RCCOLA

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Surroi: Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, si pikë kthese

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Publicisti Veton Surroi sot në një shkrim lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ka thënë se duhet të zbatohet menjëherë, gjersa e ka cilësuar si pikë kthese e mundshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Surroi në një shkrim autorial në koha.net thotë se në hapat përfundimtarë të procesit të shqyrtimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, regjistrimi i pronës së Manastirit të Deçanit do të ishte një shenjë tejet e nevojshme për përkushtimin e Kosovës si në sundim të ligjit ashtu edhe për ndërtimin e mirëbesimit mes kulturave e religjioneve të saj.

Sipas tij, pa këtë sinjal të Kosovës nuk mund të bëhet asnjë hap përpara për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet menjëherë si detyrim i shtetit ligjor, shenjë e ndjeshmërisë kulturore dhe fetare dhe gatishmërisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Një pikë kthese e mundshme”, shkruan ai në një X.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij:

Manastiri i Deçanit si pikë kthese

Regjistrimi i tokës që i përket Manastirit të Deçanit – vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në një formë nga vetë zyra kadastrale e Deçanit – mund të shënojë një avancim shumë të madh të percepsionit e të pozitës së Kosovës si shtet evropian, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshill të Evropës. Pa këtë akt, Kosova do të vazhdojë të trajtohet në zonën e hamendjes

1.

Si do të duket Manastiri i Deçanit më 2030?

Nuk besoj se do të jetë në BE – i tërë Ballkani Perëndimor është më larg anëtarësimit se ç’beson. Megjithatë, në BE a jo, është lehtë e parashikueshme që Manastiri i Deçanit do të jetë po ai objekt i mrekullueshëm i ndërtuar me arkitekturë sakrale perëndimore për nevoja të një objekti sakral lindor. Po ashtu, do të jetë një objekt i gjallë sakral i Kishës Ortodokse Serbe, se do të jetë pjesë e trashëgimisë religjioze – kulturore të popullit serb në Kosovë e popullit serb gjithandej Ballkanit Perëndimor, se do të jetë pjesë e trashëgimisë religjioze e kulturore të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, se do të jetë njëri prej objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore botërore mbrojtur nga UNESCO-ja.

Por, do të dëshiroja të paramendoja që Manastiri i Deçanit të kishte edhe dy dimensione të veçanta për Kosovën. Një, të jetë një oazë e kulturës së paqes. Dy, të jetë pika e kthesës për perspektivën evropiane të Kosovës.

Oaza e kulturës së paqes do të thotë që Manastiri i Deçanit, me një territor më të gjerë e të paprishur prej ndërtimeve, të shërbejë si vend-tubim për dialog kulturor, metafizik pra. Që të jetë vend-shkas për takime arkitektësh e poetësh, piktorësh dhe mendimtarësh. Që të jetë i vizituar edhe prej gjimnazistëve shqiptarë për të kuptuar rëndësinë që kanë rrëfimet religjioze të freskove për kulturën serbe, atë bizantine, për krishterimin në tërësi. Pra, për të kuptuar një dimension të rëndësishëm të kulturës të Republikës së Kosovës.

UBT

Dhe kjo është e mundur në një bashkëpunim mes Manastirit të Deçanit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, por e mundur vetëm nëse vëllazëria e Manastirit dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen rehat me njëri-tjetrin. E ky nuk është rasti sot.

2.

Këtu hyn dimensioni i dytë i dëshiruar e potencial i Manastirit të Deçanit, ai i një pike kthese evropiane. Gjatë këtij çerekshekulli të kaluar, Manastiri i Deçanit ndien pasigurinë juridike, rrjedhimisht fizike, me mosregjistrimin e një prone prej 24 hektarësh toke përreth Manastirit që e konsideron të veten. Kjo tokë e konsideruar si e kontestuar në kohën e okupimit të Kosovës nga Serbia e Milosheviqit, është përligjur gjatë administrimit të UNMIK-ut dhe më pas procesi kontestimor juridik ka marrë epilogun përfundimtar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Juridikisht kjo çështje ka përfunduar.

