Problemet e Iranit me alkool
Me ekonominë në gjendje gjithnjë e më të rëndë, tregun e zi që po lulëzon dhe mungesën e normave sociale, konsumi i madh i alkoolit nga ana e iranianëve mund të shndërrohet në një krizë publike të shëndetësisë. Analistët dyshojnë se vetë qeveria në Teheran po përfiton nga tregtia me alkool të kontrabanduar në Republikën Islamike.
Republika Islamike e Iranit e merr aq seriozisht ndalimin e alkoolit, ndalesë kjo e cila u imponua disa muaj pas revolucionit islamik në vitin 1979, sa që konsumimi i një gote raki mund të ju kushtojë me dënim publik.
Javën e kaluar, një çift iranian, që u dënuan më nga 80 goditje me kamxhik secili, pas dënimit të parë dhe të dytë për konsumim të alkoolit, u dënua me vdekje, pas konsumimit për herë të tretë.
Por iranianët edhe përkundër dënime të rënda konsumojnë edhe më tutje alkool. Ata konsumojnë raki të kontrabanduar-me ç’rast vlerësohet se rreth 60 deri në 80 milionë litra kalojnë kufirin në vit, raki kjo që kryesisht vjen nga rajonet kurde në Irak. Ata pinë në shtëpi, në dyqanet klandestine të rakisë, e si duket edhe prapa timonit: kur policia kryen testet e alkoolit tek ngasësit e automjeteve në Teheran, rreth 26 për qind prej tyre dalin të dehur.
Alkooli konsumohet nga një numër aq i madh i iranianëve, sa që zyrtarët e shëndetësisë tani po tërheqin vërejtjen për një kërcënim kombëtar ndaj shëndetit publik, duke theksuar se është shtuar dukshëm numri i sëmundjeve, të ndërlidhura me alkool. Sipas një gazete iraniane, policia ka konfiskuar këtë vit 69 për qind më shumë alkool se vitin e kaluar.
“Ne duhet të jemi të ndjeshëm në lidhje me këtë çështje dhe t’i kushtojmë më shumë vëmendje se sëmundjeve tjera, siç janë sëmundja e sheqerit dhe sëmundjet kardiovaskulare”, deklaroi zëvendësministri iranian i shëndetësisë, në një kumtesë e cila me sa duket më shumë i drejtohet reaksionarëve ithtarë të vijës së fortë në qeveri, se sa qytetarëve të thjeshtë.
Por pse e konsumojnë iranianët kaq shumë alkoolin? Pas të gjithave, ata janë tejet religjioz: Një anketë e bërë nga Gallup, në vitin 2008, dëshmoi se pjesa më e madhe e iranianëve e mbështesin ligjin islamik, i cili ndalon konsumin e alkoolit. Mund të thuhet se arsyet për konsumin e alkoolit janë të ndryshme: është kjo një mënyrë për t’u përballur me ekonominë dhe politikën në gjendje të mjerë, një produkt anësor i rinisë gjithnjë e më perëndimore.
A mund të fajësohen vërtetë iranianët, të cilët po përballen me izolim ndërkombëtarë, me një regjim represiv dhe kërcënimin e luftës se dëshirojnë të pinë një gotë më tepër?
“Arsyet personale janë faktorët më të rëndësishëm, të cilët nxisin shtimin e konsumit të alkoolit në shoqëri. Disa mendojnë se kjo është mënyra për t’u përballur me frustrimet e tyre”, u theksua në kumtesën e zëvendësministrit të Shëndetësisë, në lidhje me shtimin e konsumit të alkoolit në Iran.
Pjesa më e madhe e iranianëve janë nën moshën 35 vjeç dhe pjesa më e madhe prej tyre, në veçanti nëpër qytete, janë të hapur ndaj kulturës dhe zakoneve perëndimore.
“Në shumë qytete të mëdha të vendit, ku banorët dëgjojnë muzikë të popullarizuar, shfrytëzojnë mediet sociale dhe shikojnë televizionet satelitore-të gjitha këto gjëra prapa dyerve të mbyllura-tregu i zi për raki po vazhdon të lulëzojë”, shkroi Omed Memarian në Daily Best, duke e quajtur shishen si një fron tjetër të “luftës kulturore” të Iranit kundër ndikimit perëndimor.
Konsumi i alkoolit në shtetet perëndimore rregullohet me ligj, por gjithashtu edhe nga normat sociale, të cilat përcaktojnë se kur është në rregull të pish dhe sa mund të pish. Por, në një vend si Irani, ku konsumi i alkoolit është gjithmonë një gjë ilegale dhe tabu, ekziston një dallim më i vogël mes një dhe tri pijeve, konsumit të alkoolit në mëngjes apo në orën dhjetë të mbrëmjes, para apo pas përfundimit të punës, në një restorant apo në ndonjë dyqan ilegal.
Cilat do qofshin arsyet, madje edhe përkundër faktit se Republika Islamike ndalon konsumin e alkoolit, disa nga fraksionet e vijës më të fortë në qeveri me gjasë po përfitojnë nga tregtia në tregun e zi. Analistët për një kohë të gjatë kanë dyshuar se Garda Revolucionare e Iranit dominon shtigjet dobiprurëse të kontrabandës brenda dhe jashtë Iranit, përfshirë këtu edhe shtegun në Kurdistan, në Irak, prej nga vjen pjesa më e madhe e alkoolit të kontrabanduar.
“Lehtësia me të cilën mund të sigurohet alkooli kanë shtyrë shumë analistë të besojnë se Garda Revolucionare dhe elemente të tjera brenda qeverisë po përfitojnë nga kjo tregti ilegale”, shkroi Memarian.
Memarian gjithashtu citon një eksportues nga Dubai, i cili theksoi se pjesa më e madhe e tregut për kontrabandimin e alkoolit në Iran kontrollohet nga qeveria në Teheran. Ajo që është paradoksale, është ky regjimi i njëjtë, i cili dënoi me vdekje dy iranianët, për shkak të konsumimit të alkoolit. (The Atlantic)