UBT

Privilegjet e ish-presidentëve: Sejdiu mori mbi 300 mijë euro, Atifete Jahjaga rreth 170 mijë euro, Thaçi 83 mijë euro

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Mjaftojnë 6 muaj punë në krye të pozitave udhëheqëse të shtetit, për të siguruar gjithë jetën me pagë të majme e përfitime tjera.

Kjo mundësohet falë Ligjit për Përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë dhe Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

Ish-Presidentët pas përfundimi të mandatit përfitojnë 70% të pagës aktuale të kësaj pozite si dhe privilegje tjera të shumta.

Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës nga tetori 2010 deri në mars 2023, nga paga mujore ka marrë mbi 300 mijë euro.

Veç kësaj, ai ka të angazhuar edhe tre punëtorë si staf mbështetës paga e të cilëve për secilin për çdo muaj është nga 594 euro. Si dhe shpenzime për mbushje te telefonit për çdo njërin 40 euro në muaj.

Sipas të dhënave nga Zyra e Presidencës, ish-Presidenti Sejdiu, mesatarisht ka shpenzuar 95 euro në muaj për karburante dhe shpenzimet maksimale të lejuara për reprezentacion janë deri në 100 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sejdiu gjithashtu, ka shpenzuar edhe mbi 4 mijë e 200 euro në udhëtime zyrtare nga viti 2013 deri në vitin 2022.

Për udhëtime zyrtare dhe akomodim, më shumë del të ketë shpenzuar ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Që nga 2016 deri në 2022, Jahjaga në këtë kategori ka shpenzuar mbi 43 mijë euro.

Ndërsa nga paga e saj mujore, nga prilli 2016 deri në marsin 2023 rezulton se ka marrë rreth 170 mijë euro.

Mobi Casa

Edhe ish-Presidentja Jahjaga ka të angazhuar 3 punëtorë staf mbështetës, paga e të cilëve është 594 euro në muaj dhe 40 euro shpenzime për mbushje telefonike.

Ajo mesatarisht për një muaj ka shpenzuar 85 euro derivate si dhe shuma e lejuar për reprezentacion është deri në 100 euro.

Edhe ish-Presidentit Hashim Thaçi i ka vazhduar paga mujore dhe nga nëntori 2020 deri në mars 2023 rezulton se ka marrë shumën prej 83 mijë euro.

Ai gjithashtu ka të angazhuar tre punëtorë si staf mbështetës, të cilët gjithashtu paguhen 594 euro në muaj dhe shfrytëzojnë nga 40 euro mbushje. Meqenëse ish-Presidenti Thaçi përballet në një proces të gjykimit në Hagë, ai nuk ka bërë shpenzime të derivateve dhe shpenzime tjera që ia lejon ligji.

Ndryshe, sipas Ligjit për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë, këto përfitime që i ofron ligji, ish-funksionarit të lartë nuk i takojnë nëse gjatë ushtrimit të funksionit ai ose ajo shpallen fajtor me vendim të formës së prerë të gjykatës për vepër penale të dënueshme me burgim mbi gjashtë muaj.

Gjithashtu, një përfitim i tillë nuk paguhet, nëse ish-Zyrtari i Lartë ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës dhe për të cilin është përcaktuar një pagë e barabartë ose më e lartë se paga që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit në krye të institucionit përgjegjës.

Në rast se ish-zyrtari i lartë vdes, atëherë nga ky ligj përfiton e veja ose i veu dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare dhe kanë të drejtë të marrin një përfitim monetar në një vlerë vjetore prej 60 %.

Ndërsa, me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, ish-Presidenti dhe familja e tij ose saj, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës, si dhe përfitime tjera të përcaktuara me këtë ligj.