Vendimi juridik në aktin më të lartë nuk merret me periudhën e para vendosjes së UNMIK-ut, por me procedurën e pasluftës. Gjykata Kushtetuese në fakt e konstaton juridikisht të përfunduar një marrëveshje mes AKM-së (Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit) dhe Manastirit të Deçanit për këmbimin e pronave. Manastiri ia ka dhënë Komunës së Deçanit katër parcela në qendër të qytetit. Këto madje janë regjistruar në Kadastrën e Deçanit si pronë komunale, por e njëjta gjë nuk është bërë ende me 24 hektarët e Manastirit të Deçanit. (Informatat më të hollësishme mund të lexohen në raportin e sapobotuar të ESI-së (Iniciativës për Stabilitet Evropian me seli në Berlin ”A monastery, Kosovo courts and the road to the Council of Europe”. )

Pra, nuk do të ketë më kontestim juridik të kësaj çështjeje; toka i përket Manastirit të Deçanit. Dhe, këtë në një formë e ka pranuar edhe Agjencia Kadastrale e Deçanit duke regjistruar katër prona që janë përligjur si prona të Komunës së Deçanit ashtu siç kanë vërtetuar të gjitha instancat juridike, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Meqë është kështu, atëherë i mbetet Agjencisë Kadastrale të Deçanit ta regjistrojë edhe pjesën tjetër të marrëveshjes së përligjur në të gjitha instancat juridike, atë ku në këmbim të katër parcelave që Manastiri ia jep Komunës i mbeten 24 hektarët e pyllit dhe arave.

3.

Regjistrimi i pronës së Manastirit duket tashmë pika e kthesës për Kosovën në shumëçka. S’do mend, e para ka të bëjë me sundim të ligjit: agjencitë shtetërore duhet t’iu binden vendimeve gjyqësore, për më tepër atyre të instancës më të lartë siç është Gjykata Kushtetuese, dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës së bashku me atë të Deçanit, që i nënshtrohet kësaj të nivelit shtetëror, duhet ta zbatojnë këtë vendim.

E dyta ka të bëjë me ndjenjën e respektit të ndërsjellë e të sigurisë juridike që duhet ta kenë mes vete autoritetet e Kosovës me vëllazërinë e Manastirit të Deçanit e të Kishës Ortodokse Serbe në përgjithësi. Gjykata Kushtetuese mori vendim më 2016 dhe dilemat në hapësirën publike që u lidhën gjatë tërë kohës me faktin se toka inicialisht iu dhurua Manastirit të Deçanit nga Qeveria e Serbisë në vitet e okupimit (1997) nuk është se ndihmuan për të ndërtuar besim të ndërsjellë; akti i regjistrimit mund të jetë një kthesë e rëndësishme për ta imagjinuar Manastirin e Deçanit në kontekstin e një oaze të kulturës së paqes, të vërtetuar me sigurinë juridike të ofruar nga Republika e Kosovës.

Dhe, e treta, regjistrimi i pronës mund të jetë pikë-kthesa për një aspiratë evropiane të Kosovës. Në hapat përfundimtarë të procesit të shqyrtimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, regjistrimi i pronës së Manastirit të Deçanit do të ishte një shenjë tejet e nevojshme për përkushtimin e Kosovës si në sundim të ligjit ashtu edhe për ndërtimin e mirëbesimit mes kulturave e religjioneve të saj. Pa këtë sinjal të Kosovës nuk mund të bëhet asnjë hap përpara për anëtarësim në Këshill të Evropës.

4.

Njëri prej vendimeve më të rëndësishme për politikën e jashtme të Kosovës dhe rrugëtimit të saj evropian është tërësisht i pjekur për t’u marrë. Madje, në të tria dimensionet e saj, të vërtetimit të forcimit të Republikës së Kosovës si shtet i së drejtës, të ndjeshmërisë ndaj kulturave dhe religjioneve e të dialogut mes tyre, dhe së fundmi, të vërtetimit të rrugës evropiane të vendit. /Telegrafi/