Uji Dea

Prodhuesit e Luginës, mes dy zjarresh

/ 3 minuta lexim
KKVITI

“Territori i Republikës së Kosovës është tregu i vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Prodhuesit tanë nuk mund të plasojnë prodhimet e tyre në Vranjë, Nish, Kragujevc apo Beograd. Dhe, tani në kufirin e Kosovës prodhuesit e Luginës së Preshevës po pengohen të hyjnë me produkte bujqësore”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës.

Prodhuesit në Luginën e Preshevës vazhdojnë të përballen me barriera të shumta sa i përket eksportit të prodhimeve të tyre në tregun kosovar. Serbia nuk i’u lëshon dokumente përkatëse për eksportim, ndërsa Kosova, nuk e lejon hyrjen e prodhimeve pa certifikatën e origjinës së mallit. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha për Radio Kosovën se zgjidhja duhet kërkuar nga institucionet e Kosovës.

Për kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, përkrahja e institucioneve të Kosovës për prodhuesit e Luginës së Preshevës, duhet të jetë më e madhe. Ai i tha Radio Kosovës se prodhuesit e Luginës aktualisht ndodhën mes dy zjarresh që, sipas tij, Serbia nuk i pajisë ata me dokumente përkatëse, ndërsa Kosova nuk lejon hyrjen e produkteve bujqësore pa ato dokumente. Mustafa, duke përmendur rastin e fundit kur Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e dy prodhuesve të qumështit në tregun kosovar, tha se kjo po i dëmton prodhuesit e asaj pjese.

“Territori i Republikës së Kosovës është tregu i vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Prodhuesit tanë nuk mund të plasojnë prodhimet e tyre në Vranjë, Nish, Kragujevc apo Beograd. Dhe, tani në kufirin e Kosovës prodhuesit e Luginës së Preshevës po pengohen të hyjnë me produkte bujqësore. Kjo do të ndikon që të prishet një zinxhirë i gjatë i prodhuesve blegtoral” tha Mustafa për Radio Kosova.

Eco Higjiena

Në anën tjetër, përfaqësues të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, sqarojnë se mos lejimi i hyrjes së produkteve brenda kufijve të Kosovës është për shkak të mos pajisjes së dokumentacionit të mjaftueshëm. Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë, i tha Radio Kosovës se shkak i ndalesës është mungesa e certifikatës së origjinës së mallit.

“Në bazë të gjitha kushteve për siguri ushqimore, në Kosovë nuk lejohet të futet asnjë produkt, i cili nuk e ka dokumentacionin përkatës që garanton sigurinë dhe cilësinë e produkteve. Ndalesa nuk është bërë për kompanitë apo vendet e caktuara, por ky regjim vlen për të gjitha shtetet”, sqaron Thaçi.

E, kreu i Preshevës potencon se institucionet e Kosovës, duhet të kenë një qasje më ndryshe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës:
“Autoritetet e Kosovës, shqiptarët e Luginës së Preshevës, duhet t`i trajtojnë absolutisht si shtetas të tyre. Përderisa nuk krijohet ky botëkuptim dhe nuk trajtohen si të tillë, atëherë nuk jemi vëllezër”.

Sipas Mustafës, problemi i plasimit të produkteve në tregun kosovar po e prek një numër të konsiderueshëm të popullatës në Luginën e Preshevës, të cilët të vetmin burim e kanë veprimtarinë bujqësore.