Vali Ranch

Profesioni: Shqiptar!

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Futbollistët shqiptarë që po sulmohen janë heronj. Jo me fjalë e shpërthim shkume nga goja, por me vepra e shpërthim talenti që të lë gojëhapur. Nuk kanë faj pse ata që i fyejnë me profesion janë “shqiptarë”.

“T’i kërkosh Shaqirit dhe Januzajt të luajnë me Shqipërinë, është sikur t’i kërkosh Rita Orës të këndojë me Sinanin tek Kënga Magjike”. Kështu shkruante në një postim në Facebook kolegu Mero Baze nga Tirana, si për t’i vënë kapak euforisë dhe fushatës së egër që po vazhdon ndaj një të riu, Adnan Januzajt, i cili tash sa kohë është vënë nën presionin për t’i thënë “po” Kombëtares së Shqipërisë në futboll.

Gjithë fushata kundër Januzajt tash, sikurse edhe djemve që luajnë për Zvicrën tash e sa kohë, është shndërruar në gjueti shtrigash, me arsyetime aspak racionale që shkojnë deri në perfiditet. Ata po vazhdojnë të shahen, fyhen dhe etiketohen, duke u quajtur edhe tradhtarë, vetëm pse po e bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, në shtetet që iu kanë dhënë gjithçka. Ata po kritikohen se nuk janë shqiptarë, nëse nuk luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë.

Të gjitha sulmet po iu vijnë nga të atillë që të qenit shqiptar e kanë profesion, e jo përkatësi etnike. Nga ata që shtiren nacionalistë e patriotë, por nuk janë të tillë. Nga ata që mendojnë se në këtë mënyrë po i shërbejnë kombit, por që i shërbejnë veç urrejtjes e përçarjes. Nga ata që po i linçojnë këta djem të rinj dhe të talentuar, të cilët “faj” të vetëm kanë se, thjesht, kanë zgjedhur të mos luajnë për Shqipërinë, por për shtetet që u dhanë gjithçka. Kanë zgjedhur të tregohen profesionistë, e jo folkloristë. Kanë zgjedhur të vazhdojnë të jenë shqiptarë, por jo të jenë me profesion “shqiptar”.

Kush thotë se ata duhet gjithsesi të luajnë për Shipërinë vetëm pse kanë lindur shqiptarë? Të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, duhet të ndihen krenarë për të arriturat e tyre, e jo t’i vënë në shënjestër të sulmeve të ulëta e të pështira, të denja vetëm për njerëzit, për të cilët logjika e shëndoshë është luks.

Ky diskurs anatemues ndaj djemve shqiptarë të Zvicrës dhe Adnanit të Manchesterit është për keqardhje. Ata na nderojnë e janë heronj. Jo me fjalë e shpërthim shkume nga goja, por me vepra e shpërthim talenti që të lë gojëhapur.

* * *

Të jesh me profesion shqiptar është gjë e rrezikshme. Të tillët nuk zgjedhin mjet as rrugë për të sulmuar gjithkënd dhe gjithçka që, sipas kutit të tyre, nuk është mjaftueshëm shqiptare.

Ata e përziejnë me qëllim përkatësinë etnike me profesionin. Ata me qëllim “shqiptarovatin”, si do reperë të dobët që piskasin e çirren për t’i treguar jo botës, por mahallave të tyre se janë shqiptarë.

Fidanishtja

Djemtë shqiptarë-yje të futbollit nuk janë të tillë. Ata profesion e kanë futbollin dhe frustrimet për t’u treguar mahallave tealentin e tyre i kanë kaluar moti. Tash e kanë radhën t’i tregojnë botës çfarë dinë e çfarë munden. Si shqiptarë me përkatësi etnike, jo me profesion. Si zviceranë e belgë me shtetësi, e jo me profesion.

Ndryshe nga shumë shqiptarë “me profesion”, ata respektojnë vendet ku u lindën e u rritën. Ndryshe nga shumë shqiptarë “me profesion”, ata punojnë me nder dhe shfaqin kudo respekt për punën që bëjnë. Madje, shfaqin respekt edhe për kritikët e tyre, të cilët meritojnë të lihen në mëshirën e budallallëqeve që nxjerrin nga goja.

Të jesh me profesion “shqiptar” është gjë e rrezikshme. Aq më shumë kur në delirin e zhgënjimit dhe krenarisë së përmbysur bën thirrje të poshtra si “vdekje tradhtarëve”, duke aluduar në djemtë e talentuar që na bëjnë të ndihemi më shumë se krenarë.

* * *

Me profesion “shqiptarë” janë të gjithë ata që në emër të “shqiptarizmës” dinë të shajnë e të sulmojnë tjetrin.

Me profesion “shqiptarë” janë të gjithë ata që të flasin për shqiptari, e nuk bëjnë gjë për vendin.

Me profesion “shqiptarë” janë të gjithë ata që pretendojnë ta kenë në pronësi tapinë e patriotizmit.

Me profesion “shqiptarë” janë të gjithë ata që vlerë e kanë urrejtjen – ata që mund t’ia zënë për të madhe Rita Orës që nuk këndon me Sinanin tek Kënga Magjike.