Pro dhe kundër misionit të EULEX-it

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it nga Kuvendi i Kosovës nuk i ka “gëzuar” të gjithë kosovarët. Disa mendojnë se sikur EULEX-i të kishte luftuar të korruptuarit, në krye të institucioneve do të vinin njerëz më të mirë dhe më profesionalë. Ndërsa ka qytetarë që e konsiderojnë EULEX-in të dështuar.
Qytetarët e Kosovës janë ndarë në dysh sa i përket misionit EULEX nëse i duhet apo jo vendit. Vazhdimi i këtij misioni nga Kuvendi i Kosovës edhe për një mandat dyvjeçar nga disa kosovarë është pritur mirë me shpresën se në këtë mandat ky mision do ta tregojë veten duke luftuar krimin dhe korrupsionin.
Ndërsa, jo pak qytetarë të anketuar nga “Zëri” janë shprehur të zhgënjyer me misionin e EULEX-it, duke e vlerësuar negativisht performancën e tij, sidomos sa i përket luftimit të korrupsionit, gjë që kishin shpresuar se do të ndodhë me ardhjen e këtij misioni në Kosovë.
Sadik Shabanaj, banor i Deçanit, thotë se nuk ka ndonjë koment për këtë mision. Ai madje heziton edhe të shprehet pasi deklarohet i pakënaqur me punën e deritashme të këtij misioni. “Nuk ka bërë asgjë. Pasojat po i vuajmë ne”, thotë ai derisa shpreh jooptimizëm që ky mision në mandatin e ri dyvjeçar, që ju dha nga Kuvendi, do të veprojë në vendosjen e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. “S’kam shumë besim, ashtu siç ka ardhur ashtu do të shkojë”, thotë ai për gazetën./zeri/