Procedurat e komplikuara, afaristët e huaj nuk vizitojnë Kosovën

Vazhdojnë anulimet e vizitave të biznesit për shkak të procedurave të komplikuara për të hyrë në vendin tonë. Pas anulimit të vizitës në vend nga një afarist nga Dubai, kompanisë “Trefarm”, vizitën për javën e ardhshme e ka anuluar edhe një biznesmen nga Hong Kongu.

Drejtorit të fabrikës së prodhimit të barnave “Trefarm”, Mërgim Prishtina, ia ka anuluar vizitën një afarist nga Hong Kongu, që kishte planifikuar të vinte në Prishtinë javën që vjen.

“E ka pasaportën e Hong Kongut, i dërgova një e-mail, ku i tregova se na duhet një letër për të vërtetuar se nuk është i përndjekur. Na tha ju lutem harroni vizitën time në Kosovë unë nuk merrem me këto punë. Nuk ka kohë ai, se ai pak rrinë në Hong Kohë, nuk ka kohë me shkua në Hong Kong me kërkua letrën se nuk është i përndjekur, përderisa e ka pasaportën“, theksoi ai për Radio Kosovën.

Prishtina bënë të ditur se një rast i ngjashëm kishte ndodhur kohë më parë, kur në Aeroport i ishte ndaluar hyrja një afaristi nga Dubai.

Kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, kërkon lehtësim të procedurave për afaristët që vinë nga shtetet e zhvilluara.

“Nuk duhet të identifikohet gjithnjë pesha e një investitori nga vendi prej nga vjen. Ju e dini që sot pjesa dërmuese e kapitalit në SHBA është në pronësi të botës arabe, prandaj në këtë drejtim besoj se nuk është koha kur duhet të kemi një qasje të tillë selektive, është koha kur duhet të kemi tretman për të gjithë”, tha Gërxhaliu.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS