Problemi i pa zgjidhur i Luginës bombë e kurdisur

Gjilan – Në marshin protestues të VV dhe shoqatës “Vatra” u tha se Serbia nuk duhet t`i prek vlerat kombëtare derisa nga faktori ndërkombëtarë u kërkua që të largojë forcat serbe nga Lugina dhe ato të zëvendësohen me forca ndërkombëtare transmeton rajonipress.
Në marshin protestues të organizuar nga Vetëvendosje dhe shoqata “Vatra” kanë marrë pjesë pak qytetarë derisa mesazhi i kësaj proteste ishte që problemi i Kosovës Lindore të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.
Në emër të organizatorit Ismajl Kurteshi kryetar i VV tha se jemi tubuar sot për të përkrahur të drejtat e shqiptarëve në Luginës së Preshevës. “Ne po e ngrisim zërin kundër dhunës e diskriminimit të vazhdueshëm 100 vjeçar” tha ai.
Sipas Kurteshit heqja e lapidarit është vetëm njëra nga shkeljet e mëdha të të drejtave dhe lirive të njeriut .
Kurteshi nga kjo protestë ka kërkuar që Qeveria e Tiranës dhe Prishtinës të angazhohen praktikisht dhe mos të mbesin vetëm në nivel të deklaratave duke e filluar me garantimin e reciprocitetit ekonomik.
Kurteshi ka kërkuar garantimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve të Luginës të cilat edhe janë të garantuara me konventat ndërkombëtare. Gjithashtu sipas Kurteshit shqiptarët e Luginës duhet të kenë aso të drejta të përfaqësimit në institucionet e Serbisë sikurse i kanë serbët në Kosovë.
Kurteshi ka kërkuar kthim të garantuar të atyre familjeve që i janë djegur shtëpitë. Kërkojmë demilitarizimin dhe xhandarizimin e rajonit të Luginës. Kërkojmë kthimin e lapidarit dhe ndërprerjen e bisedimeve mes Beogradit e Prishtinës si dhe të ndërpriten përndjekjet ndaj ish pjesëtarëve të UCPMB-së.
Kurteshi tha se nuk është mirë të injorohet problemi i pa zgjidhur i Luginës së Preshevës.
Edhe Sadulla Kadriu nga “Vatra” tha se Serbia e largoj në mënyrë tinzare lapidarin kurse faktori ndërkombëtar e tradhtoj Luginën. Kadriu tha se liderët e Luginës duhet të largohen nga bisedimit edhe nga institucionet e atjeshme në shenjë revolte.
Sipas Kadriut mos zgjidhja e problemit të Luginës së Preshevës do të jetë bombë e kurdisur në Ballkan e cila nuk dihet se kur do të shpërthejë. Ai ka kërkuar nga liderët e Luginës që të jenë unik derisa ka thënë se është kundër dëmtimit të varrezave.
I bëjmë thirrje Serbisë që mos t`i prek vlerat kombëtare të shqiptarëve në Luginë kurse nga ndërkombëtarët kërkojmë që forcat serbe dhe ato të xhandarmërisë të zëvendësohen me forca të mbikëqyrura nga ndërkombëtarët. Në protestë merrte pjesë edhe Liburn Aliu e Hysen Durmishi. Protesta kalojë e qetë./rajonipress/