Fundamenti

Proamerikanizmi natyral i shqiptarëve

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga Artur Zheji- Proamerikanizmi i shqiptarëve është një proamerikanizëm natyral dhe i pa sforcuar. Clinton u kujdes mrekullisht që askush të mos ketë kompleks për këtë. Asnjë gjest dhe asnjë grimasë, asnjë fjalë apo ton, prej gruaje të pushtetshme të Vendit më të madh në Botë.

Zonja e Parë e Diplomacisë Amerikane zbriti shkallët që e ndanin nga toka shqiptare, të cilën e prekte për herë të parë, e vetme dhe me çadër në dorë. Që në çastin e parë, të kontaktit të parë me Shqipërinë, modestia e saj protokollare ishte kuptimplotë:

‘Vij ndër miq dhe ndihem si e shtëpisë. Vij nga shtëpia ngjitur, mijëra kilometra larg, në një vatër miqsh.’

Dhe nuk habitesh, që pala jonë pritëse aeroportuale dhe protokollare, ishte pajisur përveç se me ‘dashurinë e zjarrtë’, edhe me një tabor ‘çadërmbajtësish’. Çadërmbajtës profesionistë që nënvizojnë dinjitetin specifik të ofiqarëve tanë të lartë… tipike kjo për kulturën orientale të vendit perëndimor të shqiponjave.

Clinton, në çdo gjest dhe nuancë të komunikimit, ishte përpikërisht modeste, dashamirëse dhe e ngrohtë.

Ajo u shpreh se ish një mikeshë dhe adhuruese e Shqipërisë, në Kuvendin tonë. Një mikeshë që kish ardhur për të na respektuar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarsisë, një mikeshë që kish ardhur për të sjellë edhe ca këshilla për ato pika nevralgjike që shumë shqiptarëdashës ia thonë shumë shpesh klasës sonë politike. Si një shqiptardashëse amerikane, Zonja e Parë e Diplomacisë Amerikane, bëri ftesë për harmoni dhe harmonizim të Palëve në politikën shqiptare.

‘Për një kulturë bashkëpunimi ndërmjet rivalëve të politikës’, në emër të Interesit Kombëtar.

Clinton e pa të arsyeshme që nga Kuvendi i Shqipërisë t’u thoshte deputetëve, ministrave dhe Kryeministrit, që duhet ta donin edhe më shumë Shqipërinë. Ashtu si ajo dhe presidenti Obama, ish-rivalë të ashpër të njëri-tjetrit, tani bashkëpunëtorë të hekurt pranë njëri-tjetrit.

E bukur, por e dhimbshme. Këshillë e dashur, e çmuar, por njëkohësisht elementare, gjë që dëshmon se në optikën e saj dhe të Departamentit që ajo drejton klasa politike shqiptare shihet si e prekur nga sëmundje elementare të egoizmit dhe të vogëlsisë inatçore. Një këshillë kundër personalizimit ekstrem të të bërit politikë, që shkon përtej konkurrimit politik në eksperiencën tonë post komuniste. Deri tek asgjësimi politik i kundërshtarit si objektiv të ‘fitores’ përfundimtare. Një këshillë për pranimin e humbjes, nëse humbja vjen dhe gjetjen e spirales së bashkëpunimit, përtej egoizmit dhe reagimit radikal.

Duartrokitjet e sallës së Kuvendit, mbushur me deputetë dhe ‘gjindje të zgjedhur’ nuk dihet me ç’kritere, tek Clinton shqiptonte këto fjalë, janë inkurajuese, por jo bindëse. Sepse të gjithë e dimë që në rastin më të parë, shpatat e mprehura të fushatës elektorale do të lëshojnë shkëndija dhe do të gjakosin kundërshtarin në pjesët më të buta dhe më vitale.

Është e bukur të dëgjosh një deklaratë si ajo e Zonjës Clinton, që mbas 100 viteve miqësi të konsumuar midis të dy Vendeve, na presin me vullnet të mirë, nga ana amerikane, edhe 100 vite të tjera miqësi.

Mobi Casa

Është i bukur dhe garantues për një Vend të vogël dhe jo pak herë të kërcënuar në historinë e vet, të kërcënuar në ekzistencën e vet, ky premtim, që do të thotë aleancë, stabilitet dhe liri.

Por, Clinton, është gati trishtuese në notën që u vendos shqiptarëve, aftësive tona në funksionimin demokratik, kur këshillon dhe nënvizon me forcë domosdoshmërinë e zgjedhjeve të ndershme, korrekte, pra realisht të lira, në vitin e ardhshëm 2013. Është pra një ‘këshillë’ që përmbyll në vetvete kritikë, ankth dhe mosbesim. Përsëri elementare, përsëri një standard themelor, siç janë Zgjedhjet, për të cilat Clinton ka pikëpyetje dhe i vendos në rendin parësor të detyrimit që kanë shqiptarët ndaj normave të qytetërimit demokratik. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe, në këtë Qytetërim të ri, ku ne jemi për herë të parë pjesëtarë në këto 20 vite të fundit, nga 100 që kemi si një Shtet i pavarur.

E pra, proamerikanizmi i shqiptarëve është një proamerikanizëm natyral dhe i pa sforcuar. Clinton u kujdes mrekullisht që askush të mos ketë kompleks për këtë. Asnjë gjest dhe asnjë grimasë, asnjë fjalë apo ton, prej gruaje të pushtetshme të Vendit më të madh në Botë. Asnjë autoritarizëm provokues, asnjë fodullëk dhe asnjë insinuatë prepotence. Tek e sheh dhe e risheh që zbret pa çadërmbajtës apo çadërmbajtëse shkallët e avionit gjigant, tek prek me kaq modesti tokën shqiptare, të bën të skuqesh për tangërllëkun shpesh, kaq të ekzagjeruar të cave prej ‘bejlerëve’ të vegjël të mëhallës sonë.

Takimi me Liderin e opozitës ishte një tjetër delikatesë dhe theks, për të shmangur çdo copëzim të mesazhit të saj për të gjithë shqiptarët.

Për të Gjithë pa përjashtim dhe pa diferencimin që të jep pasja apo mos pasja e një Posti të madh përfaqësues.

Një sukses i mirëpritur për Berishën.

Një vëmendje dinjitoze dhe inkurajuese për Ramën.

Proamerikanizmi shqiptar, pra, nuk është retorik, por është gjithëpërfshirës.

Zonja Clinton i bëri, në pak orë, shqiptarët edhe më proamerikanë.

Sukses i rëndësishëm ky për Sekretaren e Shtetit dhe padyshim një sukses për punën e dukshme dhe të padukshme të ambasadorit Arvizu.