Kosova, e as Serbia nuk kanë vullnet politik për t’i zgjidhur tensionet

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Kosova dhe Serbia nuk kanë vullnet politik për t’i zgjidhur tensionet ndërmjet tyre. Kështu thotë Stefano Bianchini, profesor i politikës dhe historisë së Evropës Lindore në Universitetin e Bolonjës.

Në një intervistë për Radio Kosovën ai thotë se Rusia përmes problemeve që ekzistojnë në Ballkan, po mundohet ta mbajë të tensionuar rajonin.

Radio Kosova: Nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kemi parë edhe ndikimin e Rusisë nga ajo që po cilësohet si luftë hibride e saj në rajonin e Ballkanit. Cilat janë interesat strategjike të Rusisë në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën?

Stefano Bianchini: Mendoj që Rusia po i shfrytëzon vetëm problemet e brendshme që janë në rajonin e Ballkanit për të krijuar tensione në rajon. Roli i Rusisë në këtë kontekst është margjinal, sepse është fakt i rëndësishëm që të gjitha vendet e Ballkanit, përjashtuar Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, janë anëtare të NATO-ës. Kosova nuk është anëtare e NATO-ës, por është e lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, kjo krijon kushte që Rusia të ketë rol shumë kufizues, ose periferik në rajon. Rusia mund të përkujdeset që t’i mbajë të ndezur tensionet që tashmë ekzistojnë në rajon, dhe origjina e të cilave thashë, është vetëm lokale.

Radio Kosova: A po ndikon Rusia përmes Serbisë në (jo)stabilitetin politik dhe sigurinë e Kosovës?

Stefano Bianchini: Është e kuptueshme që Rusia edhe mund të provojë. Por tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë prej zhvillimeve politike të cilat e kanë përcjell Kosovën, Serbinë dhe ish-Jugosllavinë, duke nisur në fillim të ’80-tave. Mendoj që këto çështje vazhdojnë të mos jenë rregulluar në formë të kënaqshme për të dyja palët. Prandaj mendoj që tensione janë lokale. Ato mund të ndikohen pak nga Rusia, por nuk janë determinuese. Mekanizmat tensionues janë kryesisht në nivel lokal.

Radio Kosova: A janë ndikuar zhvillimet politike në Ballkan nga ndryshimet globale të politikës së jashtme?

Stefano Bianchini: Po, mund të ndikohen shumë, sepse tani kemi procese që nuk i kishim pritur para pushtimit të Ukrainës. Ne ende nuk e dimë ndikimin e luftës në Ukrainë në nivel global dhe të BE-së. Ajo që mund ta vërejmë është se procesi i globalizimit do të fragmentarizohet ndërmjet lidhjeve të ngushta që do t’i krijojnë vendet e Perëndimit, përfshi këtu BE-në, SHBA-në, Kanadanë, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Australia e Zelanda e Re. Në anën tjetër kemi bllokun e vendeve që njihet si BRICS ( Brazili, India, Kina, Rusia dhe Afrika e Jugut). Tani janë dhjetë vende që kanë aplikuar për anëtarësim në këtë bllok, që tani është duke ndërtuar edhe një sistem bankar, si alternativë ndaj Bankës Botërore. Pra, të gjitha këto zhvillime mund të kenë ndikim edhe në Ballkan, sepse pyetja është si do të reagojë rajoni kundrejt këtyre zhvillimeve dinamike. Mendoj që nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç asaj që vendet e Ballkanit t’i bashkohen BE-së. Çështja kryesore është se nën këto kushte si do të zhvillohet procesi i zgjerimit, sepse procedurat e anëtarësimit do të ndryshojnë.R

Eco Higjiena

adio Kosova: Pse ka hezitim nga ana e BE-së për integrimin e Ballkanit në BE, sidomos pas luftës në Ukrainë?

