Problemi me sundimin e ligjit janë zyrtarët e kapur, e jo Kodi Pena

Edhe pse Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë plotësim-ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, ekspertët e kësaj fushe dhe analistët politikë nuk besojnë që ky ndryshim kozmetik do të ketë efekt që të luftohen më shumë korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Preteni: Është trumbetuar me të madhe se janë shënjestruar disa raste të korrupsionit, raste të fuqishme, që do të na shpijnë drejt vizave. Edhe kjo është tallje, pesë raste veç janë gjykuar, edhe atë me gjykim lirues
“Loja me ligje e dëshmon fajësinë e pushtetarëve dhe pjesës dërmuese të ligjvënësve kosovarë, të cilët, në mos për të shpëtuar nga drejtësia, mundohen të përfitojnë në kohë për ikje nga përballja e pashmangshme me drejtësinë. Pasi Kosova problem kryesor nuk e ka mungesën e ligjeve, por zbatimin e tyre nga organet përkatëse të shtetit”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”
Edhe pse Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë plotësim-ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, ekspertët e kësaj fushe dhe analistët politikë nuk besojnë që ky ndryshim kozmetik do të ketë efekt që të luftohen më shumë korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për Kodin e ri Penal, duke bërë ndryshime në të vjetrin, që sipas qeveritarëve do të ashpërsojnë masat ligjore kundër keqpërdorimit të buxhetit, korrupsionit dhe krimit në përgjithësi, por analistët theksojnë se qëllimi nuk është luftimi i korrupsionit, por makijazhi legjislativ, që në rastin e përmendur është edhe pjesë e kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave. Ata theksojnë se në Kosovë nuk është problem kryesor sundimi i ligjit, për kinse mungesën e ligjeve, por për moszbatimin e tyre ngaorganet përkatëse të shtetit. Pra, sado që të ndryshojë Kodi Penal apo ligjet e tjera, është e njëjta konjukturë në polici, në gjykata e në prokurori, e cila do të dështojë me zbatimin e këtyre masave të reja ligjore, për arsyen e thjeshtë se janë institucione të kapura nga nëntoka kriminale dhe politika shkatërruese e sunduese e shtetit. Prandaj, analistët theksojnë se përderisa sistemi idrejtësisë mbetet vasal dhe në shërbim të mafio-politikës kosovare dhe të mafio-oligarkisë ,nuk ka shans të ketë sundim të ligjit, pra as luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Madje edhe arsyeja pse përderisa prokurorët e kanë problem të nxjerrin në bankën e të akuzuarve edhe pushtetarët e nivelit të lartë, flet mjaftueshëm se në Kosovë nuk do të ketë sundim të ligjit pa u pastruar kjo strukturë e tanishme me një ligj VETTING-u.
PRETENI:TOKË MBANA… KU JANË PROKURORËT, KU JANË HETUESIT, KU ËSHTË SHOQËRIA CIVILE?!…
Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë për “Kosova Sot” se legjislacioni nuk është problem, problemet janë te zbatueshmëria e legjislacionit. “Ligjet kanë nevojë për praktikë dhe për zbatueshmëri. Asnjë iniciativë për ndryshime nuk i paraprinë deri tani analiza paraprake se si u zbatuan ligjet dhe ku janë ngecjet. Kodi Penal ka hyrë në fuqi në vitin 2013, shumë ligje nuk janë harmonizuar me të dhe tani Kodi ndryshon prapë pa ndryshim ligjesh. Kjo nuk po ndodh rastësisht, po tentohet të krijohet huti dhe mjegull vetëm për të përfituar ndërkombëtarisht. Kjo është punë koti, punë Sizifi është kjo. Prokuroritë dhe hetuesit policorë duhet trajnuar dhe përgatitur për ndryshimet. Sa kohë u duhet atyre, duhet t’i mësojnë ndryshimet, por në praktikë duhet zbatuar edhe ligjet e vjetra”, tha Preteni për “Kosova Sot”. Se për çfarë niveli të zbatimit të ligjeve, edhe të Kodit Penal, ai thotë se me së miri flet loja me të ashtuquajturat raste të shënjestruara të korrupsionit, që për fat të keq po mbeten improvizime. “Është trumbetuar me të madhe se janë shënjestruar disa raste të korrupsionit, raste të fuqishme që do të na shpijnë drejt vizave, edhe kjo është tallje, pesë raste veç janë gjykuar edhe atë me gjykim lirues”, vijoi më tej Preteni.”Me pas shtet veç mbrëmë pas emisionit ku dy ministrat i kishin pritur të dalja e studios, dy ministra që nuk kanë komunikuar fare për rrjedhojën e një tenderi milionësh, dy ministra që njëri thotë se jam i gatshëm të përgjigjem për 15 milionë e tjetri për 53 milionë. Po ku ndodh kjo?! A ka mungesë të legjislacionit këtu…jo, ka mungesë respekti dhe atdhedashurie. Ministri aktual e mbronte kompaninë, po për çka dhe nga kush paguhet ai? “Atë që e mbron ai edhe ta paguajë.”Ku janë prokurorët, ku janë hetuesit, ku është shoqëria civile…E pas gjithë kësaj dhe shumë rasteve tjera, prioritet qenkan ligjet, plotësim-ndryshimi i tyre kurrë pa ndalë. Ne vetëm na ka mbetur të lutemi…tokë mbana. Luhet me ndjenjat, me integritetin dhe dinjitetin e qytetarëve, duke i maltretuar dhe shpenzuar për procese koti, raste të stërzgjatura, raste të montuara, raste të hapura për arsye politike, raste që kanë për qëllim vetëm eliminimin e zyrtarëve nga pozitat. Asnjë proces me vlerë nuk është realizuar me sukses, të gjithë të pafajshëm, kurse kundër zvarranikëve të vërtetë nuk fillohen rastet fare”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
