UBT

Profesor i përkushtuar dhe autor librash me nivel profesional

/ 8 minuta lexim

Gjilan – Nga Faik Shkodra -Xhevat Ismaili (1948-2012), profesor i Fakulteti të Edukimit të Universitetit të Prishtinës.

Më 5 shtator 2012, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 64-vjeçare ndërroi jetë Prof. Xhevat Ismaili, duke na shkaktuar dhimbje e pikëllim, dhimbje që lidhen me jetën dhe formimin e fizionomisë së tij si prind, si pedagog, si njeri dhe si krijues e hartues i veprave të artit muzikor, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës dhe në historikun e shkollës shqipe dhe duke sjellë parime të reja në mësimdhënien e lëndës së muzikës dhe të kulturës muzikore në përgjithësi.

Prandaj, në këto çaste pikëllimi dhe dhimbjeje e kemi vështirë të shkruajmë nekrologun për Xhevatin që e çmuan, e deshën dhe e respektuan deri në ekzaltim shumë miq e njerëz profilesh ndër më të ndryshmet.

I veçantë, me vlera të veçanta

E kemi të vështirë t’i përvijosim e t’i rrokim në kujtim të gjitha vlerat, meritat dhe kulturën qytetëruese dhe intelektuale të Prof. Xhevat Ismailit, ngase ato vlera e merita janë të shumta dhe do të thoshim të veçanta – ashtu çfarë ishte i veçantë, i rrallë dhe i këndshëm ai për çdo mjedis e për të gjitha moshat e njerëzve.

Vdekja e Xhevatit na ka pikëlluar jo vetëm ne që patëm fatin të punonim disa dekada së bashku, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë ndenjur me të.

Ishte një intelektual me vlera të përmasave të mëdha dhe ishte dinamik si në aktivitetet që bënte me studentë, ashtu edhe sa i takon zgjidhjes e kapërcimit të problemeve të shoqërisë sonë. Ishte shok i vërtetë, i gjallë dhe pa komplekse. Nuk ishte ziliqar e as xheloz. Kur këto tipare të tij i kemi parasysh – atëherë themi se është humbje e pakompensueshme për të gjithë ne ndarja relativisht e hershme e Xhevatit, është humbje në radhë të parë për familjen e ngushtë: gruan, fëmijët, nipat, mbesat, farefisin dhe është humbje për të gjithë njerëzit e tjerë që aq shumë e nderonin dhe i nderonte.

Me autoritetin e krijuar, Xhevati nuk do të na mungojë kurrë dhe veprat e qëndrimi fisnik i tij na bëjnë që atë ta kemi përherë në kujtime të paharrueshme dhe do të jemi me të në kabinete, në salla mësimi, në tavolina pune e kudo tjetër.

Xhevati qe njeri largpamës dhe si njeri me përgatitje të thellë profesionale – ai diti dhe mundi t’i sfidonte shumë vështirësi dhe diti që në lëmshin e ngatërruar të ngjarjeve të kohës të kapte çështjet më kryesore që lidheshin me vlerat kombëtare dhe njerëzore.

Fundamenti

Në demonstrata studentore të vitit 1997, ai ishte në ballë të kolonës së gjatë të studentëve, bashkë me kolegë të fakultetit (atëherë shkollë e lartë).

Duke qenë i edukuar dhe i gatuar në një familje bujare dhe me traditë kombëtare e njerëzore – Xhevati që nga fëmijëria e hershme dëshmoi shpirtin e ndjeshëm dhe ishte përkrahës i së mirës, i së njerëzishmes, i së vërtetës i së madhërishmes në veprimtarinë e tij të bujshme dhe jo pa jehonë janë stivuar vlerat më kulmore – vlera që kanë të bëjnë me jetën e tij prej nxënësi, studenti, mësimdhënësi e deri te shkencëtari dhe mendimtari që shquhej me profesionalizmin dhe modestinë e madhe.

Kur shpalosim ndihmesën e tij, që për të gjallë e dha Prof. Xhevat Ismaili në shumë fusha të jetës, kur ndalemi dhe meditojmë për vizionet dhe veprimtarinë e pasur të tij – atëherë kuptojmë në gjerësi dhe thellësi se njerëzit e nivelit të Xhevatit edhe pas vdekjes e marrin një shtrirje më të gjerë të kuptimit e të rëndësisë si në aspektin njerëzor ashtu edhe kombëtar e profesional.

Mendonte mirë, fliste mirë dhe vepronte mirë

Duke njohur Xhevatin me vite të tëra më bëhet sikur plotësisht i ka përmbushur mendimet dhe vlerësimet e studiuesve dhe shkrimtarëve të mëdhenj, që thonë: Njerëzit e mëdhenj dallohen nga të tjerët për shkak se veprat dhe rrezatimin e vet profesional e intelektual i kredhin në thellësitë e kohës, kështu të tillët janë shumë para kohës në të cilën jetojnë dhe mbeten të përhershëm, mbeten pasuri e vlerë edhe e kohëve që vijnë më vonë.

Për gjithë atë që bëri Profesor Xhevati duhet të kemi respekt e admirim duke ruajtur kujtimin përherë të gjallë e të freskët për të dhe, siç do të thoshte akademik Qosja, “Prej çastit kur vdekja i merr njerëzit – mbyllet dera e jetës për ta, por hapet dera e lavdisë dhe e kujtimit për të gjithë atë që kanë bërë e kanë dhënë për kombin, për edukimin e arsimimin e brezave, për formimin e shëndoshë të fëmijëve dhe për çdo gjë tjetër që dhanë nga vetja”. Xhevat Ismaili gjatë gjithë jetës i realizoi në mënyrë më sublime idealet e tij në mbështetje të tri dhuntive, të cilat edhe e stolisnin karakterin dhe botën shpirtërore e mendore të tij, tamam ashtu siç ishte shprehur Zarathustra i mençur: “Të mendosh mirë, të flasësh mirë dhe të veprosh mirë”. Këto tri shkathtësi Prof. Xhevat Ismaili i zotëronte si një mjeshtër i rrallë dhe i veçantë. Këto ideale mund t’i realizojnë dhe t’i shndërrojnë në vepra vetëm njerëzit e dinjitetshëm, njerëzit me ideale të fuqishme, njerëzit që janë të lidhur si mishi me kockën për profesionin që ushtrojnë, njerëzit që janë të lidhur me fatin e kombit dhe të atdheut, njerëzit që nuk i duan lëvdatat e tepruara e fjalët pa përmbajtje.

Në këtë kontekst, në recensionin e shkruar për librin e tij “Lojëra muzikore” pata shkruar këto radhë: “Duke pasur një përvojë të gjatë e një përgatitje të thellë në punën edukativo-arsimore që Xhevati bënte me studentë, duke qenë njohës i mirë i parimeve të pedagogjisë e psikologjisë, i vlerave të njëmendta të krijimeve poetike popullore – në libër autori ka arritur të zbulojë e të gërshetojë kërkesat e lëndës së muzikës duke ua bërë sa më të qarta, sa më të kuptueshme, sa më të kapshme e më të asimilueshme sa studentëve aq edhe edukatoreve, mësueseve dhe pedagogëve të muzikës në përgjithësi.”

Prandaj, është krenari për familjen Ismaili dhe fshatin Kopërnicë që nga gjiri i vet nxori një personalitet kaq të veçantë e të rëndësishëm për arsimin, kulturën dhe shkencën në përgjithësi. Duke përmbyllur këtë fjalë të përzishme për kolegun, pedagogun, vëllanë, shokun, njeriun e dijes, punëtorin shkencor të vyeshëm, prindin e përkushtuar dhe qytetarin e Kopërnicës Prof. Xhevat Ismailin, e ndiejmë dhimbjen në shpirt e në zemër – por edhe ndihemi krenarë që e patëm në jetën tonë, sepse nuk thuhet më kot se njerëzit e mëdhenj edhe pas vdekjes mbeten njësoj të mëdhenj.

Krejt kjo që u tha për figurën dhe vlerat e përgjithshme të Prof. Xhevat Ismailit sikur na i kujtojnë thëniet metaforike të një poeti të madh se Xhevati e zuri vrapin e erës, e kapi zogun në fluturim, e mbolli lulen e lirisë në gufim, e sfidoi luftën kundër padrejtësive e shtypjes mbi popullin dhe të gjitha këto objektiva patën si detyrime jetësor dhe ideal mbi ideale realizimin e ëndrrës për tokën e lirë të Kosovës dhe idealin e lirisë e shndërroi në monumentin e njerëzimit.