Stefano Bianchini: Ky hezitim vjen si pasojë e procesit të zgjerimit që ndodhi ndërmjet viteve 2004 dhe 2007. Procesi i zgjerimit ishte parë si proces demokratik i BE-së edhe nga ana e SHBA-së. Por pastaj vendet si Franca e Holanda filluan të flasin për zgjerimin si proces lodhës, për nevojën që procesi i integrimit për anëtarët e rinj të jetë më i ngadalshëm. Ju e dini që vendet e BE-së kanë probleme të brendshme. Që nga viti 2013, kur u anëtarësua Kroacia në BE, procesi i zgjerimit është shtyrë vazhdimisht. Kjo ka ndikuar që qeveritë por edhe popullsia në vendet e Ballkanit, nuk besojnë më që procesi i anëtarësimit do të ndodhë në një kohë të afërt. Një çështje tjetër është që papritmas BE-ja ia dha statusin e vendit kandidatë Ukrainës, Moldavisë dhe Bosnje Hercegovinës. Në takimin e mbajtur në Tiranë, në dhjetor të vitit të kaluar, mes 27 vendeve anëtare të BE-së dhe gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit, është riafirmuar edhe një herë e ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit, të paktën qasja normative që ishte karakteristike e zgjerimit deri në vitin 2021.

Radio Kosova: Në Kosovë kemi vite që zhvillojmë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që duket se ky dialog nuk po shkon askund. A ka mungesë të vullnetit politik nga të dyja palët për të arritur marrëveshje ndërmjet tyre?

Stefano Bianchini: Definitivisht po. Që ta themi në një formë më përmbledhëse, kryeministri kosovar, Albin Kurti, ndonëse është një marrëveshje e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk e ka prioritet themelimin e këtij asociacioni pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dëshiron të diskutojë vetëm për asociacionin, e në anën tjetër në asnjë formë nuk dëshiron ta njohë pavarësinë e Kosovës, të paktën jo në këtë kohë. Pra, nga kjo pikëpamje, ku të dyja palët kanë qëndrime radikale, nuk shoh se si mund të ndërmjetësohet mes këtyre dy pozitave. BE është duke mbështetur disa ndryshime por që janë të padukshme në kontrastin e madh të qëndrimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Radio Kosova: Çfarë roli mund të luajë faktori ndërkombëtar në lehtësimin e dialogut politik dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme?

Stefano Bianchini: Mendoj që në vend se të flasim për faktorin ndërkombëtar, ne duhet të flasim vetëm për faktorin ndërkombëtar që vjen nga bota perëndimore. Nuk shoh që OKB-ja mund të bëjë diçka domethënëse në këtë kontekst. Prandaj mendoj që nuk ka kapacitete të mjaftueshme të ndërmjetësimit në kontekstin e Ballkanit Perëndimor. Sipas mendimit tim, dhe unë jam më radikal në këtë aspekt, mendoj që BE-ja vazhdon të insistojë shumë në politikat nacionale të saj, në sovranitetin e shteteve anëtare.

Radio Kosova: Si mund të ndikojnë rezultatet e dialogut politik në integrimin evropian të Kosovës dhe Serbisë?

Stefano Bianchini: Me siguri po. Më duhet të jem më radikal në këtë aspekt. Mendoj që zgjidhja më e mirë do të jetë integrimi i njëhershëm i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo mund t’i ulë tensionet në rajon. Por nuk shoh që tani ka një disponim të tillë brenda BE-së, sepse shumë vende anëtare mendojnë ndryshe dhe kanë prioritete të tjera. Për këtë të gjitha vendet e Ballkanit po i vuajnë dhe pasojat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe po ashtu, nënshkrimi i të gjitha marrëveshjeve paqësore në Ballkan, nuk kanë arritur sërish ta qetësojnë situatën në vendet e ish Jugosllavisë.(Stefano Bianchini është profesor i politikës dhe historisë së Evropës Lindore në Universitetin e Bolonjës. Si ekspert i çështjeve të Ballkanit, ai botoi dhe bashkë-redaktoi 36 libra dhe më shumë se 150 artikuj në italisht, frëngjisht, anglisht dhe gjuhë të tjera. Ai ishte këshilltar i ICTY, në Hagë.)