ZEQA: INSTITUCIONET, TË KAPURA NGA NËNTOKA KRIMINALE
Analisti politik, Florim Zeqa, konsideron se edhe me ndryshimet e fundit kozmetike në Kodin Penal nuk do të arrihet asnjë efekt në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse fajtor nuk janë ligjet, por mosveprimi në zbatimin e tyre.”Miratimi në parim i projektligjit për Kodin Penal në Kuvend, duke bërë vetëm ndryshime kozmetike në ligjin e vjetër, për qëllim ka mashtrimin e BE-së, kinse do të ashpërsojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Se vërtet është makijazh legjislativ, e vërteton fakti i mosdënimit në vijimësi i rasteve të shenjëzuara për përmbushjen e kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave. Jo 39 raste, sa ishin të shenjëzuara, por edhe 100 sosh nuk e përmbushin dot kriterin për liberalizim të vizave, kur kihet parasysh fakti, se brenda këtyre rasteve të shenjëzuara nuk ndodhet asnjëri nga ‘peshqit e mëdhenj’, të vënë në shënjestër të ndërkombëtarëve, e që ngacmojnë syrin e qytetarëve”, potencoi ai.”Loja me ligje, e dëshmon fajësinë e pushtetarëve dhe pjesës dërmuese të ligjvënësve kosovarë, të cilët, në mos për të shpëtuar nga drejtësia, mundohen të përfitojnë në kohë për ikje nga përballja e pashmangshme me drejtësinë. Pasi Kosova problem kryesor nuk e ka mungesën e ligjeve, por zbatimin e tyre nga organet përkatëse të shtetit. Pavarësisht modifikimit të Kodi Penal apo ligjet e tjera, është e njëjta konjukturë në polici, në gjykata e në prokurori, e cila do të dështojë me zbatimin e këtyre masave ‘të reja’ ligjore, për arsyen e thjeshtë se janë institucione të kapura nga nëntoka kriminale dhe politika shkatërruese e sunduese e shtetit. ” Kriteret e vëna nga BE-ja për liberalizim të vizave nuk përmbushen me lobi jashtë vendit, siç ka filluar kryeparlamentari , por me arritjen e rezultateve konkrete në dënimin e rasteve të rënda korruptive e kriminale, siç e kërkoi ditë më parë kryetari i Gjykatës së Apelit. BE-ja u beson fakteve e jo fjalëve”, ka vlerësuar Zeqa për “Kosova Sot”. Sipas tij, për aq kohë sa sistemi i drejtësisë mbetet vasal dhe në shërbim të mafiopolitikës kosovare dhe te mafio-oligarkisë, jo vetëm se nuk do të ketë sundim të ligjit, nuk do të ketë as luftë të mirëfilltë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.
Rastet e korrupsionit parashkruhen
Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se për atë se çka mund të sjellë ndryshimi kozmetik i Kodit Penal dhe disa ligjeve të tjera, më së miri flet grumbullimi enorm i lëndëve të pazgjidhura, e për të cilat asnjëherë nuk është thënë se janë pasojë e këtij apo atij ligji të pazbatueshëm. “Vetë fakti i grumbullimit e pastaj i parashkrimit të mijëra lëndëve të pa zgjidhura, së fundi është raportuar për parashkrimin e rreth 20 mijë lëndëve të profileve të ndryshme, që sigurisht duhet të ketë edhe raste me përmbajtje të veprave penale e potencialisht të krimeve tjera serioze, duke mos arritur që asnjëherë të gjykohen apo të zgjidhen nga drejtësia, tregon për dështimin e funksionimit të vetë sistemit të drejtësisë dhe jo se ishin ligjet e dobëta fajtore për moszgjidhjen e tyre”, u shpreh ai.”Kot ndryshohen ligjet, sepse fatkeqësisht lëndët e korrupsionit janë lëndët që më së shumti parashkruhen nga gjykatat, duke shpëtuar kështu pa u ndëshkuar politikanët e korruptuar e mafiozë. Kjo tregon anën tjetër të medaljes së gjendjes krejtësisht mospërfillëse të drejtësisë kosovare në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, e këtu nuk kemi analizë të ligjeve për të konstatuar se cilat janë shkaqet”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, edhe loja me ligjet është vetëm një blerje kohe për neglizhencën e drejtësisë në Kosovë, që nënkupton faktin se bartësit e këtyre veprave të korrupsionit gjejnë mënyra për të shpëtuar nga ndëshkimi i paraparë me ligj.
(Kosova Sot)